Emigrantët rrezikojnë të mbeten pa mbështetje!

Mundësia e shkurtimit të fondeve për Patronati INAS CISL nga qeveria italiane dhe pasojat për emigrantët

Intervista - - FAQE 1 -

Patronato INAS CISL, sapo mbushi 65 vjetorin e krijimit të tij. Në historikun e tij, ky institucion është quajtur “Mbrojtësi i të varfërve”, për angazhimin që ka patur në mbrojtjen e qytetarëve, për të drejtat e lindura në fushën e pagesave, sigurimeve shoqërore dhe problemeve sociale në të gjitha fushat. Patronato INAS CISL ofron këshilla për të gjithë qytetarët brenda dhe jashtë vendit, mbështetur në vlerat e solidaritetit social.

Gazeta “Intervista”: - Zoti Naim, institucioni juaj u vjen në ndihmë të gjitha shtresave shoqërore, por kryesisht emigrantëve. Si i gjykoni problemet me të cilat përballen emigrantët sot, në Itali?

- Aktualisht, në Itali jetojnë rreth 502.546 emigrantë shqiptarë me dokumente të rregullta, pa përfshirë ata emigrantë që kanë aplikuar për to. Kemi parasysh se emigracioni përbën rreth 1/3 e shtetasve shqiptarë.

Problemet e emigrantëve marrin trajtë më të theksuar në kushtet e krizës ekonomike, ku më të rrezikuarit janë sigurisht, ata. Po kështu, ende jemi në kushtet e mungesës së marrëveshjeve dypalëshe qeveritare në fushën e mbrojtjes shoqërore. Në këto kushte, është e domosdoshme përkrahja dhe ndihma që duhet t’u jepet emigrantëve për t’u ofruar të drejtat e lindura, për t’i përgatitur dhe për t’u dhënë mundësi, për të përfituar nga legjislacioni i të dy shteteve respektive dhe për të bërë të gjitha përpjekjet për arritjen e marrëveshjeve.

- Konkretisht, si u vjen në ndihmë emigrantëve Patronato INAS ALBANIA?

- Megjithëse i ngritur para pak kohësh, Patronato INAS ALBANIA luan një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e shumë problemeve të emigrantëve shqiptarë, jo vetëm atyre në Itali, por edhe të atyre në Greqi dhe në shtetet e tjera.

Duke qenë të specializuar në problemet sociale dhe sidomos në fushën e sigurimeve shoqërore, që sot është një nga aspektet më tërëndësishme, Patronati jep një ndihmë të plotë për të gjitha problemet që lidhen me këtë fushë. Mbështetja e emigrantëve në këtë fushë, konsiston, që nga informacioni për legjislacionin shqiptar dhe italian, ashtu edhe në ndryshimet eventuale në kohë, asistencën për këto probleme dhe deri në përgatitjen e plotë të dosjes së pensionit, duke plotësuar konkretisht modularët e aplikimit.

Duke mbajtur në konsideratë mungesën e dokumentacionit për vjetërsinë e punës, për shumë emigrantë (mbasi ashtu sikurse dihet, një pjesë e mirë e dokumentacionit të punës në vitet e para mbas 1990 u keqtrajtua), Patronato INAS ALBANIA, nëpërmjet një marrëveshjeje që ka me Institutin e Sigurimeve Shoqërore, bën konfirmimin e periudhave kontributive, duke i pajisur emigrantët me konfirmimin e kërkuar, i cili shërben për marrjen e përfitimeve përkatëse. Theksojmë se ende nuk ka përfunduar informatizimi i vjetërsisë në punë në Shqipëri. Po kështu, duke patur akses pranë INPS, konfirmojmë dhe printojmë vjetërsinë kontributive që kanë emigrantët në Itali. Nga ky institucion bëhet edhe deklarimi i të ardhurave pranë INPS, për qytetarët shqiptarë që përfitojnë pension në Itali e sidomos për emigrantët e kthyer.

- Por Patronato INAS jep asistencë dhe ndihmon edhe për probleme të tjera, apo jo?

- Po, ne ndihmojmë konretisht edhe për probleme të tilla si bashkimi familiar, lejet e qëndrimit, marrja e shtetësisë etj. Një fushë tjetër në të cilën ky patronat ka një aktivitet masiv, është aplikimi i nxënësve dhe studentëve shqiptarë për të studiuar në universitetet italiane, ku përveç ndihmës që jepet, bëhen të gjitha procedurat, që nga asistenca, zgjedhja e universitetit dhe degës, plotësimi i të gjithë modularëve, takimi në Ambasadën Italiane në Tiranë e deri në përmbylljen e procedurave, duke u kursyer shumë kohë dhe para studentëve e prindërve të tyre.

- A mund të flasim për shifra, në këtë aspekt?

- Patjetër. Në një kohë relativisht të shkurtër, Patronato INAS CISL Albania, ka bërë mbi 550 praktika, sipas fushave të sipërpërmendura. Vetëm për këto dy vite kanë fituar të drejtën për studime në Itali dhjetëra studentë shqiptarë.

Patronato INS CISL Albania është i pranishëm për çdo javë në media, në gazeta, revista e televiz

ione brenda dhe jashtë vendit, duke pasqyruar problemet e emigrantëve shqiptarë dhe lobuar fuqishëm, për lidhjen e marrëveshjeve për njohjen respektive të viteve të sigurimit me shtetet ku punojnë, aq të dëshiruar dhe të nevojshme për emigrantët shqiptarë.

- Sa i kushton shtetit italian aktiviteti i Patronato INAS CISL ALBANIA?

- Duke patur një aktivitet tepër, tepër të limituar, ky buxhet, si i thonë fjalës, është një pikë uji në oqean.

Pa dashur të japim shifra, mund të themi se është fare minimal, krahasuar me kontributin që japin emigrantët shqiptarë, sa do t’i takonte çdo të punësuari emigrant, një kontribut prej 0. 1 euro në vit, ose 0. 008 euro në muaj.

- Së fundi, po flitet për shkurtimin e fondeve të Patronatit INAS CISL. A influencon ky shkurtim, në zbutjen e krizës ekonomike?

- Pa diskutim që kriza ekonomike që po ka- lon Italia, prek thellë të gjitha shtresat, por më e vështirë kjo krizë është për emigrantët, të cilët e kanë të domosdoshme të mbështeten dhe një nga institucionet në mbështetje të tyre, është Patronato INAS CIS, i cili ka degë në të gjithë Italinë, si dhe në disa shtete jashtë saj.

Ashtu sikurse deklaroi dhe Sekretarja e Përgjithshme e CISL, Annamaria Furlan dhe Presidenti i Patronato INAS CISL, Antonino Sorgi, fondet që merr ky patronat nga qeveria italiane, janë tërësisht të papërfillshme dhe tepër minimale, krahasuar me aktivitetin dhe kontributin e tij për të gjitha shtresat e shoqërisë. Shkurtimi i fondeve që po tentohet, vetëm sa do të acarojë problemet sociale, ndërkohë që influenca në zgjidhjen e krizës është inekzistente.

Ndërkohë që të gjithë duhet të kenë në vëmendje se, shërbimet nga Patronato INAS CISL jepen tërësisht falas, pa asnjë pagesë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.