10 simptoma kanceri që gratë nuk duhet t’i injorojnë

Intervista - - SHENDET -

Nuk duhet t’ju kapë paniku, por as mos i lini pas dore këto shenja. Ne kemi pyetur ekspertët për të mësuar se cilat prej tyre nuk duhet t’i shpëtojnë “radarit” tuaj...

Shumë gra mbi të 40-at bëjnë rregullisht mamografi, por kanceri nganjëherë nuk kapet nga analizat. Nga ana tjetër, edhe kur dyshojnë për diçka, frika nganjëherë i pengon gratë të shkojnë menjëherë te doktori. Kështu shprehet Beth Karlan, drejtoreshë e Programit të Kërkimeve për Kancerin te gratë, në spitalin Cedar-Sinai të Los Anxhelosit: “Ose ato nuk ua vënë veshin, ose i keqinterpretojnë simptomat që tregojnë mundësinë e një kanceri. “Ato thonë me vete “Fryrja e trupit nuk është asgjë, mund të presë”, thotë ajo. Ekziston mendimi pra se, nëse do të shkosh te doktori, atëhere diçka do të ndryshojë në jetën tënde dhe ti nuk do që të ndryshojë”.

Megjithatë, jo të gjitha shenjat paralajmëruese tregojnë kancer, edhe sikur t’i kesh të gjitha. Ka shumë diagnoza të tjera beninje, apo ndryshime psikologjike, që mund të shkaktojnë shenjat paralajmëruese. Për shembull, nëse ke fryrje, dhimbje në fund të shpinës dhe presion në zonën e legenit, mund të kesh fibroza, thotë Karlani. “Por nëse simptomat tuaja janë “këmbëngulëse dhe progresive”, pra, ngrihesh nga gjumi çdo mëngjes dhe ndjen se diçka të bezdis, qoftë edhe për dy javë rresht, është mirë të shkosh te mjeku dhe të bësh një kontroll”. Kontrollet e rregullta, analizat, si mamografia e paptesti, si edhe njohja e mirë e trupit tënd, janë thelbësore për të patur një shëndet të mirë. Ja, cilat janë këto shenja:

1. Ndryshime në gjoks

Nëse ndjeni një kokërr, nuk duhet ta injoroni, edhe sikur mamografia të jetë normale. Nëse thithat bëhen si me luspa, ose fillojnë të rripen, kjo mund të shkaktohet nga sëmundja e thithave, e quajtur Paget, që në 95% të rasteve është e lidhur me një kancer. E njëjta gjë ndodh edhe nëse prej tyre del lëng, ose gjak. Edhe gropat e krijuara në sipërfaqen e gjirit, veçanërisht nëse ai duket si lëkurë portokalleje, janë shqetësusese. Këto gropëza janë shpesh të lidhura me një kancer gjiri inflamator, një formë e rrallë, agresive e kancerit, që karakterizohet edhe nga skuqja, enjtja dhe nxehja e gjoksit. Doktori juaj do të bëjë një ekzaminim të gjoksit, të ndjekur nga një mamografi, apo edhe një sonogramë (me ultratinguj). Në varësi nga rezultatet e këtyre analizave, ai mund të vendosë nëse duhet të bëjë një biopsi.

2. Menstruacione të

çrregullta

Pasi ke arritur menopauzën (e përcaktuar si 12 muaj pa perioda), çdo gjakrrjedhje është një shenjë paralajmëruese. Çdo pikë gjaku, njollë në mbathje, apo copa gjaku të koaguluara, duhen kontrolluar menjëherë nga mjeku. Kjo gjakrrjedhje mund të jetë pasojë e diçkaje beninje, si një polip i endometrit, ose më serioze, si kanceri i qafës së mitrës apo endometrit. Edhe nëse nuk jeni në menopauzë dhe keni gjakrrjedhje të pazakonta, jashtë ciklit, duhet të shkoni te mjeku. Afër moshës së menopauzës, gjakrrjedhjet e pazakonta lidhen shpesh me ndryshimet hormonale, por shkaku mund të jetë më serioz, prandaj për çdo gjakrrjedhje duhet të shkoni te doktori. Ai mund t’ju bëjë një sonogramë transvaginale, mbase edhe biopsi, nëse e sheh të nevojshme.

3. Gjakrrjedhje anale

Kanceri i zorrës së trashë është kanceri i tretë që haset më shpesh te gratë. Një nga shenjat e tij kryesore është gjakrrjedhja, të cilën shumë njerëz e lidhin me hemorroi- det, shkaku më i zakonshëm. Por, nuk është gjithmonë kjo, thonë ekspertët! Nëse në jashtëqitjen tuaj shihni njolla të kuqe të ndezur, apo të errët, duhet të shkoni te doktori. Ai duhet t’ju bëjë një ekzaminim rektal, ose një kolonoskopi nëse jeni 50 vjeç dhe më shumë; nganjëherë, edhe kur jeni më i ri.

