A bashkohen vitet e punës si bujk, me ato të kooperativës?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam E. Prifti, emigrant në Bari të Italisë, i datëlindjes 1955. Kam ardhur në Itali me bashkim familiar në vitin 2013. Kam punuar në kooperativë bujqësore prej vitit 1975 deri në vitin 1990. Mbas këtij viti kam punuar si bujk privat deri në fund të vitit 2011. Në janar 2012 hapa një biznes familjar, bufe. Kam dëgjuar se mund të paguajmë sigurimet për vitet që kemi punuar si bujk. Dua të sqarohem, a mund të paguaj që nga viti 1990 dhe sa duhet të paguaj? Po për bizneset e vogla, a janë falur kamatëvonesat, sepse nuk kam paguar kontribute për këtë biznes? A bashkohen këto vite me vitet e kooperativës dhe si do të më llogaritet pensioni?

- I nderuar zoti Prifti, sapo është bërë falja e ka- matëvonesave për kontributet e papaguara për të vetëpunësuarit në bujqësi dhe përderisa ju keni ushtruar aktivitet bujqësor, përfitoni nga kjo falje. Për ta patur më të qartë këtë problem dhe për të përcaktuar sa më drejt personat që mund të sigurohen si të vetëpunësuar në bujqësi dhe për të shmangur çdo paqartësi, në VKM nr.1114 datë 30.07.2008, të ndryshuar, janë përcaktuar kriteret për t’u siguruar si i vetëpunësuar në bujqësi, të cilat janë:

Personi duhet të ketë mbushur moshën 16 vjeç, të ketë aktivitet bujqësor dhe blegtoral, të ketë tokë në pronësi ose të marrë me qira apo të tjetërsuar në favor të tij, ta ketë qendrën e banimit në të njëjtin rreth ku ushtron aktivitetin bujqësor, të mos jetë i siguruar në skema të tjera të sigurimit shoqëror. Në rast se i keni plotësuar këto kritere, ju lind e drejta për t’u siguruar si i vetëpunësuar në bujqësi. Sipas deklarimit tuaj, ju keni punuar si i vetëpunësuar në bujqësi prej vitit 1990 deri më 31.12.2007. Theksojmë se për periudhën 1.1.1990, deri më 30.09.1993, nuk mund të siguroheni. Për sigurimin për këtë periudhë ka kaluar afati, mbasi duhej bërë deri më 31.12.1998. Ju mund të siguroni periudhat nga 01.10.1993, datë kur filloi funksionimi i ligjit 7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” e deri në datën kur keni patur aktivitet bujqësor, më 31.12.2011. Për këtë periudhë, do të siguroheni sipas masave kontributive vjetore, që kanë qenë në vitet respektivë dhe konkretisht, pagesa juaj do të jetë: 117,542 lekë ( 405+ 1620+ 1620+ 16 20+ 1620+ 1620+ 1620 +1620+1620+3888+ 5220+6956+7824+9453+99 96+12000+13600 +15840+19440).

- Shumat që rezultojnë në kllapa, janë masat e kontributeve vjetore sipas viteve, duke filluar nga tremujori i katërt i vitit 1993 e deri më 31.12.2011. Me këtë pagesë ju siguroni gjithësej 18 vite e 3 muaj. Përsa i përket pensionit që ju mund të përfitoni, bazuar në nenin 96 të ligjit nr.7703 datë 11.05.1993, të ndryshuar, thuhet se “Personat, që krahas periudhës së sigurimit në ish-kooperativat bujqësore, kanë edhe jo më pak se gjysmën e periudhës së sigurimit që kërkohet në vitin përkatës, sipas nenit 92 të këtij ligji, në marrëdhënie pune me shtetin, përfitojnë pension pleqërie sipas dispozitave të këtij ligji, ndërsa pension invaliditeti e pension familjar përfitojnë kur kanë jo më pak se gjysmën e periudhës së sigurimit që parashikojnë, respektivisht, nenet 35 e 40 të këtij ligji”. Në këto kushte, fermeri me 1/2 për qind të vjetërsisë së nevojshme, përfiton pension ashtu sikurse kontribuesit në qytet. Po kështu, fermerët që nuk e plotesojnë ½ e vjetërsisë në punë, si të vetëpunësuar në bujqësi (këtu përfshihet edhe vjetërsia në punë që mund të kenë në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe shërbimi ushtarak), përfitojnë një pension të ndërmjetëm, ku pensioni i lidhur si pension kooperative buujqësore, rritet me 1 % për çdo vit të siguruar si i vetëpunësuar në bujqësi. Duke bërë një përllogaritje për vjetërsinë kontributive që ju keni, rezulton: 15 vite i keni në kooperativë bujqësore, plus 18 vite e 3 muaj që keni mundësi t’i siguroni si i vetëpunësuar në bujqësi, shuma e vjetërsisë për ju do të jetë 33 vite e 3 muaj. Në rast se keni kryer shërbimin ushtarak, me të paktën 2 vite, plotësoni vjetërsinë e plotë për pension pleqërie. Mbështetur në ligjin e sipërcituar dhe duke qenë se keni mbi 1/2 vite kontribute sipas këtij ligji, do të përfitonit pension si në qytet. Periudha që ju keni punuar si i vetëpunësuar me aktivitet jobujqësor nuk amnistohet. Theksojmë se kusht ligjor për faljen e kamatëvonesave dhe gjobave për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të papaguara, është pagesa e tyre brenda datës 31.12.2014. Çdo pagesë mbas kësaj date, përveç shumës së kontributeve të papaguara, i nënshtrohet edhe pagesës së kamatëvonesave dhe gjobave, në vartësi të peiudhës që nuk është paguar.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.