Jam italian, por zgjodha Shqipërinë!

Intervista - - FAQE 1 -

Të dashur lexues, unë që po shkruaj këtë histori, jam një italian. Meqenëse nuk di ta shkruaj në gjuhën shqipe, e shkrova në italisht dhe i lutem redaksisë që ta përkthejë për ta botuar në gazetë sepse e di që kjo gazetë lexohet nga shumë njerëz dhe kisha dëshirë që historia ime të mësohej nga të gjithë...

Siç ju thashë, unë jam italian dhe kam tre vjet që jetoj në Shqipëri. Jam 60 vjeç dhe mbahem mirë, saqë sa herë ua them njerëzve moshën time, ata nuk më besojnë. Arsyeja e ardhjes sime në Shqipëri, ashtu siç mund ta merrni edhe ju me mend, është një grua. Unë jam martuar i ri në Itali dhe nuk bëra fëmijë me gruan e parë. Ajo ishte një grua shumë e mirë, por nuk bënte dot fëmijë, megjithatë, unë e mbajta dhe, derisa vdiq, ne jetuam bashkë. Ajo ishte shumë e bukur dhe kujdesej shumë për mua, mirëpo sëmundja e shekullit, kanceri, nuk e la të kishte jetëgjatësi. Kur ajo vdiq para pesë vjetësh, të gjithë më thonin të martohesha, por mua më dukej sikur do të bëja ndonjë mëkat e do ta tradhtoja gruan, edhe pse ajo nuk jetonte më. Kaloi viti i parë dhe unë njoha një grua italiane, të ndarë, e cila kishte një vajzë, por jetonte vetëm sepse vajza ishte në moshë madhore dhe jetonte në Romë. Edhe pse e njoha e vendosëm të bashkëjetonim, nuk ndihesha i plotësuar, kështu që gjeta mënyrën për t’u ndarë prej saj. Pastaj, si me magji, në qytezën tonë erdhi një vajzë nga Shqipëria që punonte te një plakë. E mbante dhe kujdesej për të. Megjithëse ishte rreth të 35-tave dhe unë atëhere isha gati 56 vjeç, u dashurova me të. E dija se ishte një diferencë e madhe moshe, por isha fiksuar pas saj dhe nuk mund të rrija pa gjetur mënyrën që t’i bija në sy e të krijoja një moment kur të bisedonim. Për këtë, më ndihmoi fqinji im, i cili më krijoi një mundësi që të njihesha me të. E takova dhe e vërtetova men- jëherë se ajo ishte femra e duhur për mua. Në fakt, gjatë bisedës, vura re se edhe ajo u ndje mirë. Ky ishte një plus për mua. E takova përsëri e përsëri derisa një herë, nuk durova e i thashë:

- E di se mund të të duket budallallëk, por unë jam i dashuruar me ty. Më fal, se u gabova... Jam tmerrësisht i dashuruar me ty!

Ajo qeshi me të madhe dhe më pas shtoi: - E kush nuk e di këtë? Të gjithë e kanë kuptuar...

- Nuk dua t’ia di kush e ka e ka kuptuar e kush jo. Për mua, rëndësi ka ta kuptosh ti! Ajo nuk foli menjëherë, por pas kësaj heshtjeje që mendova se do të sillte një mohim, më tha:

- Edhe unë ndjej diçka për ty, se po të ishte ndryshe, nuk do të dilja në gjithë këto takime, por...

- Por? Çfarë? Jam më i madh se ti e mendon se nuk do të funksionojë mes nesh?

- Jo për këtë! Për mua, nuk ka rëndësi mosha. Ti je një njeri i mirë dhe shumë i dashur, por unë në Shqipëri kam nënën e nuk mund të qëndroj këtu për shumë kohë. Prandaj, nuk dua të lidhem me askënd.

- Ti ndjen për mua? Më thuaj të vërtetën! - Po, ndjej. Këtë doja të dija dhe kjo përgjigje e saj më bëri të besoja se edhe për fatkeqë si puna ime, do të kishte një ditë të mirë.

- Nëse ti martohesh me mua, atëhere mund ta marrim edhe mamanë këtu e të rrimë bashkë!

Ajo ra dakord dhe çdo gjë shkoi ashtu siç duhej. U martuam dhe ajo erdhi të banonte te shtëpia ime, mirëpo shkonte edhe te plaka që ndihmonte, sepse ajo ishte miqësuar shumë me të e nuk donte t’i shërbente njeri tjetër. Unë po mundohesha të bëja çdo gjë gati që të merrja dhe të ëmën në Itali e pastaj të jetonim të qetë. Jo se nuk ishim të qetë, por ajo e kishte gjithmonë mendjen tek e ëma e cila nuk ishte shumë e moshur, por e merrte malli për të. Burokracirat e shumta bënë që të vonoheshin letrat.

Një ditë, kur isha në punë, më ra telefoni e ishte gruaja. Shokët më tallën:

- Eh, gruaja e re të do në shtëpi gjithë ditën!

- Nuk është ai lloj gruaje! Mund të ketë ndonjë problem besoj, se ajo ndryshon nga gratë e tjera.

- Ngaqë është e re ë?! - vazhduan të talleshin ata.

Mua aq më bënte tani, se ndjehesha shumë i lumtur dhe nuk më bënte përshtypje asgjë. E mora në telefon dhe nga ana tjetër e telefonit, dëgjova të qarat e saj.

