Kam marrë 10.000 dollarë në javë

Almeda Abazi, aktorja shqiptare e "Sulejmani i madhërishëm"

Intervista - - FAQE 1 -

5 vite në Turqi e kanë bërë Almeda Abazin të futet në radhët e personave më të pëlqyer publikë atje, falë një sërë projektesh interesante që startojnë me reklama të firmave të rëndësishme, për të vijuar më pas me “Surviver Turkiye”, me rolin e Valerias në serialin “Sulltani” dhe së fundi, me “Para Bende” një program mjaft tërheqës që ka nisur transmetimin në shtator dhe ka fituar pëlqyeshmëri që në javët e para. Por çfarëdo të jetë projekti që firmos Almeda, e sigurtë është që ekrani me të nuk të bëhet asnjëherë i mërzitshëm sepse si një yll në ngjitje, ajo ka gjithmonë diçka të re dhe të peshuar mirë për të ofruar…

Alma Buci: - Almeda, përshëndetje! Si po shkojnë gjërat për ty, çfarë periudhe është kjo?

Almeda Abazi: - Punët më shkojnë mjaft mirë. Në fakt, është një periudhë mjaft e ngarkuar, sa e lodhshme, aq dhe e këndshme në të njëjtën kohë.

- “Para bende” ( Unë kam paranë) është projekti që të mban të angazhuar aktualisht. Si është kjo historia e parave?

- (Buzëqesh) “Para bende” është projekti i radhës që ka filluar të shfaqet në ekran në muajin shtator, ndërkohë që xhirimet vazhdojnë non stop, që nga muaji qershor. Është një program argëtues dhe informues njëkohësisht. Bashkë me partnerin tim, shëtisim në vende të ndryshme të botës, duke i prezantuar këto shtete në një mënyrë paksa të veçantë, pasi tregojmë njëkohësisht dy anët e vendit ku shkojmë, si jetesën e nivelit të lartë, ashtu edhe jetesën e standardeve të ulëta, pasi bëjmë një garë të vogël sapo zbresim në aeroporte: Na duhet të gjejmë një person i cili të thotë një fjali në turqisht. Aty vendoset se kush do të shëtisë si i pasur dhe kush, si i varfër. Nëse personi që kam zgjedhur unë, e thotë më saktë se personi që zgjedh kolegu, Murati, atëhere unë fitoj të drejtën të shëtis, le të themi, Romën, si e pasur, me një shumë prej 10 mijë dollarësh në natë dhe ai që ka humbur garën, do të shëtisë vetëm me 100 dollarë. Kështu, të dy njëkohësisht, prezantojmë Romën, se si mund ta shëtisësh atë kur ke para dhe kur nuk ke para, çfarë mund të bësh e ku mund të shkosh. Kjo është idea...

- Një mënyrë e bukur për të udhëtuar, sigurisht. Cilat janë vendet që ke shëtitur deri tani dhe cili prej tyre të ka bërë më shumë përshtypje?

- Ky ka qenë një nga formatet që kam ëndërruar përherë dhe m’u realizua. Ka qenë ëndrra ime të shëtis botën dhe kësaj here jo vetëm e shëtis, por njëkohësisht drejtoj një program dhe sigurisht që edhe paguhem për punën që bëj, domethënë, edhe shëtis, edhe fitoj. (Buzëqesh) Vendet që kemi vizituar deri tani janë Hong Kongu, Singapori, Tajlanda, Ibiza, Majorka, Barcelona, Nisë, Paris, Romë etj. Vendi që më ka pëlqyer më shumë dhe më ka bërë përshtypje për nga bukuria, pastërtia dhe rregulli është Singapori.

- Kush është kolegu që të shoqëron në këtë program?

- Kolegu im quhet Murat, edhe ai pjesëmarrës në “Survivor Turkiye”. Merremi vesh shumë mirë me njëri-tjetrin dhe formojmë një ekip simpatik.

