Truri punon edhe pas vdekjes...

Sipas një studimi të ri, të kryer përgjatë 4 vjetësh me 2060 pacientë, truri vazhdon të funksionojë disa minuta pas vdekjes.

Intervista - - FAQE 1 -

“Në minutat e para pas vdekjes, ndërgjegjja nuk fshihet”. Kështu është shprehur doktori Sam Parnia, që ka drejtuar studimin AVVARE, studimi më i madh në botë në lidhje me eksperiencën e afër vdekjes, e cila në anglisht shprehet me termin “near death experience” (NDE). Në përgjithësi, flasim për NDE kur personi zgjohet pasi ka qenë në gjendje vdekjeje klinike, apo koma. Me përparimin e mjekësisë, këto situata janë gjithmonë e më të shpeshta dhe dëshmitë shumëfishohen në të gjitha anët e botës. Rezultatet e studimit AVVARE, realizuar përgjatë 4 vjetëve me 2060 pacientë, janë publikuar më 7 tetor nga Universiteti britanik i Sauthemptonit. Ato bëjnë të mundur të vërtetohen hipoteza të formuluara mbi jetën në momentet menjëherë pas vdekjes.

Para disa vjetësh, ekspertët mendonin se truri ndalonte disa dhjetëra sekonda pas ndalimit të zemrës. Në vitin 2012, kjo vonesë vlerësohej me 15 sekonda, por hipotezat mbi këtë kohë kanë evoluar. Në vitin 2013, një eksperiment i zhvilluar mbi minjtë tregoi se truri i tyre regjistron një aktivitet të fuqishëm 30 sekonda pas një ndalimi të provokuar të zemrës. Ky shtim i aktivitetit të tij, shumë i organizuar në të gjithë trurin, i korrespondon një gjendjeje zgjimi. Sot, studimi AWARE tregon një aktivitet të trurit edhe 3 minuta pas ndalimit të zemrës te njeriu. Me një fjalë, sipas një specialisti belg, nuk duhet konsideruar vdekja si një “eveniment preçiz”, por si “një proces që zhvillohet në shumë etapa”. Me ndalimin e zemrës, trurit i mungon oksigjeni, gjë që shkakton haluçinacione. Çfarë ndodh në këtë interval mes ndalimit të zemrës dhe ndalimit të trurit? Një dritë e bardhë në fund të tunelit, qenie të rrethuara nga drita, një ndjesi mirëqenieje… janë të shumta elementet që shoqërojnë tregimin e personave që kanë përjetuar një NDE. Këtë e vërtetojnë imazhet dhe ndjesitë e përshkruara nga Nikolë Kanivek, viktimë e një aksidenti të rëndë veture para dhjetë vjetësh, ose e shkrimtarit Filip Labro, që evokon në vitin 2009 “një hapësirë prej pellushi, pak të tejdukshme, pak të bardhë, një ndjesi paqeje”.

Nganjëherë, personat që kanë përjetuar një NDE pohojnë se kanë pasur ndjesinë sikur janë larguar nga trupi i tyre. Ata thonë se e kanë parë veten e tyre duke u ngritur në ajër, apo kanë ndjekur diskutimet dhe veprimet që zhvilloheshin rrotull tyre. Disa tregojnë, për shembull, se kanë parë mjekët që po mundoheshin t’i shpëtonin.

Shkencëtarët e njohin realitetin e eksperiencës së dëshmitarëve. “NDE është një fenomen fuiziologjik që ekziston në realitet. Njerëzit që tregojnë diçka të tillë, e kanë ndjerë vërtet. Do të thonim se ata gënjejnë, por janë me mijëra dëshmitë që e pohojnë diçka të tillë!”, sh- kruan doktori Parnia. Për shumicën e shkencëtarëve, NDE është produkt i një truri të dëmtuar. Ata mendojnë se çdo ndjesi ( tunel drite, mirëqenie, dalje nga trupi…) shkaktohet nga prekja e një zone trunore specifike, për shkak të mungesës së oksigjenit. Në vitin 2011, një studiues zviceran ka shpjeguar në një artikull se ka provokuar ndjesinë e daljes nga trupi të një pacienteje, duke stimuluar zona të ndryshme të trurit të saj para një operacioni.

Ndjesia e ngadalësimit kur mendojmë se po vdesim, shkaktohet nga kujtesa jonë që fillon të regjistrojë gjithçka. Një shkencëtar thotë se “truri ynë vepron si një lloj kullese, pra, bën përzgjedhjen se çfarë është e rëndësishme dhe çfarë jo. Por kjo ndryshon kryekëput kur ndodh ndonjë ngjarje e rëndë. “Nëse papritur një veturë vjen përballë jush me gjithë shpejtësinë, kujtesa jonë nuk bën më dallimin se çfarë është thelbësore dhe çfarë jo”. Si rezultat, “ngjarjet stresuese janë të bashkangjitura me kujtime më të pasura dhe të ngjeshura. Sa më shumë kujtime të keni për një ngjarje, aq më gjatë mendoni se ka vazhduar ajo”, shpjegon shkencëtari.

Ndërkohë, sipas filozofëve, fjalët që thonë pacientët që kanë përjetuar një NDE, duhen marrë parasysh, por nuk duhet harruar edhe ky mendim i filozofit të lashtë grek, Epikurit, që relativizon idenë se mund të vish nga bota e përtejme për të dëshmuar se çfarë ndodh në të: “Kur vdekja është aty, ne nuk jemi më”.

Truri është ende i ndërgjegjshëm disa minuta pasi ndalon zemra

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.