Si ta holloj belin dhe të ul barkun?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam një vajzë që e lexoj vazhdimisht këtë rubrikë. Unë kam problem me belin, ose pjesën e barkut, më saktë. Tonifikohem dhe kam trup të rregullt në gjithë pjesën tjetër të trupit sepse ushtrohem vetë në natyrë, duke bërë ushtrime fitnesi, por barku më ngelet dhe kam një si fryrje. Për pasojë, edhe beli nuk më duket i bukur. Nuk më tretet ushqimi lehtë dhe kam tendencën të vë dhjamë rreth belit. Do të doja të kisha një bel të bukur, por nuk di si të veproj. Ju, çfarë më sugjeroni?

Mario, instruktor:

- E nderuar lexuese, faleminderit për përshëndetjen tuaj. Lidhur me pyetjen tuaj, këtë herë jam mbështetur më shumë te këshillat mjekësore, sepse ju thoni që merreni me fitnes, por përsëri keni probleme me tretjen dhe ju trashet pjesa e belit. Ju këshilloj të mos hiqni dorë për asnjë moment nga të ushtruarit. Synoni të bëni sa më shumë ushtrime kardio dhe ushtrime për barkun, të cilat besoj e dini se si bëhen. Ushtrimet ndihmojnë shumë në rënien e barkut. Ndërsa përsa i përket fryrjes, besoj se keni probleme me metabolizmin, keni tretje të ngadalshme dhe ushqimi, për pasojë, qëndron gjatë në zorrë, gjë që ndikon në rritjen e vëllimit të barkut dhe në trashjen e belit. Do t’ju sugjeroja të bënit një ushtrim që përshpejton tretjen e ushqimit dhe që e këshillojnë të gjithë mjekët.

- Gjysmë ore pasi të keni ngrënë vaktin, shtrihuni në shpinë, këmbët lakojini në gjunjë dhe ngadalë, goditeni barkun me majat e gishtave prej mesit drejt anës së majtë e më pas, anës së djathtë të barkut. Më pas, me shuplakë i bëni masazh tërë sipërfaqes së barkut. Nuk e di nëse keni parë nënat që masazhojnë barkun e bebeve. Këtë e bëjnë që bebeja të mos ketë dhimbje dhe t’i tretet ushqimi sa më shpejt. Bëjeni këtë disa minuta. Ky lloj ushtrimi do t’ju ndihmojë shumë që t’ju tretet ushqimi sa më shpejt. Një mënyrë tjetër për tretjen e ushqimit është të pini sa më shumë ujë. Në mëngjes, esëll, është mirë të pini dy gota ujë jo të ftohtë, por me temperaturë ambienti. Kjo është ideale si për të pastruar organizmin, ashtu edhe për të përshpejtuar tretjen. Në trashjen e belit ndikon negativisht edhe qëndrimi jo drejt i trupit. Si kur ecni, ashtu edhe kur uleni, mundohuni ta mbani sa më drejt trupin. Kjo ndihmon edhe që të mos keni deformime apo dhimbje në kurriz. Kur qëndrojmë drejt, në mënyrë automatike, ne e shtrëngojmë barkun. Veç kësaj, gjatë gjithë ditës, bëni tërheqje të barkut për disa sekonda, futeni nga brenda duke mbajtur frymën. Bëjeni këtë 3-5 herë në ditë. Ku është një ushtrim që nuk ju ha kohë dhe mund ta bëni në çdo lloj ambienti, pa ju vënë re askush. Në këtë mënyrë, barku do të fillojë të sheshohet vetvetiu dhe beli merr formë të bukur.

- Kur konsumoni ushqimin apo edhe fruta, përtypeni sa më mirë dhe ngadalë. Mos hani shpejt, sepse e ngrëna shpejt ndikon në formimin e dhjamit rreth belit dhe në bark. Gjithashtu, bisedoni sa më pak gjatë ngrënies. Nëse i gëlltisni shpejt kafshatat e nëse gjatë kësaj edhe bisedoni, në lukth arrin një sasi e madhe ajri, e cila shkakton fryrje. Kjo vlen dhe për ata që pinë cigare, kur janë duke ngrënë ndonjë drekë apo darkë. Shmangeni totalisht këtë gjë, sepse ndikon në fryrjen e barkut dhe pastaj mos thoni se pse e keni barkun të fryrë. Shpesh bëjmë gabime duke ia lënë fajin kohës, ushqimit etj. ndërkohë që e kemi vetë veten në dorë për të rregulluar fizikun tonë. Përdoreni sa më pak kripën, sepse është një mineral që shkakton fryrjen e indeve. Konsumoni drithëra, siç është tërshëra, buka nga drithërat e plota, orizi ngjyrë kafe dhe jo karbohidrate apo drithëra të përpunuara, që ndikojnë në vënien e shtresave dhjamore në zonën e barkut. Një mollë në ditë është e domosdoshme dhe duhet ta hani me gjithë lëkurë, sepse është pikërisht lëkura që ndihmon në përshpejtimin e metabolizmit. Do t’ju sugjeroja të provoni edhe çajin e përgatitur me limon dhe xhenxhefil, që përshpejton metabolizmin dhe i çliron zorrët nga mbetjet e mbledhura. Xhenxhefili kohët e fundit rekomandohet shumë në formën e çajit. Pijeni çdo ditë një gotë të tillë. Së fundmi, jua përsëris të bëni sa më shumë ushtrime kardio dhe fitnes barku.

Valbona VUKULAJ

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.