- Ç’ke zemër? Çfarë ka ndodhur? A je mirë? Ajo nuk arrinte të fliste. - Mami... mami... - po mundohej të më thoshte diçka. - Çfarë i ka ndodhur? - Është në spital! - tha më në fund ajo. Menjëherë lashë punën dhe shkova në shtëpi. Ajo ishte shumë e mërzitur. U mundova ta qetësoja, por ishte e kotë. Kishte kohë që nuk e kishte parë mamanë dhe tani mori vesh se ajo ishte e sëmurë. Preva menjëhërë biletat dhe u nisëm për Shqipëri. Erdhëm me avion që të mos vonoheshim. Mamaja e saj kishte kaluar një paralizë. Ajo tani nuk mund të kryente as nevojat personale vetë. I pyeta doktorët nëse mund të bëja gjë e ta dërgoja në Itali, por ata më këshilluan të mos e bëja këtë gjë, sepse do të kishte pasoja fatale.

Isha përsëri në mes të një udhëkryqi. E morëm dhe e nxorëm nga spitali. Ajo kishte një shtëpi shumë të vjetër e plot lagështirë. Ndoshta ky ishte edhe shkaku që kishte përfunduar ashtu. Pasi kishin kaluar tre ditë, më morën në telefon e më thanë se duhet të paraqitesha patjetër në punë. Nuk dija si të veproja.

- Shko! - më tha gruaja. - Puna është e rëndësishme. Nuk mund të rrish më gjatë. Ajo nuk do të përmirësohet, kështu që është e kotë të rrish më tepër.

- Po ti? - e pyeta, edhe pse e dija përgjigjen e kësaj pyetjeje. - Si do t’ia dalësh e vetme, pa mua?

- Ja, ashtu, si të mundem. Po ti, mos u shqetëso. Çdo gjë do të rregullohet... - kjo ishte e veçanta e asaj gruaje që të jepte zemër, edhe kur çdo gjë dukej e zezë.

- Do të gjesh një grua që të të ndihmojë. Mos u merakos për pagesën, se do ta paguaj unë. Këtë e bëj për ty, por edhe për nënën tënde.

- Dakord! - më tha - Je njeriu më i mirë që kam njohur!

U nisa për në Itali, por mendja më rrinte te gruaja. Kishim pak që ishim martuar dhe duhet të rrinim të ndarë. Nuk mund të rrija pa të asnjë minutë dhe tani që e dija se ajo ishte në një hall kaq të madh, shqetësimi im ishte i dyfishtë.

U paraqita në punë, por edhe shokët e kuptonin se nuk isha ai që kisha qenë më parë. Shtëpia më dukej bosh dhe nuk më bëhej të rrija në të. Edhe pse flisja në telefon çdo ditë me time shoqe, e ndjeja aq shumë mungesën e saj. Ajo mundohej të mos qante kur fliste me mua, por e ndjeja nga toni i zërit të saj se ishte shumë keq dhe kishte nevojë për dashurinë e ngrohtësinë time. Dilja darkave në lokale dhe harrohesha duke pirë, mirëpo kjo po bëhej e zakonshme. Po mundohesha të harroja gjithçka me pijen. Po a ishte kjo, rruga e duhur? E ndjeja se po shkatërrohesha e kjo do të zgjaste shumë, sepse ajo nuk mund ta linte të ëmën vetëm e të vinte tek unë. Një ditë, kur po flisja në telefon, ajo më tha: - Jam shtatzënë! Nuk e besoja se po e dëgjoja këtë fjalë. Nuk e kisha menduar se do të bëhesha ndonjëherë baba.

- Të faleminderit, zemër! Më ke dhënë një lajm që më bën të vendos për disa gjëra...

Mora leje në punë dhe u nisa për në Shqipëri. Më dukej aq e gjatë rruga që ta pushtoja në krahët e mi. Mallin e madh që më kishte pushtuar, e ndjeva kur e takova. Ajo qante nga gëzimi që po më shihte. Ah, sa më mungonte ajo! - Sa do të rrish? - më pyeti. - Aq sa do të rrish ti... - ia ktheva. Ajo më pa me habi e më tha: - Unë do të rri përgjithmonë! - Edhe unë! - i thashë, duke e parë drejt në sy.

- Të dua! - tha ajo. - Është një sakrificë shumë e madhe! - Është për dashurinë - i thashë. E kështu, unë mora vendimin të jetoja në Shqipëri. Ishte e pamundur të bëja ndryshe. Nuk e shita shtëpinë në Itali, sepse ishte një kujtim i prindërve të mi, por kur erdha në Shqipëri, gjeta menjëherë punë: Restaurova shtëpinë e saj dhe u bëra gati të bëhesha baba. E dija se do të vdisja, po se do të arrinte kjo ditë për mua, nuk e dija. Dhe, ja ku erdhi dita! Përgatita çdo gjë për këtë ditë. U bëra babai i një vajze të bukur e cila po rritet e po zbukurohet çdo ditë e më shumë. Nuk jam penduar aspak që zgjodha Shqipërinë për të jetuar, se në fund të fundit, nuk ka rëndësi ku jeton. Rëndësi ka të jetosh me njeriun që të bën të lumtur.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.