E vrava vetë djalin tim

Intervista - - FAQE 1 -

E nderuar redaksi e gazetës “Intervista” dhe ju lexues! Po e shkruaj këtë letër sepse me të vërtetë jo vetëm jam e bindur që e vrava vetë djalin tim, por tashmë është shumë vonë që të pendohem dhe nuk kam më fuqi të përballoj as rrahjet e zemrës sime, që vazhdon të punojë si për ironi të fatit.

Jam rritur në një familje të qetë, me prindër shembullorë. Ata ishin shumë të dashur e të përkushtuar ndaj nesh, por babai im ishte shumë fanatik dhe për shkak të fanatizmit të tij, unë dhe motra ime e madhe kemi mbaruar vetëm arsimin tetëvjeçar, kurse dy vëllezërit sikur morën hak për ne të dyja dhe nuk mësuan për të realizuar ëndrrat e babait. Kështu, të katër fëmijët jemi pa arsimin e lartë, por gjithsesi, në mënyrën e tyre, prindërit na kanë dashur.

Pasi unë dhe motra u rritëm, sepse ne të dyja ishim më të madhatë, babai u pendua që nuk na çoi në shkollë të mesme, por kur unë isha njëzet e një e motra nëntëmbëdhjetë, ai vendosi të na jepte një profesion. Prandaj them se ai na ka dashur, sepse pasi e kuptoi gabimin që bëri me mua dhe motrën, na çoi edhe në kurs rrobaqepësie, edhe në kurs parukerie. Të dyja kurset tona ishin kosto për të, por gjithsesi, me shumë vështirësi, ishte ai që këmbënguli që ne do t’i fillonim. Sigurisht, unë dhe motra u lumturuam sepse të paktën nuk do të ishim thjesht pastruese të shtëpive tona dhe do të kishim një arsye për të pretenduar të shkonim në punë.

Gjatë kohës që vazhdova kursin e dytë, atë të parukerisë, njëra nga parukieret që ishte e punësuar, më prezantoi me vëllain e saj. Kuptohet, të gjithë këtë e filloi me marrjen e lejes te babai së pari e pastaj më tha mua. I gjithë qyteti e dinte sa i “egër” ishte babai im në drejtim të nderit.

Meqenëse babai ishte dakord për këtë takim, edhe unë që nuk guxoja të hidhja sytë gjëkundi tjetër, rashë dakord për prezantimin. Në fakt, vëllai i shoqes sime ishte me të vërtetë i pashëm. Në momentin e parë që e takova (sigurisht, në praninë e babait) mendova se ai do të ishte personi që do të thoshte jo, por ndodhi e kundërta dhe ai tha “po” që në kafe.

- Nëse edhe vajza jote është dakord, - iu drejtua ai babait tim, - të shtunën mund t’i them babait të vijë në shtëpi dhe gjërat të bëhen zyrtare.

- Mos u nxito, - i tha babai. - Pavarësisht se unë nuk jam për takime e kafe apo xhiro rrugëve, ky është një vendim për të cilin duhet të mendoheni mirë që të dy.

- Kam kohë që e shoh Banën në rrugë dhe sa herë e shoh më pëlqen edhe më shumë. Unë kam ardhur sot këtu në kafe sepse duhet të më shohë edhe Bana. Në fakt, mirë do ishte të kishim folur vetëm për vetëm, por gjithsesi, për mua nuk ka problem.

Im atë shqeu sytë nga kjo “të kishim folur vetëm për vetëm”, por e përmbajti veten për të mos thënë “jo”në e vet dhe timen së bash- ku nga inati sepse e dinte që në kohët e sotme askush nuk pranon të martohet me kokë në thes.

Java kaloi pa e kuptuar, sepse me mamanë dhe motrën ishim marrë me rregullime e pastrime që shtëpia të shndriste. A s’ishte kjo gjëja që më kishin mësuar të bëja më mirë se asgjë? Nejse, e shtuna erdhi shpejt dhe prindërit e burrit tim të ardhshëm erdhën në shtëpinë tonë. Babai u kishte thënë që i priste për darkë dhe çdo gjë shkoi mirë. Për fat, edhe ushqimet dolën të shijshme se nganjëherë, s’të godet fare. Pas katër javësh, prindërit e mi thanë se do të pinim kafetë e do të shpallej fejesa jonë dhe kështu, edhe ceremonia e ndërrimit të peshqesheve kaloi shumë mirë.

Isha e lumtur sepse edhe burri im dukej shumë i dashuruar pas meje dhe për çudi, nuk më dukej normal sepse nuk ishte xheloz si babai. Muajt e parë ai detyrohej të vinte të më merrte deri te dera e shtëpisë kur dilnim e të më sillte deri te dera e shtëpisë sepse babai nuk pranonte që unë të dilja deri te kafja vetëm. Përveç kësaj, duhet të linim gjithmonë adresë se në cilin vend ishim. Por fatmirësisht, Tini nuk mërzitej nga kjo.

- Më vjen të të ha e kur të vijë yt atë të na kontrollojë se ku jemi, të të nxjerr prapë në tavolinë, - më thoshte.

