9 pyetje të sikletshme për seksin...

Intervista - - INTIMITET -

Në shkrimin e mëposhtëm u japim përgjigje disa pyetjeve të sikletshme, të bëra nga çiftet që duan të bëjnë fëmijë, por që nuk guxojnë të pyesin doktorin e tyre...

- A duhet ta arrijë orgazmën gruaja që të mbesë shtatzënë?

- Jo, aspak. Supozohet se 80% e grave e kanë të vështirë ta arrijnë orgazmën gjatë seksit, megjithatë ka plot prej tyre që mbeten shtatzënë. Mund të thuhet se shanset janë më të mëdha kur e arrin orgazmën, për shkak se kontraktohen muskujt që favorizojnë futjen e spermës në mitër, por nuk keni pse shqetësoheni se mungesa e orgazmës është arsyeja pse nuk po mbeteni shtatzënë.

- A mund t’i shtojë seksi oral mundësinë për të mbetur shtatzënë?

- Në fakt, nëse doni të mbeteni shtatzënë, duhet të evitoni seksin oral gjatë dhe rrotull periudhës së ovulimit, pasi pështyma përmban enzima dhe përbërës të tjerë që mund të dëmtojë spermatozoidet dhe të pengojë udhëtimin për te veza. Nëse seksi oral ju pëlqen, atëhere vazhdojeni, por evitoni periudhën e pjellorisë maksimale.

- Sa shpesh duhet të bëj seks, për të pasur mundësi të mbetem shtatzënë?

- 3-4 herë në javë është e mjaftueshme për të pasur një spermë cilësore gjatë kohës së pjellorisë. Çifteve që mundohen të bëjnë fëmijë u këshilloj të përqendrohen më pak te veza që po lëshohet dhe më shumë te sasia e spermës. Spermatozoidet jetojnë në mitër 3-4 ditë, kështu që seksi i rregullt do të sigurojë një furnizimin të vazhdueshëm e për pasojë, edhe maksimumin e mundësisë për të mbetur shtatzënë.

- Cili është pozicioni më i mirë seksual për të mbetur shtatzënë?

- Burrat, veçanërisht, shqetësohen se duhet të penetrojnë sa më thellë partneren e tyre për të pasur më shumë shanse. Nga ana tjetër, gratë janë më të interesuara për pozicionet e caktuara që do ta ndihmojnë spermën të qëndrojë brenda tyre. E vërteta është se nuk ka rëndësi. Çdo pozicion është i mirë, me kusht që të jeni të relaksuar, të ndjeheni rehat dhe të shijoni momentin së bashku.

- Mund të thuhet se seksi i shumtë ndikon negativisht në mbetjen shtatzënë?

- Shumë gra shqetësohen për këtë gjë, se po të bëjnë shumë shpesh seks, do të reduktojnë sasinë e spermës të disponueshme, apo cilësinë e saj. Në fakt, ndodh e kundërta. Nëse një burrë e ruan spermën e vet, ajo do të dalë me sasi më të madhe spermatozoidesh, por shumë prej tyre do të jenë të vdekur. Gjatë seksit, gjithashtu, çlirohen disa hormone, edhe te burri, edhe te gruaja, prandaj, nëse po përpiqeni të bëni fëmijë, sa më shumë seks, aq më mirë.

- A mund të përdorësh lubrifikantë dhe xhele kur do të bësh fëmijë?

- Është mirë të evitosh lubrifikantët, nëse mundesh, megjithëse për disa gra që vuajnë nga thatësia vaginale, kjo është e pamundur. Nëse seksi është i sikletshëm pa një lubrifikant vaginal, është e rëndësishme të siguroheni se po përdorni një lubrifikant të mirë, që nuk do të ndikojë në aftësinë e spermatozoidëve për t’u futur në mitër. - Kur është më mirë të bësh seks, në mëngjes, apo darkë? - Për burrat, shumica e testosteronit prodhohet në mëngjes. Është provuar se spermatozoidët janë më të shëndetshëm kur ka më shumë testosteron, prandaj është më mirë të bësh seks në mëngjes, me gjithë punët e shumta që të presin përpara.

- Në treg, ekzistojnë disa pajisje të ndryshme që shtojnë shanset për të mbetur shtatzënë. Cilin prej tyre mund të përdorim?

- Asnjë, do të thoja. Shumë grave u pëlqejnë kitet e ovulacionit, aplikimet e ndryshme dhe matja e temperaturës së trupit. Kjo është diçka e mirë, veçse ato duhet të përdoren edhe për të kuptuar se si ndryshojnë sekrecionet e qafës së mitrës gjatë periudhës suaj pjellore. Pajisjet e pjellorisë paraqesin edhe rrezikun se të bëjnë më të fiksuar dhe të ndërgjegjshëm për procesin e pjellorisë, duke shtuar kështu nivelet e stresit.

- Ka të drejtë partneri im të shqetësohet për kohëzgjatjen e seksit?

- Burrat kanë shpesh ankthe përsa i përket performancës së tyre në shtrat dhe se si do të ndikojë kjo në pjellorinë e tyre. Asnjëra prej tyre nuk ndikon në ngjizjen e një fëmije të shëndetshëm.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.