Zot, merr hak mbi mua e jo mbi fëmijët e mi!

Intervista - - RREFIME MEKATARESH -

- Shoqja foli në fillim kur sapo kishte filluar fjalimi, këtë pjesë dëgjova, pastaj nuk kam dëgjuar asgjë tjetër! - thashë.

- Epo, edhe unë për atë pjesë po them... - foli bashkëpunëtorja e sigurimit.

- Në emër të popullit, je e arrestuar! - i thanë gruas që kishte qenë pas nesh gjatë koncertit dhe e morën për krahu të dy burrat.

- Ejani, do t’ju përcjell për në shtëpi. - tha gruaja që na shoqëronte rrugës së kthimit nga shkolla dhe që na kishte marrë në koncert.

Nuk e di se si kam ecur deri në shtëpi, nuk kam mundur as të flas, as të mendoj, nuk mbaj mend të kem bërë ndonjë gjë deri ditën që na thirrën në gjyqin që iu bë gruas që arrestuan. Kur arritëm në shtëpi, babait tim sa nuk i ra të fikët kur pa gruan që na shoqëronte. Ai e kishte njohur më parë se ç’monstër ishte ajo, por fatkeqësia e tij dhe e jona bashkë ishte që nuk kish- in pyetur për emrat e grave që na flisnin.

- Vajzat tuaja bënë një punë shumë të mirë sot, i kanë shërbyer Partisë me devotshmëri dhe do të shpërblehen për këtë. Shpresoj që edhe ju të vini mend nga kjo. Natën e mirë edhe ju vajza. Do të takohemi së shpejti.

Do të ishte më mirë të kishim vdekur të dyja në atë moment sesa të detyroheshim të bënim atë çka bëmë unë dhe ime motër, por barra më e rëndë më ra mua sepse ime motër ishte më e vogël dhe quhej dëshmitare minorene, ndërsa unë që isha më e rritur, mund të quhesha dëshmitare e besueshme. Prindërit nuk dinin më çfarë të na thoshin, s’dinim të pranonim apo të kundërshtonim. Frika se mund t’i burgosnin të dy prindërit na detyroi që në gjyq të pranonim të gjitha çfarë u thanë nga hetuesi apo gjykatësi.

Kjo nuk ndodhi vetëm një herë. Na thërrisin në gjykatë sa herë do t’u duhej të dënonin apo internonin ndonjë person. Ky tmerr vazhdoi edhe për tre vjet, derisa më në fund, me mua u dashurua djali i një komunisti. Nga tmerri i asaj se çfarë po bëja, nuk guxoja t’i hidhja sytë në pasqyrë për të parë veten derisa një djalë në rrugë më tha se isha shumë e bukur dhe se donte të takonte prindërit e mi. I thashë të fliste me prindërit e mi direkt, thjesht për ta larguar, por ndodhi mrekullia. Në darkë erdhi në shtëpinë tonë bashkë me babain e tij dhe u tha prindërve të mi që kishte kohë që më ndiqte, që i kisha pëlqyer dhe që ishte dashuruar me mua. Edhe babai i tij tha që ishte dakord që ne të fejoheshim.

Babai im, qysh në fillim, i tha se ne kishim probleme me biografinë, por ai i tha se e dinte dhe se do të rregullonte gjithçka. Kështu, shumë shpejt, unë u fejova dhe u martova. Vjerri na ndihmoi jo vetëm që të mos na thërrisin mua dhe motrën për të dalë dëshmitare, por mua më ndihmoi të mbaroja shkollën e lartë me korrespondencë. Fillova punë zyre në një fermë, punë që ishte shumë komode për mua dhe me të vërtetë që askush nuk u gërric me mua. Ai me miqtë e tij arriti të zhdukte apo ndërronte emrat dhe firmat e mia e të sime motre që neve të mos na ekzistonte më emri në ato zyra. Jeta ime dhe e familjes së prindërve më pas rrodhi më e qetë. Nuk mund të them që ishim të barabartë me të tjerët, por ishte ndryshe.

Vjerri im ishte jo vetëm komunist i zoti, por ishte edhe njeri i respektuar, shumë autoritar, por jo i lig. I kam shërbyer në pleqëri me shumë dashamirësi, sepse me të vërtetë bëri një mrekulli që na nxori nga ajo rrugë.

Edhe pse sot i kam dokumentet e pastra ligjërisht, me vjen turp nga vetja për çka kam bërë, nuk gjej mënyrë t’u kërkoj falje katër personave që janë arrestuar me dëshmitë e rreme që dhashë unë e ime motër, nuk gjej prehje për shpirtin tim, edhe pse e kam bërë në një moshë shumë të re për të kuptuar. Shpresoj që Zoti të marrë hak mbi mua e jo mbi fëmijët e mi, për të këqijat që bëra në rini.

B

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.