Iva Spaho, modelja shqiptare në Paris Nuk më pëlqejnë femrat e zbuluara...

Intervista - - MODE -

“...Për herë të parë e ndjeva veshjen si lëkurën time, magji sfilate që më ka shoqëruar përgjatë këtij viti që po shkon. Mund të isha edhe e zhveshur nga mëndafshi dhe copëzat e pëlhurës, se ndoshta vetëm ngjyrat e Stilit Emasavah coutur në Paris jo vetëm i dhanë formë trupit tim në atë event, por edhe e veshën atë me harmoninë e të qenit perëndeshë në veshje...” Kështu e nis intervistën eskluzivisht për ne njëra nga modelet që veshi fustanet e stilistes shqiptare me banim në USA Ema Koja, në pasarelën e Parisit. Iva Spaho është 23 vjeçe, e lindur dhe rritur në Tiranë, ka studiuar për Ekonomik, por ëndrrat e saj, këtu kanë vetëm fillimin...

Anila Kadija: - Më trego për Ivën ëndrrimtare nëpërmjet sfilatës?

Iva Spaho: - Pasioni im që e vogël është televizioni, bota e modës e më pas, fotografia. Tërhiqesha prej tyre natyrshëm, shfrytëzoja çdo mundësi që më jepej deri në momentin kur erdhi dita të prezantohesha në pasarelat e Parisit, ku moda ka rrënjë shekullore, duke prezantuar punën e mrekullueshme të stilistes së famshme e të talentuar shqiptare, Ema Koja.

- Ndoshta për një person konsumist, veshja është thjesht një pëlhurë që blihet dhe hidhet. Për një modele, ç’mund të jetë?

- Nëse për dikë tjetër është thjesht një pëlhurë që blihet e hidhet, për një modele është shumë më tepër, është paraqitja e saj, shpalosja e karakterit, sepse pjesa më e madhe e gjykimit vjen nga prezantimi që ti bën dhe veshja që përdor. Është shumë e rëndësishme të ndjehesh komod e njëkohësisht vetvetja, me atë që vesh.

- Emocione në ecje, në lëvizjen e trupit, në vështrim... Një ndërthurje e artit me trupin?

- Shumë modele mund ta ëndërronin pjesëmarrjen në atë event bamirësie ku Shqipëria u përfaqësua nga Stili Savahl dhe nga ne dy modelet shqiptare, unë dhe Natalia. Të kërkosh nga jeta është vetëm fillimi i një rruge të gjatë, ndaj vazhdoj të ëndërroj për më tepër. Kur diçka e dëshiron me shpirt, mund ta arrish.

- A mund të përshkruhen emocionet e asaj dite?

- Emocionet ishin të papërshkrueshme, momenti kur unë nisa sfilatën ishte momenti më i bukur, kur të dridhen gjunjët e çdo qelizë e jotja lëviz në emocion, ndjen vetëm lumturi. Atëhere e kupton që po jep diçka të bukur edhe për të tjerët, ndjen se ke mbi shpatulla një përgjegjësi të madhe të shoqëruar me qindra sy që po të shohin ty, që dëshirojnë nëpërmjet veshjes që ti ke dhe trupit tënd, të imagjinojnë në njëfarë mënyre si mund të duken vetë nën atë dritë, ndërkohë që shikimi yt i thellë, indiferent, superior, duhet të jetë i fokusuar në objektivin e qindra aparateve që ndodhen përballë teje.

- Si e ndjeve veten me stilisten Ema Koja dhe me kolegen tjetër, modelen Natalia Stamuli?

- Ema na bëri të ndjeheshim të forta, modele europiane, femra të bukura, na dha shumë besim. Ishte një kënaqësi e madhe të punoje me të, gjithashtu edhe me Natasha Kertes, fotografen ruse; një koktejl ndërkombëtar bashkëpunimi. Të dyja ishin artiste, të përcillnin energji pozitive në çdo moment të ditës që kaloje me to. Nuk e njihnin lodhjen duke punuar. Ato dinin të lodheshin bukur! Unë dhe Natalia provuam emocione të paprovuara më parë, ndjeheshim të vlerësuara për atë që ne vlenim dhe kjo është një veti pak e përhapur në Shqipëri. Punuam fort e u shfaqëm bukur, duke patur në çdo moment pranë Emën, e cila nuk lejonte detajin më të vogël të stononte në gjithë atë magji!