- Ka ndonjë histori apo episod për të qeshur nga ndalesat e bëra deri më tani?

- Ka shumë momente argëtuese, por momenti më mbresëlënës ishte kur ndodhesha në Nisë të Francës me xhirime dhe papritur më erdhi një vajzë e vogël, rreth 10 vjeçe, më tërhoqi nga mbrapa dhe më tha frëngjisht: “Ti je Valeria që linde bebin e Sulltanit”… Unë, vetëm fjalën “Sulltani” arrita të kuptoja, ndërkohë që nëna e vajzës më përktheu anglisht se ç’po thoshte ajo. Ishte një moment mjaft i bukur. (Buzëqesh)

- Stambolli ishte një ndër të preferuarit, në listën e destinacioneve turistike për 2014-n. Ty që po jeton atje, me çfarë të bën për vete ky vend?

- Unë jam e dashuruar pas Stambollit, është një qytet që më ka mirëpritur që në ditët e para, ku e kam ndjerë përherë veten shumë mirë. Njerëzit më duan, më respektojnë dhe më mbështesin në çdo moment.

- Për çfarë do ta lije pas Turqinë dhe emrin e bërë deri tani?

- Turqinë dhe famën do ta lija vetëm për familjen time, për asnjë gjë tjetër.

- Sa i njohur është tashmë emri yt në qarqet artistike dhe në publikun turk?

Me thënë të drejtën u bënë tre vite që jam pjesë e ekranit turk me projekte të ndryshme, kjo sigurisht të bën të jesh një person shumë i njohur në publik.

- Kujt i detyrohet Almeda për shkallët në ngjitje?

- Në radhë të parë, Zotit që më ka bërë rrisk diçka të tillë dhe më pas familjes, sidomos mamit, që është pjesë e pandarë e imja. Në çdo hap, atë e kam pranë.

- Çfarë duhet të kesh të qartë në industrinë kinematografike ose në fushën e spektaklit në Turqi?

- Fusha e spektaklit në përgjithësi, por sidomos në Turqi, është një punë sa fitimprurëse, aq edhe e pasigurtë, pasi këtu, mjafton një lajthitje e vogël dhe publiku të fshin direkt. Një fjalë e thënë pa vend, merr reagime të paimagjinueshme, prandaj duhet të jesh përherë e kujdesshme në atë që bën dhe flet.

- Ke ecur me një plan të mirëfilltë strategjik marketingu që prej fillimit në këtë rrugë?

- Gjithmonë kam pasur parime në punën që bëj, asnjëherë nuk pranoj të bëj diçka që del jashtë karakterit tim, asnjëherë nuk kam krijuar probleme me personat me të cilët punoj dhe asnjëherë nuk kam lejuar të merrem nëpër këmbë, si dhe më kryesorja, jo çdo oferte i kam thënë “po”, kam pritur për momentin dhe ofertën e duhur, duke refuzuar shumë punë.

- Si qe për ty të bëheshe pjesë e kastit të një prodhimi të rëndësishëm turk si “Sulltani i madhërishëm”?

- Ishte një eksperiencë mjaft e mirë, isha pjesë e një produksioni madhështor dhe luajta në krah të aktorëve elitë në Turqi. Megjithëse isha e angazhuar me projekt tjetër në atë kohë, pranova të luaja 13 seri në këtë serial për shkak të rëndësisë që kishte.

- Si është nga afër Sulltani i madhërishëm?

- Sulltani, domethënë Halit Ergenc, është një njeri shumë i qeshur dhe i qetë kur flet. Sa i përket pamjes, është shumë më i ri dhe më elegant nga ç’duket në film. (Buzëqesh)

- Si reagojnë turqit kur mësojnë se je shqiptare?

- Tashmë u bënë vite që janë mësuar me faktin që unë jam shqiptare. Ne femrave shqiptare në Turqi na mbajnë si simbol të femrës për t’u martuar: Punëtore, pastërtore dhe të bukura. (Qesh)

- Çfarë quan bekim nga Zoti?

