E kam gjoksin si femër...

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam një djalë 23 vjeç. Doja t’ju pyesja për një fakt që nuk më pëlqen. Unë e kam gjoksin e madh si femër; jo shumë të madh, ama bie shumë në sy dhe këtë gjë e kam shumë problem. Si ka mundësi një gjë e tillë? Mos kam ndonjë problem me trupin? Jam 175 i gjatë, peshoj 73 kilogramë dhe kam një trup normal. Faleminderit.

Dr. Evi Dani, seksologandrolog: -

I nderuar 23 vjeçar, nuk duhet të shqetësoheni kaq shumë sepse këtë patologji nuk e keni vetëm ju dhe nuk është ndonjë gjë aq e rëndë. Kjo lloj patologjie te meshkujt, ka të bëjë me çrregullimin e hormoneve dhe quhet gjinekomasti.

- Gjinekomastia nuk është gjë tjetër veçse zmadhimi i gjoksit, e një apo e dyanshme, me përmasa të dukshme dhe të formës së gjoksit të femrës pak a shumë të një vajze në fillimet e pubertetit. Kjo gjendje krijon një moment psikologjik negativ, ku i riu apo djali e ndjen që ka diçka ndryshe që mund të bëhet shkak për tërheqjen e vemendjes së moshatarëve dhe që shpeshherë i bën këta persona të mos ekspozohen në plazhe, gjatë orës së fizkulturës apo në palestër. Kjo gjë bën që t’u krijohet atyre një stres në vetvete.

- Gjinekomastia te meshkujt, konstatohet kryesisht në formë normale në periudhen e të porsalindurit, në moshën e pubertetit dhe në moshën e tretë, te pleqtë, por ata që kanë probleme, janë kryesisht mosha e pubertetit.

- Ndryshimet hormonale të kësaj periudhe, prishja e raporteve ( testosteron- estrogjenik) mund të shkaktojnë edhe rritjen e gjoksit, pra, gjinekomastinë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në përcaktimin ka apo s’ka gjinekomasti. Ka disa kritere për të përcaktuar gjinekomastinë reale nga rritja e gjoksit te të shëndoshët (gjë që nuk quhet gjinekomasti).

- Për të bërë një diferencim të tillë dhe të saktë, sigurisht, duhet vizita e mjekut, që plotësohet me një ekografi të gjoksit dhe matjen e niveleve hormonale. Në bazë të saj, mund të merret edhe mjekimi që mund të ketë si bazë uljen e hormonit estrogjenik, përgjegjës për rritjen e gjoksit si te femrat, ashtu edhe te meshkujt. Ndonjëherë, mjekimi shkon deri në ndërhyrje operatore, nëpërmjet së cilës bëhet zvogëlimi i gjoksit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.