A përfitoj nga ligji i amnistisë për sigurimet shoqërore?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam A. Avduli, emigrant sezonal në Greqi, i ditëlindjes 24. 03. 1955, me banim në Bilisht. Punoj si punonjës sezonal në bujqësi, në një fshat afër Selanikut. Duke qenë se nuk punoj gjatë gjithë vitit në Greqi, kam tokë në një fshat të Bilishtit ku kultivoj mollë. Meqë nuk jam gjithë kohës në Shqipëri, a përfitoj nga ligji për amnistinë e pagesës për sigurimet shoqërore? Mbas vitit 1990, nuk jam i siguruar. Sa duhet të paguaj për t’u siguruar për të gjithë periudhën mbas vitit 1990? Kur e plotësoj moshën për të dalë në pension? Kam dëgjuar se është rritur mosha. . .

- I nderuar letërshkrues, bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 1114 datë 30. 07. 2008, të ndryshuar, për t’u klasifikuar si i vetëpunësuar në bujqësi, kërkohen disa kushte:

- I vetëpunësuari në bujqësi, të jetë i aftë për punë dhe të ketë mbushur 16 vjeç

- Të mos jenë të siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë, të banojnë në të njëjtin nënqark ( rreth), ku kanë tokën, në pronësi ose në përdorim dhe të zhvillojnë veprimtari bujqësore e blegtorale, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, për barrëlindje, për pensione dhe për sigurim shëndetësor.

- Të mos jenë të siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë, të banojnë në fshat dhe të zhvillojnë veprimtari bujqësore e blegtorale, edhe nëse kanë tokë në pronësi ose në përdorim, me vendndodhje në nënqarkun (rrethin) fqinj, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, për barrëlindje, për pensione dhe për sigurim shëndetësor.

- Të vetëpunësuarit në bujqësi regjistrohen në agjencitë e sigurimeve shoqërore, pas paraqitjes së certifikatës së gjendjes civile dhe njërit nga aktet e mëposhtme: Vërtetimin e pronësisë mbi tokën, lëshuar nga zyra e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme, të komunës ose bashkisë; Akt noterial, që vërteton tjetërsimin e pronës (psh. qiramarrje, etj. ). Në çdo rast, aktet e mësipërme duhet të jenë të shoqëruara me vërtetimin e lëshuar nga komuna, ku cilësohet se personi ushtron veprimtari bujqësore.

Duke marrë rastin tuaj, përderisa keni tokë në pronësi, zhvilloni aktivitet bujqësor dhe e keni vendbanimin në të njëjtin rreth (pavarësisht se nuk banoni në fshat), jeni në kushte të pranuara si i vetëpunësuar në bujqësi. Sigurimi shoqëror për të vetëpunësuarit në bujqësi, ka filluar më datë 01. 10. 1993, me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7703 datë 11. 05. 1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Për të gjithë periudhën 01. 10. 1993 e deri më 31. 12. 2014, do të siguroheni me ato masa kontributesh që kanë qenë në vitet respektivë. Pra, nuk do të paguani kamatëvonesa për shumat e papaguara. E gjithë shuma që do të paguani, do të jetë 204, 954 lekë, ku përfshihen 201, 382 lekë për sigurimet shoqërore për të gjithë periudhën e lartpërmendur dhe 3572 lekë për sigurimin shëndetsor. Në këtë mënyrë, do të siguroni gjithsej 21 vite e 3 muaj, të cilat konsiderohen vite sigurimi sikurse në qytet. Aktualisht, mosha e pensionit për burrat nuk ka ndryshuar. Ju do të dilni në pension, kur të plotësoni moshën 65 vjeç, në vitin 2020.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.