4. Sekrecione vaginale

Nëse keni sekrecione vaginale të turbullta ose me erë të keqe, kjo mund të jetë simptomë e një kanceri të qafës së mitrës. Këto sekrecione mund të përmbajnë gjak dhe mund të ndodhin ndërmjet menstruaconeve, apo pas menopauzës. Është mirë të mos i trajtoni vetë këto sekrecione me ilaçet që njihni. Duhet bërë analiza e tyre, për të përcaktuar nëse janë një infeksion i thjeshtë, apo diçka më serioze.

5. Fryrja

Kanceri i vezoreve është kanceri më vrasës ndër ato të organeve riprodhuese. Për vite me radhë, ai është njohur edhe si vrasësi i heshtur, por në fakt, ka simptomat e veta. Më të zakonshmet janë fryrja, ndjesia se ngopesh më shpesh se zakonisht kur ha, ndryshimi i zakoneve të daljes jashtë, si edhe urinimi më i shpeshtë. Gjithashtu, edhe dhimbje në zonën e legenit, në fund të shpinës. Nuk është e pazakontë të kesh një ose dy nga këto simptoma rastësisht, sidomos pasi ke ngrënë shumë, por nëse i keni këto simptoma çdo ditë, më shumë se 2 javë rresht, kontaktoni doktorin tuaj. Ai mund t’ju bëjë një ekzaminim pelvik, sonogramë transvaginale dhe mbase një anal- izë gjaku, për të parë për qeliza kanceroze.

6. Shtim apo pakësim i pashpjegueshëm në

peshë

Nëse ju papritur shtoni dy kilogramë në peshë, nuk është problem, por nëse shtoni muaj pas muaji, sidomos nëse ruani një peshë të qëndrueshme dhe bëni kujdes në të ngrënë, kjo mund të shkaktohet nga grumbullimi i lëngjeve në bark, për shkak të kancerit të vezoreve, prandaj duhet të shkoni te doktori. Edhe një rënie e pashpjegueshme në peshë, 5 kilogramë ose më shumë, mund të jetë shenja e parë e një kanceri, sidomos atij të pankreasit, stomakut, ezofagut, apo mushkërive. Por rënia në peshë te gratë shpesh shkaktohet nga një tiroide hiperaktive. Puna e parë që do të bëjë doktori juaj, është t’ju japë analiza për tiroidet.

7. Kollë e vazhdueshme

Çdo kollë që vazhdon, që zgjat më shumë se 2-3 javë dhe nuk është shkaktuar nga ndonjë alergji apo infeksion i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, apo kur nxjerr gjak, duhet kontrolluar nga doktori. Nëse kolla ju shkaktohet nga duhanpirja juaj apo e të tjerëve rrotull jush, duhet të kontrolloheni. Kanceri i mushkërive që shkaktohet nga pirja e duhanit është kanceri numër një që vret gratë, thonë specialistët. Megjithatë, nuk janë të rrezikuar vetëm ata që pinë duhan. Shumica e kancereve të mushkërive që prek ata që nuk pinë duhan, ndodh te gratë. Doktori juaj mund t’ju japë të bëni një radiografi të mushkërive, mbase edhe ndonjë skaner.

8. Ndryshime të gjendrave limfatike

Nëse ndjeni enjtje pas qafës, ose në sqetull, duhet të shkoni te doktori. Gjendrrat limfatike të enjtura, të forta, shpesh janë shenjë e një infeksioni. Megjithatë, limfoma (kancer në gjak), apo kanceri i mushkërive, gjoksit, kokës apo qafës që është përhapur, mund të shfaqet nëpërmjet zmadhimit të një gjendrre limfatike. Shkoni te mjeku për t’u ekzaminuar; mbase ai do t’ju kërkojë të bëni një biopsi.

9. Lodhje

Shoqata Amerikane e Kancerit e përcakton lodhjen si “një stërlodhje që nuk lar- gohet edhe pasi ke fjetur gjumë, apo je ulur për t‘u çlodhur”. Kështu, pra, nëse jeni shpesh të lodhur, duhet të shkoni te doktori. Leuçemia, kanceri i zorrës së trashë apo stomakut, që shkaktojnë humbje të gjakut, mund të shkaktojnë edhe lodhje. Lodhja mund të jetë një problem serioz dhe është e lehtë të injorohet. Doktori juaj do t’ju bëjë një ekzaminim fizik dhe t’ju japë të bëni analiza gjaku, për të parë tiroiden, për të përjashtuar mundësinë se lodhja shkaktohet prej saj.

10. Ndryshime të

lëkurës

Hapini sytë katër për të parë çdo ndryshim që vini re në lëkurë e në gjithë trupin dhe kontaktoni doktorin, sa herë shihni diçka të pazakontë. Plagët në gojë që nuk shërohen, sidomos nëse pini duhan apo alkool, mund të jenë shenja të kancerit të gojës dhe duhen parë nga doktori. Gjithashtu, nëse vini re plagë ose lëkurë të irrituar në zonën vaginale. Këto plagë që nuk shërohen mund të jenë shenja të kancerit të vulvës. Ndryshimet në nishane, ose plagët me ngjyrë të errët në vulvë, mund të tregojnë praninë e një kanceri. Melanoma vulvare shpesh neglizhohet dhe mund të ketë një zhvillim shumë agresiv. Një biopsi e thjeshtë mund të bëhet në zyrën e mjekut, nëse nevojitet.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.