- Protagoniste pasarele, në një ambient ku moda ka rrënjë shekullore... Them se firma Made in Albania është vërtet një hap gjigand në tribunën europiane, aq më tepër, në një event bamirësie...

- Po, qëllimi i asaj sfilate ishte që të ardhurat që do vinin prej saj, do t’u dhuroheshin vendeve të varfra të Afrikës. Ishte një emocion në vetvete të mendoje që edhe ti kishe kontribuar për ato vende. Në rastet e vogla që kam patur mundësi të ndihmoj, e kam bërë gjithmonë me kënaqësi e dashuri. Edhe në ato raste kur nuk kam mundur të jap fonde të mëdha, kam ndihmuar konkretisht me ushqime dhe veshmbathje. Humanizmi duhet të jetë mbi çdo gjë.

- Si lindi dëshira të bëheshe modele?

- Qëkur isha 7 ose 8 vjeçe, kur në çdo lagje të Tiranës organizohej Miss-i i lagjes, i pallatit ose i shkollës, unë duhej të dilja patjetër e para! Më bën të buzëqesh ky kujtim kur e sjell ndërmend si tani. Pasi merrja pjesë e fitoja në lagjen time, merrja pjesë edhe në ato të tjerat që kisha rrotull. Flas me kënaqësi për këtë gjë sepse mbase sot një fëmijë i asaj moshe nuk i provon këto kënaqësi origjinale dhe të pafajshme, të mbushura me dëshira të thjeshta, sepse kohët kanë ndryshuar e bashkë me to, edhe dëshirat. Ne përjetonim emocione e stimulime të veçanta. Ishte kënaqësi kur të gjithë të mëdhenjtë të shikonin dhe më pas, të vishnin me epitetin “Missi i lagjes”.

- Në të përditshmen, ç’veshje preferon?

- Në jetën e përditshme veshja ime ndryshon nga njëra ditë në tjetrën, por gjithmonë brenda kornizave të të dukurit klas. Vishem thjesht e bukur dhe asnjëherë nuk e ekzagjeroj. Një palë xhinse me një këmishë, një palë këpucë të sheshta, me një çantë të kombinuar, e bëjnë një femër të duket bukur e fine. Më vjen keq, sinqerisht, kur shoh vajza të grimuara rëndë, të veshura çuditshëm e mbi taka 15 pond në mes të ditës. Femra është e bukur nga natyra. Çdo femër është e bukur nëse do të mund t’i përshtatet natyrës së saj. Gjysma e trupit zbuluar ose takat tepër të larta, që pa e kuptuar deformojnë trupin e femrës, krijojnë të kundërtën e bukurisë në profilin e saj. Jini të thjeshta deri në pikën që të dukeni të bukura! Çdo gjë e tepruar ju largon bukurinë që çdokush do të donte ta shihte te ju. Mos e mbuloni bukurinë tuaj me petkun e ekstravagancës së tepruar!

- Ndonjë këshillë veshjeje...

- Stili i veshjes së një personi, për mendimin tim, tregon më tepër se 50% të asaj çka ti je sepse kurrsesi unë nuk do të mund të vishja rroba që nuk do të më përshtateshin mua apo mënyrës sime të jetesës. Është shumë e rëndësishme të theksoj se vërtet nga kushtet ekonomike varet edhe ajo çka ti blen dhe vesh, por në të njëjtën kohë duhet ditur se edhe me pak mund të vishesh bukur; ndryshimin e vetëm në çmim e bëjnë markat. Më mirë të dish sesa të kesh.

Duke qenë se kemi qenë një vend i izoluar në të kaluarën, kjo ka theksuar më shumë dëshirën për t’u dukur. Jemi një vend që na pëlqen të mbahemi e të dukemi, pavarësisht asaj që kemi në të vërtetë, edhe pse ndodh shpesh ta ekzagjerojmë. Nuk ecim realisht me fjalën e urtë “Më mirë të dish se të kesh”. Ne, sa të kemi do të dimë. E rëndësishme është që jemi njerëz që na pëlqen të mbahemi dhe e bëjmë këtë me shumë konkurrencë, sidomos femërore.

