Vëllai më bëri prostitutë

Intervista - - FAQE 1 - (Vijon numrin e ardhshëm)

E nderuar redaksi e gazetës “Intervista”! Së pari, dua t’ju falënderoj për mundësinë që na jepni të shkruajmë historitë tona edhe neve që jetojmë jashtë Shqipërisë, sado që shumica janë të shkruara me dhimbje e probleme. Por, kjo është jeta e përditshme, jo vetëm e shqiptarëve.

Të vjetrit thonë një shprehje popullore: “Kodrës në krye kurrë mos i dalsh. Se ku do shkosh pastaj? Do biesh pingul në fund”. Unë asnjëherë nuk arrita t’i dal kodrës në krye, por nuk arrita as ta filloja sadopak ngjitjen. Jeta ime filloi shumë e trishtë. Kam lindur në një fshat të thellë në Jugun e Shqipërisë. Prindërit e mi, megjithëse kanë punuar shumë, sërish mbetën të varfër sepse rrogat në ferma ishin për t’u tallur. Por nuk mjaftoi vetëm kjo. Prindërit e mi, për aq kohë sa kanë jetuar bashkë me njëri-tjetrin, e mbaj mend të kenë patur marrëdhënien normale të një çifti. Megjithëse kemi patur probleme ekonomike si gjithë pjesa tjetër e bashkëfshatarëve tanë, ata e kanë dashur njëri-tjetrin. Ata janë martuar me mblesëri dhe asnjëri nuk kishin shkollë. Edhe ne dy fëmijët, kemi qenë të urtë, por as nuk patëm ndonjë dëshirë të madhe për shkollë dhe as ndonjë shtytje apo stimulim nga prindërit. Por nuk u vë faj për këtë. Ata kanë bërë maksimumin për ne, me aq sa kanë ditur. Kur motra ime ishte 5 vjeçe dhe unë 3 vjeçe, babai u sëmur rëndë. Vuajti shumë spitaleve, lart e poshtë, po nuk gjeti derman. Vdiq kur unë isha pesë vjeçe dhe motra ime, shtatë. Por, siç e ka zakoni ynë, për fëmijët kujdesen prindërit e mamasë dhe ne të dyja vajzat, më shumë na kanë mbajtur gjyshërit. Mamaja ime, pas tre vitesh zie për vdekjen e babait, u martua me një burrë që kishte patur të njëjtën fatkeqësi si mamaja ime; i kishte vdekur e shoqja dhe i kishte lënë një djalë e një vajzë. Të dy fëmijët e burrit të mamasë ishin më të mëdhenj se ne. Gjyshja këmbënguli akoma më shumë që unë e motra të rrinim te dajat sepse djali i burrit të mamasë ishte 15 vjeç. Mamaja jonë u kujdes shumë për ata fëmijë dhe në fakt, edhe ata e respektuan. Ndoshta ishte edhe nevoja që ata të kishin dikë që t’u gatuante, t’i lante e t’i pastronte. Pas tre vitesh që mamaja ime jetonte me burrin e saj të dytë dhe me fëmijët e saj, ajo mendoi se i njohu dhe këmbënguli te gjyshërit që të na merrte me vete.

- Jam mama e më djeg xhani për vajzat e mia. Pak i ka lënë fati pa baba, po të rriten edhe pa mama?! - i thoshte gjyshes sa herë që vinte të na takonte.Edhe burri i mamasë ishte dakord që ne të jetonim me ta. Me sa duket, mamaja i qahej vazhdimisht se e merrte malli për ne. Pastaj, ai, duke qenë prind vetë, e pranoi që edhe ne të shkonim në shtëpinë e tij. Mua dhe motrës filloi të na buzëqeshte fytyra sepse mund t’i rrinim mamasë afër, mund të ndjenim përkëdheljet e saj çdo mbrëmje, mund të dëgjonim zërin e saj në mëngjes kur të zgjoheshim. Kuptohet, si çdo fëmijë që gëzon për nënën e tij, edhe ne, jo vetëm u gëzuam, por u bëmë edhe më të urta nga ç’ishim, meqenëse gjyshja na kish porositur që ne nuk ishim në shtëpinë tonë.Jeta jonë rrodhi e qetë, mbaruam shkollën e mes- me motra e para dhe unë mbrapa, ndërkohë që djali i burrit të mamasë vazhdoi shkollën e lartë, ndërsa vajza e tij, u martua. Në shtëpi mbetëm motra dhe unë. Edhe motra ime u njoh në shkollë me një djalë nga fshati afër dhe u martua. Pas jetesës në shtëpi me burrin e mamasë e me fëmijët e tij dhe për të qenë e sinqertë, me një marrëdhënie krejt normale, megjithëse ne ishim krejt të huaja aty, filloi të na dukej ai si babai që na mungonte e djali e vajza e tij, sikur t’i kishim vëlla e motër.

