VEPRIMI QË MË RRËNOI TË ARDHMEN

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Jam një vajzë nga Tirana. Ashtu si shoqet e mia, dëshira ime ishte që të vazhdoja shkollën e lartë dhe ëndërr kam patur gjithmonë të bëhesha një gazetare e zonja. Shkollën e lartë e fitova me shumë sakrifica dhe një ndihmesë të madhe më dhanë prindërit e mi, duke më qëndruar në kokë për çdo problem që kisha. Përveç kësaj, ata janë kujdesur gjithmonë që unë të mësoj gjuhë të huaja. Me ato pak të ardhura që babi im merrte, ata mundoheshin që mua të mos më mungonte asnjë gjë. Sakrifica e prindërve të mi ishte në njëfarë mënyre një lloj detyrimi për mua që të mësoja dhe të bëhesha dikushi në jetë. Për të mos u zgjatur më shumë me të tilla detaje, po ju tregoj se në fund të shkollës, dhashë provimet e maturës dhe si përfundim, e fitova shkollën aty ku unë dëshiroja. Nuk më besohej, isha vërtet shumë e lumtur. Dega e gazetarisë është vërtet një degë e bukur, po edhe shumë e lodhshme, pasi në atë shkollë, mësohet pothuajse për çdo gjë, politikën, ekonominë, psikologjinë, filozofinë e shumë e shumë gjëra të tjera që nuk po i përmend. Në njëfarë mënyre, njeriu, në shkollën e gazetarisë, kupton se sa i aftë është për t’u bërë ballë sfidave me të cilat ndeshemi në jetë. Kur fillova shkollën, mendova me vete: “A do ta përfundoj dot këtë degë?”. Megjithatë, njeriu, kur ka ambicie, arrin t’i sfidojë vështirësitë. Në vitin e parë, unë dola me rezultate shumë të mira në mësime, sepse lexoja dhe punoja shumë. Leksionet i ndiqja në mënyrë të vazhdueshme pa marrë asnjë mungesë dhe si të thuash, kisha mbetur akoma ajo gjimnaziste e dalluar që doja të rrija në tav- olinën e parë, për të dëgjuar çdo fjalë që nxirrte pedagogu nga goja. Isha shembull për gjithë studentët e grupit tim; ata që nuk ishin të rregullt në shkollë, gjithmonë më kërkonin detyrat dhe leksionet. Vitet kaluan dhe unë erdha në fund të vitit të tretë. Këto tre vjet ishin vite shumë të vështira për mua, kisha qeshur, kisha qarë për ndonjë provim ku kisha mbetur dhe kisha luftuar për të marrë më të mirën nga kjo lloj shkolle. Ndryshe ndodhte me shoqërinë time... Kishte edhe nga ata që kishin filluar punën që në vitin e parë dhe i përkushtoheshin më shumë punës sesa mësimeve.

Diku aty nga gjysma e vitit të tretë, kompanitë e ndryshme telefonike filluar të ofronin ndaj klientëve te tyre minuta falas dhe kjo ishte një fitore e madhe për të gjithë ata studentë që ishin mjeshtër të kopjes. Shumë shoqe të miat kishin arritur që jo vetëm të kalonin në provim, por edhe të merrnin nota shumë të mira, madje kishin arritur deri aty sa na tallnin ne, studentëeve që ishim të rregullt në studimet tona. “Lodhni trutë kot ju”, kjo ishte shprehja e tyre. Në fakt, ata kishin të drejtë, sepse ata punonin gjithë ditën dhe në provime merrnin nota më të mira se ne, falë kufjeve dhe telefonit me ofertë, që e përdornin për të kopjuar. Mua nuk më kishte shkuar në mendje një gjë të tillë, e dija që nuk isha e zonja për të tilla gjëra, prandaj mblodha forcat dhe vetëm studioja. Puna këmbëngulëse në mësime, më dha shumë rezultate, kështu që në korrik të vitit të tretë e gjeta veten tek ata pak studentë që do ta vinin kapelën e diplomimit pikërisht në kohën e duhur. Nga 100 studentë që kishte grupi im, do të diplomoheshim vetëm 12 e një ndër ta, isha edhe unë. Kjo gjë më bënte shumë krenare. Tema që zgjodha për temën e diplomës kishte të bënte me median dhe politikën, se si lidhen dhe sa të varura janë ato nga njëra-tjetra. Punova shumë për këtë temë dhe vërtet realizova diçka shumë të bukur. Kjo u duk edhe nga vlerësimi që më bënë pedagogët, me notën maksimale. Nuk kishte lumturi më të madhe për mua dhe për prindërit e mi gjithashtu. Surpriza më e bukur ishte kur në ditën e diplomimit u vlerësova me një certifikatë si studente e dalluar. Kjo gjë më gëzoi akoma më shumë dhe më bënte që të ndjehesha krenare që mundi dhe djersa ime për të qenë e shkëlqyer në mësime, dha rezultatin e duhur. Fakti që unë dola e dalluar në mësime, më bëri akoma më ambicioze për jetën time, doja të vazhdoja masterin shkencor dhe ta përfundoja shkollën përsëri me rezultate shumë më të mira se në trevjeçar. Dëshira ime tashmë ishte të bëhesha pedagoge. Mundësitë i kisha për ta arritur këtë gjë dhe ia kisha vënë detyrë vetes për ta realizuar.

