IME ME NJË TURK TË MARTUAR

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Përshëndetje lexues të dashur të gazetës “Intervista”! Unë jam një vajzë 23 vjeçare nga Kosova. Jeta ime nuk ka qenë aspak e thjeshtë si nga ana personale, ashtu edhe nga ajo familjare. Familja ime përbëhet nga 5 persona. Mami im vuante prej vitesh nga një sëmundje e pashërueshme dhe dita-ditës ndihej më e pafuqishme. Babai im është intelektual dhe me pozitë. Kam dy vëllezer, njëri që ka mbaruar studimet për Arkitekturë dhe tjetri për Mjekësi të përgjithshme, të dy më të mëdhenj se unë. Vëllai i madh është pak më i ftohtë, ndërsa vëllain e vogël e kam patur gjithmonë pranë dhe kishim një marrëdhënie mjaft të mirë me njëri-tjetrin, si shokë. Historia ime fillon në kohën kur unë isha në gjimnaz, në vitin e katërt, maturante. Isha një vajzë mjaft e thjeshtë në shkollë, me mësime isha shumë mirë dhe kisha një shoqëri të nivelit tim. Gjithmonë pas mësimit dilnim me shoqërinë për të pirë diçka dhe pastaj shkonim në shtëpi. Ishte i njëjti vend që vizitonim çdo ditë se aty ndiheshim më rehat. Një ditë, ndryshe nga të tjerat, sytë më panë një burrë mjaft simpatik të ulur përballë meje, i veshur serioz dhe me mjaft shije, me një buzëqeshje tepër të veçantë. Sytë nuk po më shqiteshin prej tij. Vërtet diçka ndjeva kur pashë atë burrë të panjohur. Isha 18 vjeçe, nuk isha më e vogel për të kuptuar ç’ishte ajo që ndjeva. Të nesërmen, sa hyra në lokal, përsëri tek i njëjti vend rrinte ulur zotëria simpatik dhe një ndjenjë gëzimi mbështolli gjithë trupin tim. U ula dhe gjatë gjithë kohës sytë e mi nuk po shkëputeshin nga portreti i tij, kishte qëndrim mjaft burrëror, sy me bisht, buzëqeshje që më bënte të dridhesha e tëra. Për një moment sytë tanë u takuan dhe diçka ndjeva, fillova të besoja në dashurinë me shikim të parë. U ngritëm dhe pas disa ditësh, kur desha të paguaja, kamerieri më tha se ishte e paguar nga pronari i dyqanit përballë dhe drejtoi gishtin nga dyqani. Brenda ndodhej ai për të cilin lutesha ta shihja çdo ditë. U lumturova!

