Jam dënuar për shitje droge. Mund të pezullohet dënimi?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam një djalë i izoluar në Institutin e Ekzekutimeve te Vendimeve Penale në rrugën “Mine Peza”, në Tiranë. Me profesion jam berber, 30 vjeç, i martuar e me dy fëmijë. Pas lindjes së fëmijëve u ndodha në gjendje të keqe ekonomike; puna nuk po më ecte e kisha marrë para borxh për të hapur një berberhane, për të blerë pajisjet dhe për të paguar qiranë. Pronari i ambientit më mbajti pajisjet, duke më bllokuar derën, pasi kisha 3 muaj pa i paguar qiranë. Pas këtij momenti, u bëra shumë pesimist për jetën dhe fillova të pija hashash. Në fillim ma ofroi një shok për të hequr stresin dhe më vonë krijova varësi. U shkatërrova si njeri, u katandisa pa lekë dhe mora rrugë të keqe, duke shitur lëndë narkotike në doza shumë të vogla, për të blerë lëndë narkotike për vete. Nuk kisha as dy javë që e kisha nisur këtë punë, kur një shokun tim që i dhashë lëndë narkotike, e kishte kapur policia duke pirë. Ai tregoi se ia kisha tregtuar unë dhe u dha kontaktet e mia. Unë isha me një motoçikletë të vogël, polici më mori në telefon duke m’u prezantuar si mik i shokut tim, që kërkonte një cigare hashash. Takimin e lamë tek ishstacioni i fundit i Tiranës së Re. Në momentin që u prezantuam, ata më arrestuan duke më kapur 200 gramë lëndë narkotike të llojit kanabis. U ndjeva shumë keq nga kjo pabesi e shokut tim, të cilit ia dhashë cigaren pa pagesë. Në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, avokati kërkoi gjykim të shkurtuar në seancën e parë, ndërsa prokurori kërkoi 7 vite për veprën penale. Avokati e kundërshtoi, pasi unë e kisha bërë për të mbijetuar dhe kisha treguar pendim të thellë për veprën e kryer. Jam me dy fëmijë dhe në këto kushte, kërkoj dënimin me minimumin e kësaj dispozite, 5 vjet, në aplikim të dispozitës për gjykimin e shkurtuar, të dënohesha me 3.4 vjet dhe pjesa e mbetur të pezullohej me shërbim prove. Gjykata pranoi pjesërisht kërkesën e avokatit, duke vendosur 3.4 vjet, por nuk e pezulloi vendimin. Avokati e ka hedhur në Apel për të kërkuar pezullimin, ndërsa prokurori e ka apeluar pasi kërkon dënimin me 7 vjet. Sa mundësi kam për të marrë pezullimin në Gjykatën e Apelit? A ndikon ankimi që ka bërë prokurori i çështjes?

-

I nderuar zotëri! Më vjen shumë keq për problemin që po kaloni, por është për t’u vlerësuar fakti që ju keni treguar pendim të thellë për veprën e kryer. Avokati juaj ka vepruar shumë mirë, duke kërkuar gjykimin e shkurtuar, në mënyrë që çështja të zgjidhet në gjendjen që janë aktet, pasi ju jeni kapur në flagrancë dhe nuk keni patur mundësi të vazhdonit gjykim të zakonshëm, ku të thërrisni dëshmitarë, prova të reja dhe të kryeni veprime të tjera procedurale të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale. Kërkesa e avokatit për të kërkuar pezullimin e ekzekutimit të vendimit për pjesën e mbetur është e drejtë. Më lejoni të bëj një shpjegim juridik lidhur me pezullimin e vendimit për pjesën e mbetur:

Neni 59 i Kodit Penal përcakton se: “Për shkak të rrezikshmërisë së paktë të personit, moshës, kushteve shëndetësore apo mendore, mënyrës së jetesës dhe të nevojave, veçanërisht atyre që lidhen me familjen, shkollimin ose punën, rrethanave të kryerjes së veprës penale, si dhe të sjelljes pas kryerjes së veprës penale, gjykata, kur jep dënim me burg deri në pesë vjet, mund të urdhërojë që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të vihet në provë, duke pezulluar ekzekutimin e dënimit, me kusht që gjatë kohës së provës, të mos kryejë vepër tjetër penale”. Kjo formë alternative e vuajtjes së dënimit me burgim aplikohet nga gjykata kur plotësohen në mënyrë kumulative dy kushte:

Së pari: Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gjykata çmon se i pandehuri duhet të dënohet jo më shumë se 5 vjet burgim, kusht, i cili në rastin konkret plotësohet, bazuar në Nenin 283/1 të Kodit Penal. Duke aplikuar edhe Nenin 406/1 të Kodit të Procedurës Penale është dhënë dënimi përfundimtar me 3 vjet e 4 muaj burgim.

Së dyti: Sipas formulimit të nenit 59 të Kodit Penal rezulton se rrethanat e posaçme përfshijnë tre drejtime kryesore: 1. detyrimin e të dënuarit ndaj punës, arsimit, kualifikimit ose aftësimit profesional; 2. përgjegjësitë thelbësore familjare të të dënuarit; 3. nevojën e të dënuarit për trajtim apo rehabilitim mjekësor. Për të aplikuar në mënyrë sa më të drejtë nenin 59 të Kodit Penal, Gjykata e Apelit ka për detyrë të identifikojë rrethanën e posaçme që ekziston në jetën e përditshme të të pandehurit. Sipas standardeve ndërkombëtare përdorimi i burgimit si formë dënimi, duhet kufizuar rreptësisht, kur mund të zbatohen masa të tjera të përshtatshme.

Sipas Këshillit të Evropës, burgimi duhet të zbatohet si masë vetëm “kur çdo masë apo sanksion tjetër do të ishin të papërshtatshme për rëndësinë e veprës” dhe duhet të minimizohet përdorimi i masave që e privojnë personin nga liria. Gjykata e Apelit Tiranë, duhet të dalë në përfundimin se rrethanat e kryerjes së veprës penale për të cilën jeni deklaruar fajtor dhe dënuar, tregojnë për shkallë rrezikshmërie të vogël të vetë atij, ashtu edhe të kësaj vepre. Është e drejta e gjykatës, që rast pas rasti, të aplikojë nenin 59 të Kodit Penal; gjykata është e detyruar të respektojë kriteret e përcaktuara në këtë nen. Ndaj, i nderuar zotëri, ju i keni të gjitha mundësitë për ta përfituar pezullimin e vendimit në Gjykatën e Apelit, ankimi i prokurorit nuk ndikon në vendimin e gjykatës. Shpresoj që ky shpjegim, t’ju ketë qetësuar!

Valbona Vukulaj

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.