Dëgjoj zëra...

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Doktor Jashari, jam 22 vjeçe dhe ndonjëherë më ndodh që të dëgjoj zëra në inkoshiencën time. Për shembull, më plotësohet fjalia që kam ndërmend. Çfarë kam? Përse më ndodh kjo?

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist:

- Sa shumë njerëz tremben nga këto fenomene! Ka mjaft raste kur në mendje na vjen ndonjë mendim i frikshëm i cili nuk na hiqet, ashtu siç mendja na përsërit pa pushim ndonjë vjershë apo melodi. Mendime të tilla obsesive u ndodhin të gjithëve, aq sa në librin e ankthit thuhet se 97 % e popullsisë i kanë kaluar këto së paku një herë në jetën e vet. Siç dihet, një melodi apo një vjershë që na përsëritet, thjesht na habit se pse nuk na hiqet nga mendja, apo le ta themi se edhe na bezdis, porse krejt ndryshe ndodh me mendimet obsesive katastrofizuese. Imagjinoni një nënë të re, fjala vjen, kur na vjen e tregon me lot në sy: “Më vjen një mendim sikur dua të mbys fëmijën e vogël, që e dua aq shumë”, ose “po sikur marr thikën e sulmoj njerëzit e çmuar të familjes?!”, etj. Imagjinoni një vajzë të re apo një djalë të ri, me moral të lartë, me shumë sedër e dinjitet, kur vjen e thotë “kam frikë se mos e mendoj babain si mashkull ose nënën si femër e sikur dua të bëj seks me të”. Vetëkuptohet që këtu, turpi, ankthi e depresioni e bëjnë “telef” atë që ankohet nga këto lloj mendimesh obsesive e që përpiqet t’i nxjerrë me forcë nga mendja e vet. Mirëpo ankthi, pjesë e të cilit janë edhe mendimet obsesive, ka një veti: Sa më shumë që ti ta sulmosh, aq më shumë të sulmon. Personi nuk e kupton se kjo nuk është diçka që i “erdhi” në mendje pasi mendimi obsesiv i cili ngjitet si “rodhe” është me të vërtetë i pavarur nga vullneti i njeriut. Aq shumë të frikshme dhe manipuluese janë mendimet obsesive sa klienti jo vetëm që ndihet fajtore pse e “lejoi” t’i vijë, por edhe i duket sikur e pranoi apo e “dëshiroi” këtë skandal që ia tha mendja dhe ai ka frikë se mos e humbet kontrollin dhe bën ndonjë hata. Ai nuk e di se është e kundërta, se mundësia për të ndodhur të tilla tmerre është zero, pasi ai është në luftë edhe me mendimin të cilin nuk ia pranon vetëdija e jo më të “detyrohet” ta bëjë atë që ai e ka shumë frikë edhe ta mendojë e jo më ta veprojë. Kjo është arsyeja pse këta klientë, kur u vjen në mendje ndonjë fantazi e frikshme apo e neveritshme, në vend që të qeshin me të e ta lënë të kalojë si mjegulla, në vend që ta fshijnë ashtu siç fshijmë pluhurat apo shkarkojmë WC, fillojnë të përqendrohen tek ato, fillon t’i vrasë ndërgjegjja e t’u bjerë edhe vetëvlerësimi, aq sa pyesin veten: “Deri në këtë derexhe paskam rënë?!”. Klientët nuk e kuptojnë se thjesht po mashtrohen, po manipulohen nga frika e cila bën që fantazia t’u duket si mendim dhe mendimi t’u “manipulohet” si ndonjë dëshirë prej të çmenduri apo humbje kontrolli me pasoja katastrofike. Imagjinoni një njeri i cili pranë një pike kar- buranti i “thotë” mendja: “Po sikur të ndez një shkrepëse, ta djeg, ta hedh gjithçka në erë?!”. Pastaj mund t’i duket sikur ka dëshirë ta bëjë këtë gjë dhe tmerrohet me katastrofat e asaj që imagjinon dhe me rrezikimin e vetes. A nuk ju duket qesharake që ai nuk “guxon” as t’u afrohet tani e tutje pikave të karburantit sepse e kap ankthi? Mos u trembni aspak nga ai dhe as mos e quani të sëmurë! Ai thjesht po tregon për një “zë” të huaj që i vjen atij në mënyrë të pavullnetshme dhe këtu nuk ka përse të ngatërrohet situata, as me frikën e ndodhive për të cilat siç thamë është zero mundësia që të ndodhë, as me ndonjë “zë” që i vjen nga jashtë, pra, një si “zë” i huaj të cilin ai po të na thoshte: “Po e dëgjoj vërtet”, do ta quanim të sëmurë psikik me haluçinacione dëgjimore, që do të thotë se dëgjon zëra edhe aty ku nuk ka, pra, jo thjesht i bëjnë veshët, por e “kërcënojnë”, e “urdhërojnë” etj.

Edhe për ju vajza 22 vjeçare, nuk ka asgjë të keqe pse fjalia ju plotësohet nga mendja juaj, deri edhe me përgjigje që ju mund të mos i pranoni. Njeriu nuk mund t’i kontrollojë mendimet e tij, njeriu kontrollon veprimet e tij. Këto gjëra ndodhin më shumë te njerëzit e ndjeshëm e me ndjenja të larta përgjegësie, sepse këta, siç thonë fetarët, i “ngacmon” më shumë “shejtani”, nga i cili nuk duhet të tremben e as t’i besojnë se asgjë nuk ndodh pa caktimin e Zotit. Imagjinoni një nënë të re, aq të dhembshur e aq të dashuruar me foshnjen e saj e cila nuk ka guximin që të vrasë edhe një zog apo të therë një pulë dhe ka frikë se mos vret fëmijën e saj vetëm e vetëm sepse ka dëgjuar ndonjë rast të tillë tepër të rrallë një në disa milionë, kur s’ka asgjë të përbashkët me ato e as me arsyet e tyre. Po të ishte se do të mendonim kështu, nuk do të guxonte asnjeri që të hipte në avion apo në makinë, madje nuk do të kishte as pilotë e as stjuardesa të cilët jo vetëm që guxojnë të fluturojnë në jetë, por dhe pikëllohen kur dalin në pension. Është interesante se edhe në librat fetarë thuhet se kur dikush i tha Profetit: “Unë nuk vete më te vëllai se më duket sikur ma thotë mendja se ty të pëlqen nusja e tij, e kjo më bën mëkatar e me turp”, Profeti i tha: “Kujdes, se shejtani do që të të largojë nga vëllai, ndaj shko si më parë, ktheji shpinën vesvesit dhe mos harro se ti nuk je mëkatar ose me turp as pse e shikove, as pse e pëlqeve e as pse ta “thotë” mendja. Mëkatar do të ishe po të bëje veprime”... Besoj se u kuptuam.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.