Kështu kaluan kohë dhe një ditë u gjendëm të dy në një tavolinë. Isha e emocionuar ashtu po ai, filloi të më tregonte për veten. Ishte i madh në moshë, 38 vjeç, ishte turk dhe kishte ardhur këtu bashkë me bashkëshorten dhe dy djemtë e tij, për arsye biznesi. Filloi të më tregonte hollësisht për jetën e tij, sa unë ngela e shtangur. Kishte probleme prej vitesh me bashkëshorten, por pengesa e vetme për divorc ishin femijët. Njëri djalë ishte 15 vjeç dhe ishte në gjimnazin ku une studioja, ndërsa tjetri ishte i vogël, 6 vjeç. Pas disa kohësh, u bëmë shokë me djalin e tij të madh e po ashtu edhe me vetë zotërinë simpatik. Ndjenjat i ruaja përbrenda, asnjë shenjë nuk dhashë derisa një ditë nuk munda më dhe shkova te dyqani i tij. Më mirëpriti si përherë, me buzëqeshjen e tij që ishte kthyer në motivin e ëndrrave të mia. Dridhesha e tëra, mezi po nxirrja fjalët, ama arrita t’i thoja sa shumë e pëlqeja dhe sa shumë ndjeja për të. Ai mbeti i shtangur, nuk foli, u hutua dhe s’po mundej ta besonte. Sytë filluan t’i lotonin ashtu si edhe mua. U afrua, më përqafoi dhe rrahjet e zemrës së tij i ndjeja fort në kraharorin tim. Më tha të shkoja të qetësohesha në shtëpi dhe do të flisnim përsëri të nesërmen. Erdhi e nesërmja dhe ai më sqaroi se dëshironte divorc tashmë, se asgjë nuk po ecte ashtu siç duhej me jetën e tij bashkëshortore. Divorci nuk vonoi dhe të dy filluam një lidhje që unë e kisha dashur me kohë. Vëllai im e njihte, por nuk ishte në dijeni të lidhjes sonë. Gruaja e tij u largua për në Turqi dhe ky jetonte me dy djemtë në një shtëpi jo larg nga shtëpia ime. Lidhja jonë po bëhej shumë serioze, aq sa të dy donim që t’ia bënim të ditur familjes sime dhe mes nesh të bëhej një lidhje zyrtare. Një ditë, i dashuri im tashmë, takoi vëllain tim të vogël për të pirë diçka dhe për t’i treguar për lidhjen tonë, duke e ditur që marrëdhënia ime me të ishte mjaft e afërt. Kur vëllai im e mori vesh të vërtetën, nuk arriti ta besonte dhe nuk e pranoi. E gjithë familja e mori vesh për lidhjen time prej tij. Filluan të më kërcënonin dhe të më detyronin që të ndahesha, me mbyllën në shtëpi, brenda një dhome pa telefon, në mënyrë që të mos flisja me të. Kaluan ditë nuk dija ç’po ndodhte me të, më kishte marrë malli ta takoja, e gjithë bota më ishte kthyer përmbys. Mami ishte bërë akoma më keq dhe kjo më dhimbte më shumë, se kishte bërë çdo gjë për mua, që vetëm unë të ndihesha e lumtur dhe të mos më mungonte asgjë. Babai, pavarësisht se duhet të ishte shtylla e shtëpisë, kishte filluar të bëhej shumë i ftohtë me ne, ishte lodhur me sëmundjen e mamit. Një ditë duke dalë nga puna e pashë në makinë me kolegen e tij që po putheshin dhe unë bëja sikur nuk dija asgjë. Vëllezërit më shihnin me përbuzje. Po ndihesha vërtet shumë keq dhe shumë bosh pa të. Kaluan 3 ditë dhe unë po dilja se më duhej të shkoja në shkollë, ishta koha e provimeve të maturës. Më shoqëronte gjithmonë vëllai i vogël për në shkollë, më çonte dhe më merrte ai. Humba kontaktet me të dashurin tim, isha tepër e mërzitur dhe s’dija si ta rigjeja.

Kaluan 4 muaj derisa unë fillova studimet për Drejtësi. Isha e lumtur që fitova atë degë, ishte dega e tij e preferuar, ndaj e kisha zgjedhur. Mungesa dita-ditës më bënte të vuaja akoma më shumë. Krahas kësaj dhimbjeje, mami ishte në gjendje shumë të rëndë. Një ditë kur po shkoja në fakultet, përpara derës qëndronte ai për të cilin qaja çdo ditë. Ai që me atë buzëqeshje më bënte të lumturohesha, kësaj here më bëri të qaja. Ishte dashuria ime... Ah, sa më kishin munguar sytë e tij, edhe pse kësaj here të mbushur plot lot! Shtanga, nuk dija ç’të bëja. Isha e dërrmuar shpirtërisht, por shkova dhe e përqafova. Më tregoi sa i kisha munguar edhe unë po ashtu. Të dy dridheshim dhe më kërkoi të ikja me të në Turqi apo në një vend ku të doja unë, mjftonte të ishim të dy bashkë. Ula kokën dhe i thashë se gjërat nuk ishin më si më parë. I tregova që mamaja ime ishte shumë e sëmurë dhe duhej te qëndroja pranë saj. Ai u largua për në Turqi, më tha se do të më priste, por mua më dukej e pabesueshme. Mamaja më vdiq atë vit... sa vuajta për mungesën e saj! Nuk mund të qëndroja e fortë. Babai mori kolegen në shtëpi, për të jetuar me ne. Vëllai i madh iku jashtë vendit për të punuar, ndërsa unë dhe vëllai i vogël shihnim se si kolegia e babait kërkonte të zëvendësonte nënën tonë. Mbarova studimet dhe telefonatat e mia me dashurinë time s’ishin ndërprerë asnjëherë. Vendosa të jetoja bashkë me të, jo në Turqi, por në vendin tim të lindjes. Kemi një vit që jetojmë në Prizren, në qytetin tonë të dashurisë. Fëmijët e burrit tim jetojnë me vjehrrën time, në Turqi, për shkak të studimeve. Vëllai i vogël ka shkuar të punojë te biznesi i vëllait të madh dhe të dy janë fejuar. Jetojmë të lumtur, pavarësisht se me babain nuk i kam mirë marrëdhëniet dhe pavarësisht se mungesën e mamit s’mund ta zbehin as ditët, as vitet...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.