Vdes Hurixhihani, Hyrremi mbron Nurbanunë

Intervista - - TELENOVELA -

Hyrremi dhe Mihrimaja futen në festën e organizuar për synetin e Muratit. Nurbanuja, e trembur, rregullon rrobat e saj dhe futet në harem. Hurixhihani, që vazhdon të jetë e shtrirë, nis të lëvizë gishtat. Xhanfeda pyet Nurbanunë se ç’gjë të rëndësishme kishte për t’iu thënë Gazanferi, por ajo e shmang. Hurixhihani, e çorientuar dhe me dhimbje të mëdha, futet në harem. Hyrremi trembet kur i shikon gjakun dhe kthehet nga Nurbanuja. Sulejmani u thotë djemve të tij se duhet të kthehen në sanxhakë dhe Rustemi tregon se është rregulluar tashmë çështja e taksave të Egjiptit dhe çështja e Mahidevranit. Kur mëson se Mahidevrani do të mbetet pa asnjë të ardhur nga thesari, Bejazidi kundërshton duke thënë se ndoshta Mahidevrani nuk iu ka çuar para rebelëve, por ky ka qenë një mashtrim i atyre që mashtruan edhe për të, por Sulejmani nuk e kthen vendimin e tij. Dikush vjen dhe i lajmëron se Hurixhihani është shumë keq dhe është në duart e mjekëve. Bejazidi shkon me vrap drejt saj dhe pyet të ëmën se çfarë ka ndodhur. Ajo i thotë se nuk e di, por që Hurixhihani është në gjendje të rëndë. Bejazidi pyet mjekët të cilët i thonë se tani është në duart e Zotit nëse ajo do të shpëtojë apo jo, sepse është vrarë keq dhe ky nuk është një aksident. Hyrremi vë re se Nurbanuja është shumë nervoze dhe e pyet se çfarë ka. Ajo i thotë se është e shqetësuar për Hurixhihanin.

Nurbanuja vrapon për në dhomën e saj dhe Xhanfeda e ndjek duke i kërkuar t’i tregojë çfarë ka ndodhur, pasi ajo mund ta ndihmojë. Nurbanuja i tregon gjithçka. Një shërbëtore informon se ka ardhur Selimi. Nurbanuja përpiqet të fshijë lotët dhe në atë moment shikon se i mungon njëri nga vathët dhe heq edhe tjetrin. Selimi i thotë se dikush është përpjekur të vrasë Hurixhihanin dhe Nubanuja i thotë se duhet të shkojnë të ngushëllojnë Bejazidin dhe Sulltanin.

Hyrremi është me Mihrimanë kur vjen Fatma dhe e akuzon se e ka vrarë ajo Hurixhihanin. Fahrija u kërkon të gjithëve të pyesin këdo, pasi me siguri dikush ka dëgjuar apo ka parë diçka. Vjen një aga që thotë se e ka gjetur skenën e incidentit. Ai tregon vendin ku ka gjetur gjak. Zymbyli këshillon që të njoftojnë menjëherë Bejazidin. Nurbanuja del nga dhoma dhe i thotë Xhanfedës se i ka humbur një vath dhe se ajo duhet të shkojë ta gjejë patjetër. Ndërkohë, Bejazidi ka arritur në vendin ku është rrëzuar e shoqja. Fahrija shikon Xhanfedën që vjen dhe i kërkon të mos sillet vërdallë se do të futet në telashe. Bejazidi e urdhëron Fahrijen të gjejë çdo person që ka kaluar aty brenda asaj dite dhe ndërkohë, gjen vathin. Xhanfeda e shikon nga cepi ku është fshehur dhe shkon t’i tre- gojë Nurbanusë.

Hurixhihani është ende e pandërgjegjshme dhe në dhomë janë Sulejmani, Selimi e Hyrremi, kur vjen Bejazidi dhe u tregon vathin që ka gjetur. Sulltani urdhëron që të gjejnë se kush e ka këtë vath dhe ta sjellin para tij këdo që ka guxuar t’i bëjë keq mbesës së tij.

Lajmëtari shkon t’i transmetojë Mahidevranit vendimin e Sulltanit dhe i thotë se Sulltani ka dhënë urdhër që Nergishahu, vajza e Mustafait, të martohet me një bej në Ankara, ndaj duhet të shkojë atje. Nergishahu i lutet gjyshes të mos e lërë ta marrin...

Fahrija shkon të kërkojë në dhomën e Nurbanusë, e cila i thotë se është e kotë të kërkojë aty, pasi Hurixhihanin mund ta ketë dëmtuar Hyrremi, e cila është armikja e saj e vërtetë. Kur njerëzit dalin, ajo i thotë Xhanfedës se vathin tjetër e ka hedhur diku në dhomën e Selimit dhe se duhet ta gjejnë e ta zhdukin menjëherë. Xhanfeda i thotë se askush nuk ka për të guxuar të kontrollojë në dhomën e Selimit.

Bejazidi hedh dyshime mbi të ëmën, por ajo i thotë se ka premtuar se do të mbronte atë dhe njerëzit që ai do, ndaj kurrë nuk do të bënte një gjë të tillë me gruan e tij. Selimi e pyet Nurbanunë nëse ka të bëjë me këtë çëështje dhe ajo e mohon, por ai arrin të shohë shenjat në kurrizin e saj nëpërmjet pasqyrës dhe i zemëruar, e pyet se çfarë ka bërë kështu... Selimi e pyet se çfarë ka ndodhur dhe ajo i thotë se Hurixhihani e ka sulmuar dhe ai do ta dijë se pse. Ajo i thotë se Hurixhihani u bë xheloze sepse nuk mundi t’i jepte Bejazidit një fëmijë dhe se nëse nuk do të ishte mbrojtur, në vendin e Hurixhihanit, tani do të ishte ajo. Selimi, i zemëruar, e përzë nga dhoma. Bejazidi qëndron pranë Hurixhihanit dhe e pyet se kush ia ka bërë këtë. Ajo nis të marrë frymë me vështirësi dhe vdes.