Unë qeshja e lumtur jo vetëm nga fjalët që më thoshte, por edhe nga fakti që nuk shprehte ndonjë bezdi nga gjithë ky kontroll i familjes time. Si vajzë e pashëtitur isha e ndrojtur, por Zoti më kish krijuar të bukur. Ngaqë dielli s’më “gjente” asnjëherë në rrugë, e kisha lëkurën të bardhë.

- Akullorja ime, kujdes mos më shkrish, - më thoshte Tini.

Përkëdheljet nuk më munguan asnjë çast, as sa isha e fejuar, as pasi u martova. Fejesa jonë zgjati njëmbëdhjetë muaj, sepse prisnim që kunati im të vinte nga Anglia për të bërë dasëm. Dasma shkoi për mrekulli, të dy unë dhe Tini ishim nuse e dhëndërr perfektë. Kërceva gjithë dasmën dhe mësova se im shoq ishte valltar i mrekullueshëm. Kur prindërit e mi panë kasetën e dasmës, im atë u zemërua.

- Më paske turpëruar, - tha. – Meqë e kishe me kaq merak vallen, përse nuk kërceve në shtëpi me vëllezërit një javë rresht e atje të kishe nusëruar tamam?!

Po tani që isha e martuar, nuk m’u duk ndonjë kiamet ajo që më tha babai. Shumë shpesh i thoshte Tinit se nuk duhej të më linte të lëvizja vetëm për në punë apo për pazare, por Tini e gjeti një përgjigje: “E di se çfarë nuseje kam marrë!” dhe kështu, im atë u bind se duhej ta mbyllte gojën me këtë fanatizmin e tij në lidhje me mua. Të kthehej të ruante motrën time, më saktë, t’ia nxinte asaj.

Katër muaj pas dasmës unë mbeta shtatzënë. U lumturuam shumë me burrin sepse të dy e donim shumë një fëmijë. Fillova të shën- doshesha dhe e gjithë lumturia më pasqyrohej në sy e në zë kur flisja, por kjo lumturi nuk do të zgjaste deri në fund. Kur isha në muajin e katërt të shtatzanisë, mjeku gjinekolog më tha që duhej ta ndërprisja shtatzaninë sepse djali im kishte probleme të rënda fizike. Në fillim, nuk e kuptova, por mjeku u tregua shumë i qetë për të më treguar e sqaruar ekzaktësisht problemin. Nuk e besova, por nuk i thashë. U vizitova edhe në katër mjekë të tjerë dhe të gjithë më thanë të njëjtën gjë. Bashkë me burrin e vendosëm të ndërprisja shtatzaninë dhe unë i vura vulën vetes “kriminele” me K të madhe: Vrava fëmijën tim. Por nuk kishte qenë kjo vrasja e vërtetë, ajo do të vinte mbrapa.

Pas gjashtë muajsh, mbeta shtatzënë përsëri dhe Zoti na gëzoi me një vajzë të shëndetshme e si drita. Kur lindi vajza dhe të gjithë u siguruam që ajo ishte mirë, u lumturuam ne, familja ime dhe e Tinit. Vajza po rritej e po llastohej nga të dyja palët e gjyshërve. Ishte mbesa e parë dhe gjyshërit ishin në konkurrencë se kush e donte më shumë. Dashuria, sigurisht, nuk i mungoi vajzës sime, por as lodrat e rrobat më të shtrenjta, edhe pse unë isha pa punë. Katër gjyshër mendonin më së miri për mbesën.

Diku, njeriu ka shanc... Nuk mundet të mbarojë asnjë shkollë, por mund të marrë një burrë të mrekullueshëm që i dhuron një det me dashuri dhe unë nuk kisha vetëm Timin që më adhuronte sikur të isha vajzë e vogël, por edhe vjehrri e vjehrra që jetonin afër nesh, më donin e kujdeseshin që të mos më mungonte asgjë sa ishte vajza e vogël.

Kur vajza u bë një vjeçe, u kujdesën për festën e ditëlindjes dhe më pas u kujdesën me shumë dashuri për të, që unë të filloja punë në një rrobaqepësi. Shkoja në punë e qetë sepse vajza ime ishte në duar të sigurta. Punova për gjashtë vjet rresht, sigurisht, jo pa u lodhur, por mendoj se të gjithë prindërit përpiqen maksimalisht për fëmijët e tyre, ashtu siç vazhdojnë të na ndihmojnë prindërit e mi dhe të Tinit që fëmijëve të mi të mos u mungojë asgjë. Megjithëse vajzat si vajzat që janë lozonjare e të dashura, thellë në shpirtin tim rëndonte aborti i fëmijës së parë.

Vendosëm të kishim një fëmijë të dytë, jo vetëm sepse edhe anën ekonomike e kishim relativisht të mirë, por edhe sepse vjehrra këmbëngulte se më ndihmonte ta rrisja sa ishte e re.

- Unë jam e re, pa punë dhe mund ta mbaj unë fëmijën tjetër, se vajza u bë për në shkollë. Po u plaka edhe pak, do të bëhem unë për shërbim e jo më t’ju shërbej. - më thoshte.

Kështu, unë mbeta sërish shtatzënë. Vjehrra e vjehrri u lumturuam kur vajza u tha lajmin, që mami do të bëjë një beb tjetër.

- Që ti nëna të mos mërzitesh kur unë të jem në shkollë, mami do të të bëjë një beb, - tha ajo.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.