Agron Xhauri: Suksesi i bizneseve të mia

Intervista - - SPECIALE -

i është një model suksesi në bi znes, historia e të cilit fillon rreth 17 vjet më parë, kur emigroi nga Shqipëria. Që nga ajo kohë, për 37 vjeçarin Agron Xhauri, nuk ka pasur më kthim pas. I pyetur se cili është sekreti i suksesit të tij, ai thotë se formula e vetme e suksesshme, është guximi për ndryshim dhe përkushtimi në punë. Ai, prej 7 vjetësh drejton tri ambiente, lokale, restorante dhe muzikë-live, ku siç shprehet ai vetë, është munduar t’u ofrojë shqiptarëve në Londër, një “copë” Shqipërie. Ai është në punë e sipër për hapjen e një biznesi të katërt dhe neve nuk na mbetet gjë tjetër, përveçse t’i urojmë akoma më shumë suksese njeriut që ecën mbi suksese...

Fabjola Kuburi: - Përshëndetje Agron! A mund të bëni një prezantim për lexuesit e gazetës sonë?

Agron Xhauri: -

Përshëndetje! Unë jam Agron Xhauri, jetoj dhe punoj prej 17 vjetësh në Londër. Nga këto, 7 vite janë ato në të cilat kam krijuar dhe drejtoj bizneset e mia që janë restorante dhe në njëfarë mënyre, edhe ambiente relaksimi për njerëzit.

- Cilat janë vështirësitë me të cilat përballet një njeri kur nis një biznes të ri?

- Të nisësh një biznes edhe një sfidë më vete dhe që në atë moment, për mua, sfida kryesore ka qenë të gjeja se çfarë biznesi do bëja dhe si të arrija të gjeja, të afroja dhe të krijoja ambientin e duhur për klientelën, që biznesi të ishte i suksesshëm. Fatmirësisht, ia arrita!

- Ti je shembull konkret që me punën individuale mund të ecet shumë përpara. Si nisi historia jote?

- Të them të vërtetën, hyrja ime dhe fillimet e mia në këtë fushë të biznesit kanë qenë një rastësi. Kam nisur me një bilardo të vogël dhe pasi pashë që puna aty eci mirë, pas një viti arrita të blija një restorant ku punoja vetë gjatë gjithë kohës. Më pas mora nën drejtim edhe një diskotekë, që eci mirë gjithashtu, por kuptova që unë isha i prirur të merresha me restorante dhe u mora me to. Në fillim, u mora me një lokal, më pas mora restorant tjetër e kështu deri sot e kësaj dite, që kam tre bar-restorante të mitë.

- Kjo do të thotë që nuk ke humbur kohë për të nisur aktivitet më vete?

- Jua thashë edhe më sipër që as e kisha menduar; ka qenë një rastësi që rezultoi një sukses i vërtetë.

- Për ty, puna që bën, është më shumë çështje financiare apo shpërblim shpirtëror?

- Faktikisht, më pëlqen shumë si punë, si fushë me të cilën merrem gjithë kohës dhe nuk e shikoj si diçka të mërzitshme, por si diçka që më kënaq shpirtërisht , përveç komoditeteve financiare që krijon.

- Gjithsesi, jo çdo gjë ecën vaj, apo jo?

- Çdo biznes ka vështirësitë dhe sfidat e tij, por e rëndësishme është t’i kalosh dhe të ecësh përpara. Përkushtimi dhe puna janë dy gjëra të cilat bëjnë që një synim që ke ti, të arrihet.

- Zakonisht, vështirësitë janë të theksuara te një emigrant. Pas sa kohësh mendon që mes teje dhe një londinezi nuk ka pasur më dallim në punë?

- Përsa u përket këtyre lloj dallimeve, këtu në Londër nuk kam parë të ketë të tilla. Jemi të gjithë njësoj dhe kjo është diçka që mund ta vërtetojnë shumë shqiptarë që jetojnë në këto vende.