Me fillimin e masterit shkencor, kuptova se përgjegjësitë ishin akoma më të mëdha, shkolla nuk ishte edhe aq e lehtë sa e kisha menduar. Kishte shumë ngarkesa në mësime, në detyra, në punë praktike në terren dhe për t’i realizuar të gjitha këto, duhej shumë punë e shumë njohje. Për të mos e zgjatur më shumë duke ju treguar vështirësitë që m’u desh të kaloja derisa erdha në fundin e vit të dytë të masterit, po ju tregoj direkt atë që më ndodhi e që unë e quaj fatkeqësinë time, për të realizuar ëndrrën e shumëpritur.

Ndër lëndët e tjera, në master na u desh të bënim edhe historinë botërore dhe me thënë të drejtën, lëndën e historisë e kam pasur gjithmonë inat, që nga gjimnazi, sepse që aty nuk kemi pasur një mësuese të mirë, ose ndosha s’kam qenë unë e mirë në mbajtjen mend të datave historike. Edhe në trevjeçar bëra historinë e Shqipërisë dhe me të keq arrita të merrja shtatë, por në master kisha historinë botërore ku, vetëm presidentët e Amerikës nuk kishin të mbaruar e jo vendet e tjera dhe dy luftërat boterore, e shumë e shumë gjëra të tjera; duhet të ishe gjeni për t’i mësuar të gjitha këto. E dhashë provimin për herën e parë dhe nuk e mora dot, ashtu si dhe gjysma e klasës. Të fituar kishin dalë vetëm ata që kishin përdorur telefonin me kufje. Ata jo vetëm që e kishin marrë provimin, por edhe na mburreshin me notat e mira. Në fund të qershorit kisha dhe një shans të fundit për të marrë provimin. Mund ta merrja edhe në shtator, por egoja nuk më linte, doja ta merrja në kohën e duhur, atëhere kur të gjithë diplomohen dhe shijojnë frutet e suksesit të tyre. Provimin e historisë e kisha me shumë frikë e doja që ta merrja patjetër. Edhe pesën do ta pranoja, vetëm të futesha dhe të mbroja temën e diplomës. Një shoqja ime më këshilloi që të futesha në provim me kufje dhe aq keq e kisha parë veten nga frika se mos e humbisja përsëri provimin saqë pranova që edhe unë, një herë të vetme të provoja shijen e kopjes. Kisha hyrë në provim me kufjet në vesh, me flokët lëshuar dhe nuk kuptohesha fare. Kulmin, budallallëku që bëra e arriti në një moment kur unë teksa po i jepja pyetjet me zë shoqes, fola me zë të lartë. Pedagogu më kuptoi dhe u afrua drejt meje. Nuk isha ndjerë ndonjëherë më e turpëruar sesa aq në jetën time. Ai më kërkoi telefonin dhe kufjet. Unë menjëherë e çova telefonin te këngët, që të dukej sikur isha duke dëgjuar këngë, po nuk mbulohet dielli me shoshë, themi ne nga anët tona. Në momentin kur do t’i jepja telefonin pedagogut, padashje hoqa kufjet nga telefoni dhe muzika pushtoi gjithë auditorin. Klasa shpërtheu në të qeshura, kurse unë, e turpëruar, e fika telefonin dhe dëgjova fjalët e pedagogut: “Këtë provim nuk ke për të marrë kurrë!”...

Më mirë po e mbyll këtu historinë time që të mos ju tregoj ato që kam përjetuar mbas asaj dite. Me atë veprim të nxituar që bëra, zhgënjeva veten time dhe prindërit. Sot kanë kaluar dy vjet nga ajo ditë dhe unë as që e kam marrë mundimin të shkoj ta takoj atë pedagog dhe t’i kërkoj të falur. Kjo të gjen kur njeriu kërkon t’i ngjisë shkallët dy e nga dy, aq më tepër kur bën diçka që është jashtë natyrës së tij. Ndonjëherë ambicia e tepruar të çon edhe në shkatërrim të asaj që ke ndërtuar. Kështu ndodhi edhe me mua. Uroj të mos ju ndodhë edhe juve që po lexoni hisorinë time.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.