- Çdo gjë që ndodh në jetë është nga Zoti, si e mira, ashtu edhe e keqja. Ne vetëm duhet të jetojmë jetën ashtu siç duhet, me sa më pak gabime dhe gjynahe, të tjerat vijnë vetë pastaj. Atëhere merr edhe bekimin nga Zoti.

- Sa ndikim ka opinioni i të tjerëve mbi ty dhe mbi jetën që bën?

- Varet nga personi që jep opinionin, megjithëse unë, me ndërgjegjen time, jam në rregull.

- Si është një mbrëmje e kaluar në shtëpinë tënde?

- Nëse atë mbrëmje nuk kam në plan të dal me miqtë e mi për darkë ose për t’u argëtuar, atëhere jam në shtëpi për darkë me familjen. Duke qenë se jetoj shumë afër Bosforit, pas darke bëjmë rregullisht ecje në bregdet e më pas, një kafe. Para se të fle, shoh patjetër një film ose lexoj diçka.

- Çfarë të veçante kanë telenovelat apo serialet turke, në krahasim me ato

meksikane?

- Telenovelat më duken pothuajse të njëjtat, histori dashurie, intriga, tradhti, ndarje, dashuri të pamundura. (Qesh)

- Nëse këtu vajzat adhurojnë Kivanc Tatlitug, Kenan Imirzalioglu apo Burak Ozcivit, çfarë mund të na thuash për ta, ti që i njeh nga afër? Çfarë po ndodh me dy të parët, sidomos?

- Hëm, të tre janë pjesë e serialeve të ndryshme këtu ndërkohë, por me thënë të drejtën, sikur kanë ngelur pak në hije, duke qenë se kanë dalë mjaft aktorë të rinj në moshë këtë vitin e fundit që po preferohen dhe ndiqen më tepër nga publiku femëror...

- Aktori Nik Xhelilaj është gjithashtu pjesë e kinematografisë turke. Si po ecën karriera e tij?

- Me thënë të drejtën, nuk kam arritur ta njoh. Para dy vjetësh pata dëgjuar nga gazetat shqiptare që ishte pjesë e një seriali këtu në Turqi, por nuk e dija që ishte shqiptar. U bë kohë që nuk e shoh më në ekranin turk, por i uroj fat dhe suksese.

- Duket se një mik i mirë nga Shqipëria është edhe Noizy... Si jeni njohur dhe çfarë ju ka bërë kaq shokë me njëri-tjetrin?

- Po, me Noizyn jemi miq të vjetër, njihemi që në Shqipëri. E kam pritur si mik edhe kur ka ardhur në Turqi, e përshëndes shumë dhe i uroj suksese të mëtejshme.

- Motra, Ilda, ka të njëjtat interesa si ti apo ka zgjedhur drejtim tjetër?

- Ilda ka pasur oferta të ndryshme për në televizion, por ajo zgjodhi pozicionin mbrapa kameras, është studente në universitet për Gazetari Televizioni dhe Regjisurë njëkohësisht. Domethënë, në të ardhmen mund të na shihni bashkë, por njëra para kameras e tjetra mbas saj.

- Cila është gjëja që mendon se di ta bësh më mirë?

- Aktrimi.

- Zakoni më i çuditshëm turk, me të cilin nuk do të mësohesh ndonjëherë...

- Turqit kanë të njëjtat zakone me ne shqiptarët, sigurisht, ashtu si dhe te ne, sipas krahinave, ndryshojnë, diku janë më të forta, diku janë harruar fare. Nuk di ndonjë zakon që të më ketë bërë përshtypje aq sa të mos mësohem dot.

- Ajo që beson t’u kesh përcjellë turqve nga Shqipëria?

- Mund të them se sa herë flas për Shqipërinë, dëgjoj shprehjen “Dua ta vizitoj një herë Shqipërinë, e kam shumë merak”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.