Si të arrij formën e duhur pas lindjes?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Përshëndetje! Kam tre vjet që kam lindur dhe më ka mbetur pak bark. Çfarë mund të bëj për të arritur formën e duhur?

Mario instruktor: - E nderuar zonjë! Sipas letrës suaj, ju keni kohë që e keni kaluar edhe periudhën e lehonisë pas lindjes, kështu që jeni gati të filloni të merreni me fizikun tuaj. Mënyra më e mirë për të humbur peshë pas një lindjeje, është të regjistroheni në një palestër. Nëse nuk keni mundësi, ushtrohuni vetë në shtëpi ose në kushte natyrore, pra, jashtë. Ushtrimet më të mira, sidomos për heqjen e barkut, janë ushtrimet kardio, te të cilat hyjnë vrapi, çiklizmi dhe noti. Po kështu, mbani edhe një regjim ushqimor, domethënë, bëni përzgjedhjen e ushqimit dhe hani shpesh e nga pak.

- Nëse filloni palestrën, mundohuni të gjeni një orar të përshtatshëm për ju, por edhe për fizikun tuaj. Orari më i mirë do të ishte nga ora 16.00 ose në mëngjes herët. Filloni me pak streçing, pra, tërheqje muskulare, duke imituar shtriqjet e maces kur zgjohet nga gjumi. Kjo, në mënyrë që të përgatisni muskujt për ushtrime. Më pas, filloni me 12 minuta biçikletë, bëni 4 minuta pushim dhe bëni edhe 12 minuta të tjera me stepin. Bëni përsëri 4 minuta pushim dhe vazhdoni te pista e vrapimit me 12 minuta ose 15 minuta ecje të lehtë, ose vrap, duke e rritur gradualisht nivelin e shpejtësisë. Në fund, bëni përsëri streçing. Kjo, ditën e parë. Në ditët në vazhdim, filloni ta rrisni minutazhin e tri veglave që thashë më sipër, bëjini të treja me nga 15 minuta secilën. Të paktën dy javët e para, bëni vetëm ushtrime kardio, nga 12 gjer në 20 minuta për secilën vegël. Më pas, kur ta shikoni që keni më shumë energji, rriteni të paktën gjer në 30 minuta, sidomos pistën ose biçikletën. Pas tre javësh, vazhdoni t’i alternoni ushtrimet kardio me ushtrimet e forcës, siç janë ngritja e peshave, kuptohet, me peshë të vogël gjer në 2 kilogramë, jo më shumë. Një ditë bëni ushtrime për këmbët, një ditë tjetër për krahët dhe çdo ditë që shkoni, bëni ushtrimet e barkut, që janë të domosdoshme. Do të ishte mirë të konsultoheni me instruktorin që t’ju japë një program të veçantë për ushtrimet sepse ndoshta ju e keni për herë të parë dhe nuk dini si t’i bëni. Do të shikoni rezultate shumë pozitive në fizikun dhe shëndetin tuaj, nëse e vazhdoni palestrën rregullisht, të paktën 3 herë në javë 90 minuta, por varet edhe nga koha juaj. Edhe nëse rrini më pak, s’ka problem, rëndësi ka të shkoni në palestër. Vetëm kini parasysh të shkoni në një palestër që ka instruktor sepse do të punoni më mirë dhe do të arrini rezultate më pozitive nëse ju ndjek dhe ju sugjeron ai.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.