- Me kalimin e viteve, moda rikthehet... Të ka ndodhur të të tërheqë një veshje e nënës tënde?

- Moda rikthehet gjithnjë, por edhe ne rritemi e fillojmë të rafinojmë shijen për veshjet tona. Më rastis shpesh të më joshin veshje të nënës sime. Ndonjëherë mendoj me vete: “A janë veshjet ato që më tërheqin nga nostalgjia apo është moda ajo që kthehet në vend dhe unë po i ngjasoj asaj edhe në zgjedhjen e veshjes”. Gjithmonë dhe jo rastësisht më ndodh të marr xhaketa të mamit, fustane, shalle, çanta, me pak fjale, çdo gjë që mund të më bëjë të ndjehem ngrohtë me ato veshje aromë nëne.

- Të kujtohen çorapet e badha të një kohe të shkuar?

- Më kujtohen patjeter çorapet e bardha me tantella, këpucët balerina llustrafine, fundet me pala e shumë detaje të tjera që i kam të fotografuara në mendje. Me kënaqësi do t’i vishja përsëri fundet me pala që i kam patur deri vonë në garderobën time, paliçetat xhins që shpesh i janë kthyer modës. Në adoleshencë kam qenë tepër e thjeshtë dhe kam patur gjithmonë stilin tim serioz, nuk më tundonin fundet e shkurtra apo barku jashtë, që janë tendenca të një adolesh- enteje në kërkim të vëmendjes. Kur kthehem pas dhe shikoj fotot, nuk gjej të tilla, por një Iva të thjeshtë me xhinse, balerina, me funde poshtë gjurit dhe bluza klasike.

- Dëshira që mbeten në sirtarë, tani për tani...

- Do të kisha dëshirë të vishja kostumet shik e klas të Armanit, çantat dhe këpucët me stil të Moschinos, bluzat me dizenjo të Versaces dhe pa diskutim, fustanet e kuq pasion të Valentinos.

- Ç’mendim ke për origjinalitetin e një veshjeje pak të kushtueshme, siç janë për shembull ato të firmës H&M?

- Më pëlqen stili i tyre dhe dizajnet që përdorin stilet e reja si H&M apo ndonjë tjetër. Për një vend me standard jo shumë të lartë si vendi ynë, këto firma duhet të hyjnë akoma më tepër në treg, që edhe ne të mësojmë të vishemi bukur, thjesht dhe pa shumë kosto.

- Për të qenë të pazëvendësueshëm, duhet të jemi gjithmonë të veçantë?

- Shprehjet e Coco Chanel janë të shumta e të gjitha të vërteta. Veshjet uniforme dhe standarde asnjëherë nuk të ngjallin interes se janë të përgjithshme sado ti të mundohesh t’i blesh të shtrenjta. Një aksesor sado i vogël apo i thjeshtë, bën dallimin në pamjen e jashtme. Nuk më pëlqen ta imitoj modën në çdo detaj të sajin. Duhet të na shërbejë edhe fantazia në lëvizje për të ndryshuar paksa atë që shpesh e merrnim shabllon. Secili duhet të ketë stilin e tij, që i përshtatet me karakterin dhe patjetër, me linjat trupore. Duhet të jemi përherë të veçantë, pavarësisht çfarë veshim.

- Iva e viteve më pas...

- Ivën pas disa vjetësh e imagjinoj një femër shumë të përgatitur, lider mbase e një agjencie apo biznesi. (Qesh) Patjetër, me kënaqësinë më të madhe për të mos mbetur në vend. Do mundohem të ndërthur diçka mes asaj që unë kam në diapazonin tim, studimet me pasionin. Në momentin kur arrin të vizatosh në mendje personin tënd vite pas, do të thotë që ti e ke krijuar personalitetin dhe sigurinë për atë që mund të bësh, pra, ecën me objektiva. Kur diçka e ëndërron dhe e dëshiron vërtet, është vetëm puna ajo që të afron me realizimin. Nëse punon për atë që ëndërron dhe ia arrin, më pas do të kesh një ëndërr tjetër, sfidë tjetër. Kështu është jeta, një zinxhir që të lidh pas ëndrrave...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.