Mezi e prisja stinën e verës jo se do të shkoja në plazh sepse ne nuk kishim mundësi ekonomike, por se në shtëpi vinte vëllai dhe ai ishte natyrë shumë e këndshme. Luanim si të ishim fëmijë. I shërbeja pa përtesë, gatuaja ato pak gjëra që kishim dhe i ndaja gjithmonë racionin më të madh. Ishim të lumtur. Një ditë, ai tha se do të shkonte në qytet të takonte një shok dhe do të vonohej.

- Hani drekë ju, mos më prisni mua, - na tha mua e mamasë. Puthi mamanë në ballë, u përshëndet me të atin dhe iku.

Sytë e të atit shndritën nga sjellja e të birit. Sigurisht, edhe mamaja ime ishte e lumtur që fëmijët e burrit nuk e shihnin si njerkë. Kur vëllai u kthye në shtëpi, ishte vonë dhe ai erdhi me një shok.

- Kam sjellë një shok, megjithëse nuk të kam lajmëruar që të na gatuash ndonjë gjë, - i tha ai mamasë sime.

- Mirë se të vini more bir, pa për mikun, e zonja e shtëpisë gjen gjithmonë diçka.

Meqenëse ishte verë, arritëm të sajonim diçka të këndshme për darkë. Ata u kënaqën me muhabet. Edhe burri i mamasë dukej sikur po përshtatej me muhabetet e të rinjve. Unë dhe mamaja, më shumë ndenjëm në kuzhinë. Pas darke, edhe ne u bashkuam me ta e bisedat rrodhën më se normalisht.

Të nesërmen, vëllai e përcolli shokun deri në dalje të fshatit dhe u kthye në shtëpi. Ishte krejt i qetë dhe filloi lojërat, si gjithmonë. Për disa ditë rresht, shkoi pothuajse çdo ditë në qytet. Thoshte se takonte shokë të ndryshëm. Një natë, në darkë, ndërsa hanim bukë, na tha se kishte diçka për të na thënë.

- Pa të të dëgjojmë... ti duhet të flasësh edhe bukur se je me shkollë. - i tha i ati me të qeshur.

- Ajo që dua të them është se dua të filloj punë në Tiranë që tani se e shikoj se ne jemi ngushtë dhe ju mezi e përballoni shkollën time. E di që mbeteni vetëm pastaj, po unë do të përpiqem t’ju ndihmoj.

- Po këtë duhet ta kishe bërë më parë more bir, - i tha i ati. – Unë mendova se ç’do na thuash.

- Kisha frikë se nuk do pranoje që të largohesha edhe në verë, - tha ai dhe uli kokën.

Me kaq u mbyll biseda e tij e rëndësishme, por kjo “diçkaja e rëndësishme” që tha në darkë, ishte mbyllur vetëm për mamanë e për babain tim. Për mua do të fillonte të nesërmen jo vetëm biseda e rëndësishme, por edhe tmerri i jetës sime. Pasi mamaja ime doli për në ara, unë mbarova punët e mëngjësit e ndërkohë, u zgjua edhe vëllai, ose më saktë, personi që e kisha dashur e trajtuar si vëlla.

- Dua të të them diçka, por s’di se si... - më tha. – Në fakt, desha ta thosha mbrëmë kur nisa të flisja me babanë e mamanë, por më erdhi turp ...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.