- Mendon që në fushën e biznesit shqiptarët kanë arritur të integrohen sot? Je i kënaqur me atë që ke arritur deri tani, flas, në përgjithësi?

- Po të shikosh me kujdes, do vëresh që shqiptarëve u ka ecur gjithçka mirë, sepse puna është ajo që të bën të ndihesh i barabartë dhe i suksesshëm. Madje, më vjen mirë që emri i shqiptarëve është përfaqesuar me dinjitet në Londër, në vendin ku jetoj dhe punoj unë.

- Sa kohë të merr puna jote? Na e përshkruaj një ditë pune tënden...

- Kur merresh me një biznes, duhet të kesh parasysh që do të jesh shumë i zënë me punë, që do të jesh në lëvizje dhe shumë i angazhuar. Kështu jam edhe unë, sidomos në fundjavë, kur puna është në majat e saj. Mundohem të realizoj gjithçka në detaj dhe që klientët e restoranteve të mia të mbeten të kënaqur.

- Realisht, a janë të kënaqur?

- Besoj se për aq kohë sa ambientet janë plot dhe shikon njerëz që kënaqen, argëtohen e të falënderojnë për mikpritjen, janë të kënaqur.

- Sa e vështirë është të kesh tri ambiente, lokale, restorante dhe muzikë live, në një qytet si Londra?

- Është shumë e vështirë, por me një staf të përzgjedhur, me njerëzit e duhur rreth vetes dhe me punë, janë lehtësuar vështirësitë. Përsa i përket muzikës live, në ambientet tona ka 5 vjet që organizohen mbrëmje me muzikë live me grupin më të mirë në Londër, Tinguj Zemre. Vështirësia qëndron në sjelljen e muzikantëve dhe këngëtarëve nga vende të tjera, siç është arsyeja e nxjerrjes së vizave e pastaj, të tjerat, që lidhen me organizimin...

- Ti vetë më ke pohuar gjatë bisedave të ndryshme që kemi bërë, se je goxha i interesuar për emra të njohur të shqiptarëve kudo që janë, duke i kontaktuar në vende të ndryshme të botës dhe duke i ftuar në ambientet e tua. A ia ke arritur t’i kesh?

- Mundohem t’u ofroj shqiptarëve në Britani një pjesë të Shqipërisë dhe pa këta artistë, kjo nuk do të ishte e mundur.

- Si mund të përkufizohet suksesi në fushën ku ti

punon?

- Për mua, sukses do të thotë guxim për ndryshim dhe përkushtim në punë, krijimi i një klientele të kënaqur që nuk harron asnjëherë të frekuentojë ambientet tona, vazhdimësia e këtij biznesi me të cilin kam kaq vite që merrem, por edhe hapja e restoranteve të tjera në Britaninë e Madhe. Ambicia është e madhe, shpresa po ashtu, kështu që besoj se suksesit do t’ia dalim me sukses. (Buzëqesh)

- Çfarë ofrojnë ambientet e tua?

- Bar-Restorant Tirana 1, 2 dhe 3, sepse janë tri restorante në Londër, ofrojnë gatime tradicionale shqiptare dhe mesdhetare, pa harruar barin me pije nga të gjitha llojet, si dhe argëtim me bilardo. Në fundjavë ose më saktë, duke filluar që nga e enjtja e deri të dielën, ofrohet edhe muzika live, shqiptare për shqiptarët dhe për të gjithë admiruesit e muzikës live.

- Në fund, duam një mbyllje te bukur, ndonjë këshillë për biznesmenët e rinj dhe një urim për lexuesit dhe frekuentuesit e ambjenteve të tua...

- Si fillim, dua të falënderoj dhe përshëndes të gjithë klientelën e BarRestorant Tirana, 1, 2 dhe 3 në Londër, të cilët janë të shumtë, lexuesit e gazetës tuaj dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, duke i ftuar të vizitojnë ambientet tona. Biznesmenëve të rinj dua t’u këshilloj që ta duan atë që kanë synim të bëjnë, të punojnë dhe të punojnë shumë. Me punë, arrihet gjithçka.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.