Mos më quani prostitutë!

Intervista - - RREFIME MEKATARESH -

Jam një nxënëse e vitit të katërt gjimnaz. Banoj në Fier dhe më pëlqen shumë qyteti im se këtu kam të afërmit dhe miqtë e mi, por e kam ëndërr të vij në Tiranë për shkollë të lartë e më pas të martohem e të jetoj po aty. Këtu nuk kam shumë mundësi për të jetuar ashtu siç ëndërroj...

Vëllai im jeton në Greqi prej 6 vjetësh dhe ai është i vetmi burim financiar për familjen tonë. Atje bën punë të ndryshme, por ne kemi besim se mbi të gjitha është një njeri i ndershëm dhe punon me djersën e ballit që të na sigurojë neve jetesën. Edhe ai ka ato problemet e veta atje, se i duhet të paguajë qiranë e shtëpisë ku banon, të ushqehet, etj., kështu që ne rregullohemi me ç’na sjell ai. Kur vajta në gjimnaz shihja ndryshimin mes nivelit të jetesës sime me atë të bashkëmoshatarëve të mi. I kërkoja familjes ndonjë para xhepi kur i thonë, por ata nuk kish- in. Shihja vajzat që shkonin në lokal, por unë nuk mund të shkoja. Ato iknin nëpër ditëlindje, në disko, kurse unë nuk ikja se nuk kisha lekë që të bëja dhurata ose të vishja ndonjë gjë të veçantë për atë rast. Ndihesha shumë e mënjanuar dhe sa s’më vinte të plasja kur shihja shoqet që iknin të pinin kafe kur kishim orë pushimi, ndërsa unë rrija në klasë me pretekstin se do përsërisja ndonjë gjë për orën tjetër.

Një ditë, një shoqe e klasës më tha se një shok i të dashurit të saj i kishte kërkuar të më prezantonte me të. Më tha:

“Atij i pëlqen shumë... Si thua, do vish me ne në disko të premten pas shkolle që ta njohësh?”

Unë shtanga për një moment se thashë: “Ç’ne ai që më ka pëlqyer mua?”. Ai as më njite, pastaj plus që unë nuk isha si moshataret e mia, që mbahesha e lyhesha. Gjithsesi thashë ta takoja njëherë. I mora borxh kësaj shoqes një kanatiere shumë të bukur dhe një palë xhinse paksa ekstravagante dhe pas shkolle vajtëm në disko. Siç e kishim lënë, aty do ishte dhe Goni.

Kur shkova unë, Manuela më tha:

“Ja, ai tek dera është ai djali që të thashë!”.

Mua m’u duk simpatik dhe vendosa të prezantoheshim. U takuam dhe ai më ftoi brenda të pinim nonjë gjë. U ulëm, po bisedonim dhe m’u duk djalë i mirë. Më tha që kishte qenë në Zvicër dhe nuk kishte shumë kohë që kishte ardhur. Po mendonte të hapte ndonjë aktivitet të vetin këtu, si për shembull ndonjë lokal apo restorant.

Më tha që më kishte parë ku dilja nga shkolla dhe se i pëlqeja, pasi isha vajzë e ndershme e nuk rrija nëpër lokale si gjithë të tjerat. Me thënë të drejtën, unë nuk shkoja në lokale për arsyet që thashë pak më parë, por atij nuk doja t’ia tregoja. Mendova se kështu atij do t’i pëlqeja edhe më shumë.

Atë ditë ai më tha se i kishte seriozisht ato që po më thoshte dhe më puthi. Ajo ishte puthja ime e parë. E kisha menduar të ishte ndryshe, me një njeri që do e doja shumë, në një vend më romantik, por nuk e di, një zë i brendshëm më thoshte që me të do ia kaloja shumë mirë dhe nuk do kisha më probleme si ato të mëparshmet.

Kështu, filluam të dilnim ndonjëherë pas shkolle. Ai më thoshte se duhet të dilnim vetëm bashkë sepse ishte shumë xheloz. Pranova, sepse për mua e rëndësishme ishte të dilja me dikë, pasi mërzitesha shumë kur shkoja direkt në shtëpi pas shkolle.

Një ditë më tha që donte të më bënte një dhuratë. I thashë që të dilnim nëpër dyqane që të shihnim bashkë çfarë mund të më pëlqente.

Kështu, dolëm dhe më bleu disa gjëra të shtrenjta që unë vetëm në ëndrra i kisha parë. Mezi po prisja të kisha ndonjë festë me shkollën që t’i vishja dhe t’ua tregoja shoqeve. Më në fund po afronte Shën Valentini dhe shkolla do organizonte një festë. Unë u gëzova shumë dhe vendosa të shkoja me Gonin.

U vesha me një fustan të kadifenjtë dhe me një palë çizme të bukura të zeza. Kur u futa brenda të gjithë ata të klasës sime u habitën e nisën të më bënin komplimente.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.