Sa është falja e kamatëvonesave për fermerët?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam D. Hoxha, emigrant në Parma të Italisë, i datëlindjes 5.7.1954. Kam punuar në Ndërmarrjen Bujqësore “Perlat Rexhepi”, deri në vitin 1990. Deri në vitin 2011, kam punuar në bujqësi në tokën time, por pa u siguruar, mbasi të ardhurat ishin shumë të pakta. Në janar të vitit 2012, kam shkuar në emigracion. Kam dëgjuar se janë falur kamatëvonesat për fermerët. Dua të di, unë si emigrant, a mund të paguaj sigurimet shoqërore si bujk? Sa duhet të paguaj dhe kur e plotësoj moshën për pension? Si duhet të veproj për të paguar, mbasi unë jam larg dhe e kam të vështirë të kthehem?

- I nderuar letërshkrues, për të patur një përfytyrim të plote për shumat e pagesave në fshat në vite sqarojmë: Të vetëpunësuarve në bujqësi me detyrime të prapambetura, për periudhën që nga data e hyrjes në fuqi të ligjit nr.7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar dhe që janë debitorë për kontributet, u falen të gjithë kamatëvonesat dhe gjobat për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, me kusht që brenda datës 31 Dhjetor 2014, të deklarojnë dhe të paguajnë të gjitha detyrimet. Periudha për të cilën nuk janë paguar sigurimet shoqërore, nuk do të konsiderohet, për efekt të përftimit të së drejtës për pension sipas përcaktimeve të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Për të qartësuar këtë problem dhe për të përcaktuar sa më drejt personat që mund të sigurohen si të vetëpunësuar në bujqësi dhe për të shmangur çdo abuzim, në VKM nr.1114 date 30.07.2008, të ndryshuar, janë përcaktuar kriteret për t’u siguruar si i vetëpunesuar në bujqësi, si më poshtë:

- Të ketë mbushur moshën 16 vjeç, të ketë aktivitet bujqësor ose blegtoral, të ketë tokë në pronësi ose të marrë me qira apo të tjetërsuar në favor te tij, të ketë qendren e banimit në të njëjtin rreth ku ushtron aktivitetin bujqësor, të mos jetë i siguruar në skema të tjera të sigurimit shoqëror.

Dokumentet që duhet të paraqisni pranë inspektorit të të vetëpunësuarve, që është i pranishëm në çdo komunë, do të jenë: Vërtetim nga komuna që i interesuari ka tokë në pronësi, apo akte të tjera noteriale që vërtetojnë marrjen me qira apo tjetërsimin e tokës në favor të tij, vërtetim nga komuna që ka aktivitet bujqësor apo blegtoral dhe certifikatë personale të gjendjes civile.

- Për problemin që ju shtroni, në rast se i keni plotësuar këto kritere, deri në datën e largimit, mund të siguroheni si i vetëpunësuar në bujqësi, prej datës 1.10.1993 e deri më 31.12.2011. Pagesa do të bëhet sipas shumave vjetore që kanë rezultuar në vitet respektivë dhe konkretisht: 1. Tetor-Dhjetor 1993, shuma tremujore për t’u paguar: 405. 2. 1994, shuma vjetore për t’u paguar: 1,620. 3. 1995, shuma vjetore: 1,620. 4. 1996, shuma vjetore: 1,620. 5. 1997, shuma vjetore: 1,620. 6. 1998, shuma vjetore: 1,620. 7. 1999, shuma vjetore: 1,620. 8. 2000, shuma vjetore: 1,620. 9. 2001, shuma vjetore: 1,620. 10. 2002, shuma vjetore: 3,888. 11. 2003, shuma vjetore: 5,220. 12. 2004, shuma vjetore: 6,956. 13. 2005, shuma vjetore: 7,824. 14. 2006, shuma vjetore: 9,453. 15. 2007, shuma vjetore: 9,996. 16. 2008, shuma vjetore: 12,000. 17. 2009, shuma vjetore: 13,600. 18. 2010, shuma vjetore: 15,840. 19. 2011, shuma vjetore: 19,440.

Pra, ju do të siguroni 18 vite e tre muaj ( 1.10.1993 deri 31.12.2011), duke paguar gjithsej 117,582 lekë. Duhet patur parasysh se sigurimi i të vetëpunësuave në bujqësi, si përfitim, llogaritet si pension qyteti. Ju do t’i plotësoni kushtet për pension në vitin 2019, kur të plotësoni moshën 65 vjeç. Në rast se nuk keni mundësi për t’u kthyer për të bërë sigurimin shoqëror, mund të autorizoni ndonjë të afërmin tuaj, për të bërë procedurën. Ju ose personi i autorizuar nga ju, fillimisht do të merrni takim me inspektorin e sigurimeve shoqërore të komunës, të cilit do t’i paraqitni dokumentet e sipërpërmendura. Inspektori do të bëjë përllogaritjen e shumës që duhet paguar, do t’ju pajisë me urdhër veprimin ku shënohen vitet e siguruara dhe shuma që duhet paguar. Me këtë dokument do të paraqiteni në degën e bankës ose postës që keni më afër dhe do të kryeni pagesën. Mbas kryerjes së pagesës, do të konsideroheni i siguruar për vitet përkatëse. Duhet të bëni kujdes, këto veprime duhen kryer brenda 31.12.2014, datë kur skadon veprimi i ligjit. Ndryshe, duhet të paguani së bashku me kamatëvonesat dhe gjobat përkatëse.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.