Hyrremi kërkon që t’i sjellin Nurbanunë dhe xhanfedën. Ajo i tregon Nurbanusë se njëri vath është gjetur në vendin ku u plagos Hurixhihani dhe tjetri, në dhomën e Selimit. Nurbanuja i lutet ta mbrojë, për hatër të fëmijëve të saj dhe te Selimit. Hyrremi thotë se si ajo, si Xhanfeda, janë tashmë të dënuara me vdekje dhe e urdhëron Zymbylin t’i çojë në burg. Nurbanuja i thotë se nëse është kështu, atëhere ajo do t’u tregojë të gjithëve letrat që ajo i shkroi ku e urdhëronte të vriste Nazeninën dhe se, edhe këtë herë, ajo do të thotë se e mori urdhërin nga Hyrremi, pasi ajo e kishte urryer gjithmonë Hurixhihanin. Në atë moment vjen Fahrija që lajmëron se Hurixhihani ka vdekur. Hyrremi e urdhëron Nurbanunë të futet në dhomën e saj dhe të mos dalë pa i dhënë urdhër ajo. Nurbanuja ikën e çliruar.

Fahrija akuzon Ranën, nënën e fëmijëve të Bejazidit, se e ka gjetur vathin tjetër në dhomën e saj dhe se ka qenë ajo që e ka vrarë Hurixhihanin. Rojet e marrin dhe e burgosin, ndërkohë që Hyrremi i shikon nga lart. Zymbyli njofton Sulltanin, Selimin e Bejazidin se vrasësja e Hurixhihanit është Rana, e cila gjendet e vdekur në dhomën e saj. Xhanfeda i thotë Nurbanusë se tashmë kanë shpëtuar, por ajo i përgjigjet se Hyrremi nuk harron dhe të njëjtin fund ka për të patur edhe ajo.

Nergishahu i lutet Mahidevranit të mos e largojë, por kjo e fundit mendon se ndoshta është më mirë për të të nisë një jetë të re, të martohet e të lindë fëmijë, njërin prej të cilëve mund ta quajë Mustafa. Atmaca vjen, por Jusufi e përzë, i zemëruar që ai paska qenë gjallë dhe nuk është bërë i gjallë deri në atë kohë. Atmaca i tregon Mahidevranit se po përmbush amanetin e Mustafait për t’i qëndruar prapë Bejazidit dhe se ky i fundit ka sjellë si dhuratë para për ta. Mahidevrani nuk i pranon. Hyrremi, bashkë me Rustemin e Mihrimanë, vendosin të çojnë në sanxhakun e Selimit edhe Fahrijen dhe shokun e Bejazidit, për të kontrolluar veprimet e mëtejshme të Selimit.

Një vajzë e quajtur Defne, caktohet për të qëndruar pranë Bejazidit. Ajo është shumë e kënaqur me këtë, por Bejazidi, për momentin, nuk pranon askënd pranë tij.

Në pallatin e Nurbanusë, Dilshahu, ish-e favorizuara e Selimit, vazhdon armiqësinë me Nurbanunë, por tashmë, Dilshahu ka në krahun e saj Fahrijen, e cila përpiqet ta afrojë në dhomën e Selimit dhe i thotë asaj se, ylli i Nurbanusë tashmë po shuhet dhe se, nëse është e zonja, vendin e Nurbanusë mund ta zërë ajo.

Sulejmani, i maskuar, futet në qytet dhe ulet në kafene për të mësuar se çfarë thonë njerëzit. Aty dëgjon të flitet edhe një herë tjetër kundër Hyrremit, duke e akuzuar atë si shkaktare të vrasjes së Mustafait. Sulejmani hidhërohet kur kujton të birin dhe nipin e tij.

Dafnes i kujtohet kur është takuar me Nurbanunë, e cila e ka caktuar atë që t’i afrrohet Bejazidit dhe t’u bindet urdhërave të saj, përndryshe, do ta pësojë motra e saj. Dafnes i kujtohet e motra e vogël, e cila është në duart e Nurbanusë.

Xhanfeda është e shqetësuar për të ardhmen e tyre tani që Fahrija është futur në pallat, por Nurbanuja e qetëson duke i thënë se nuk ka për të ndodhur asgjë e keqe. Fahrija i kërkon Xhanfedës ta ndjekë pasi së bashku do të shkojnë të merren me disa çështje financiare.

Nurbanuja është në vaskë dhe që aty, pyet Xhanfedën se çfarë donte Fahrija. Ajo thotë se çfarëdo që të bëjë Hyrremi, është e kotë, pasi ai është pallati i saj, por kur kthen kokën, nuk shikon pranë saj Xhanfedën, por Dilshahun, e cila ia zhyt kokën në ujë...

Sulejmani kërkon Hyrremin, e cila vjen e lumtur pranë tij. Sulejmani e pyet nëse e kupton se për çfarë e ka thirrur. Ai i thotë se do t’i bëjë asaj një pyetje që ka vite që e shqetëson.

Sulejmani e pyet nëse ajo ka gisht në vdekjen e Mustafait, nëse ka shpifur për të...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.