A mund të bashkohen tri periudhat kontributive të tri shteteve?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Po ju dërgoj të skanuar librezën e punës, e cila përmban periudhat deri në muajin shtator të vitit 1999. Mbas 1 shtatorit 1999, kam punuar në fonderi të Uzinës Mekanike Bujqësore Durrës, por nuk i kam hedhur në librezë. Si ta vërtetoj këtë vjetërsi që nuk e kam regjistruar në librezën e punës? A përfitoj nga marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës, në rast se vitet e fundit para daljes në pension mund të punoj në Belgjikë.

- Përsa i përket problemit të parë, Patronato INAS CISL ALBANIA ka një marrëveshje me Institutin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH) në Shqipëri, për konfirmimin e periudhave kontributive. Duke qenë se ende nuk ka përfunduar informatizimi i periudhave kontributive, konfirmimi bëhet duke dërguar në formë telematike pranë këtij institucioni një kërkesë që përmban disa gjeneralitete të kërkuesit dhe rubrikat e punës (Ndërmarrja ose institucioni, fillimmbarim, posti i punës) të kërkuesit (moduli bashkëngjitur). ISSH, me marrjen e kësaj kërkese, mbasi bën verifikimet në dokumentacionin që disponon, plotëson tërësisht vjetërsinë kontributive që rezulton në këto dokumente. Ky konfirmim na dorëzohet, si në formë telematike, ashtu edhe me postë zyrtare në kartë, i miratuar nga titullari i ISSH. Mbas kësaj procedure, konfirmimi i dërgohet emigrantit në adresën e kërkuar, ose tërhiqet personalisht nga familjarët në Shqipëri. Ky konfirmim shërben për çdo lloj përfitimi që ofrohet, sipas legjislacionit të sigurimeve shoqërore.

- Përsa i përket problemit të dytë, me interes është fakti se në nenin nr. 28 të marrëveshjes me Belgjikën “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës për mbrojtjen shoqërore” (miratuar me ligj nr. 35/2014, datë 03.04.2014, botuar në fletoren zyrtare nr.57 të vitit 2014) në pikën 5, theksohet sa më poshtë: “Nëse vetëm Belgjika është lidhur me një vend të tretë me anën e një marrëveshjeje për sigurimet shoqërore, që zbatohet për personin në fjalë, periudhat e sigurimit të plotësuara në përputhje me legjislacionin e këtij shteti të tretë, do të bashkohen për përfitimin e së drejtës për përfitim pleqërie, familjar dhe të invaliditetit, në të dy shtetet kontraktuese.

- Në këtë mënyrë, personit të interesuar që punon në Belgjikë dhe ka periudha kontributive në Shqipëri, bazuar në këtë marrëveshje, i bëhet totalizimi i periudhave që ka në Belgjikë dhe Shqipëri, por duke qenë se i interesuari ka periudha kontributive në Itali, ndërkohë që edhe Italia ka marrëveshje me Belgjikën, i bashkohen edhe periudhat që ka në Itali, kështu që emigranti i mësipërm ka krijuar mundësinë për bashkimin e periudhave në 3 shtetet.

- Nëse përdor letër muri në kuzhine (sepse i kam bashkë ambientin e ndenjjes dhe ambientin e gatimit), a dëmtohet letra nga avujt apo ngrohtësia që krijohet në dhomë? A i ndërron ngjyra letrës së murit apo varet nga cilësia e saj? Gjithandej ku pyes më thonë që cilësia është më e mira, por unë nuk nuk e njoh. Faleminderit.

- Përdorimi i letrës së murit për transformimin e dhomës suaj me profesionalizëm dhe respekt për mjedisin, është një zgjedhje e zgjuar. Shpesh, kur vendosim të përdorim letër murale ne bëhemi konfuzë dhe kemi dilema të shumta si në përzgjedhjen e dizajnit, ashtu edhe të materialit të saj. Shkurtimisht, ju sqaroj se pjesët kryesore të një letre muri janë mëndafshi, kadifja, mbulesa e tejdukshme dhe boja, që në disa letera muri nuk kanë të njëjtën cilësi. Letrat e murit, gjithashtu, ndryshojnë nga cilësia e printimit dhe materiali. Keni të drejtë që jeni konfuze sa i përket cilësisë së letrës së murit, sepse ajo është shumë e rëndësishme... Një cilësi e mirë nënkupton ngjyra të qëndrueshme, mëndafsh të sofistikuar, kadife të kushtueshme etj., duke na ofruar siguri në përdorimin e saj. Në qoftë se përdorim letra muri të një cilësie të lartë, ngjyrat e saj nuk ndryshojnë, ato mbeten të njëjtat, por unë nuk këshilloj që këto letra murale të vendosen shumë pranë sobës të gatimit. Avulli i tepërt ose pikat e vajit lënë gjurmë në këto sipërfaqe, e në këtë mënyrë do ta humbasin bukurinë e mëparshme. E veçanta konsiston edhe në teknologjinë që aplikohet në ngjitjen e letrës së murit. Do të duhej të gjeni një specialist që do të bëjë një aplikim të thjeshtë, por të specializuar, pa dëmtuar aspak murin, pa lënë shenja në letër, si dhe duke e bërë aplikimin e shiritave të letrës në mënyrë estetike, që të mos bjerë në sy ndarja mes tyre (nëse sipërfaqja që doni të mbuloni, do të jetë e madhe). Përsa i përket çmimit, kujdes! Çmimi i lartë nuk është garanci për cilësi! Arsye për rritjen e çmimit mund të jetë edhe dizajni i bukur ose bojrat e tepërta që janë shpenzuar në të. Nëse doni të bëni zgjedhjen e duhur, unë ju këshilloj të vizitoni jo vetëm një dyqan që ofron letra muri, por disa të tillë. Kështu, do të jeni shumë lehtë në gjendje jo vetëm të zgjidhni dizajnin e duhur, por edhe të kuptoni ndryshimin në cilësi, që është në fakt i dukshëm nga njëra letër muri te tjetra. Kërkoni një cilësi të mirë me një dizenjo të bukur, për t’u siguruar për jetëgjatësinë dhe bukurinë e kësaj letre muri.

Valbona Vukulaj

Seldi Shehu, arkitekt

Adresa: Rruga e Kavajës,

Tiranë.

pranë Kishës Katolike,

Cel. +355 682060611. E-mail: info@seldi shehu.al. Web: www.seldishehu.al

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.