Ish-burri i nxori syrin djalit për një bjonde

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Kam kohë që dua t’ju shkruaj, por gjithnjë jam përpjekur të mendoj me qetësi dhe që problemet e hallet e shtëpisë të mos i nxjerr në shesh. I përkas atij brezi të edukuar që të mos flasim për familjarët, edhe pse na e sjellin shpirtin në buzë, të mos kundërshtojmë burrat, edhe pse ushtrojnë dhunë të gjithanshme. Tashmë, kupa e durimit dhe e hidhërimit tim janë mbushur. Rinia ime e hershme filloi dhe mbaroi me një shikim që i hodha djalit i cili do të bëhej bashkëshorti im për 15 vjet. Bashkëshortin ma prezantoi djali i xhaxhat, i cili e kishte patur shok ushtrie.

- Është djalë shumë i mirë, - më tha ai, - është familjar, shikon punën e tij, është edhe shumë punëtor. Pastaj, ti në fshat je e ku të gjesh një burrë që jeton pak afër qytetit! Ndoshta të jepet ndonjë mundësi të punosh në fermë e të kesh diçka më shumë se ne që shohim veç male.

Pasi e pashë një herë në shtëpinë e xhaxhit, për dy muaj u bë fejesa dhe ne mund të shikoheshim e flisnim (më saktë, shkëmbenim përshëndetjet në sytë e familjes sime) sa herë që ai vinte tek unë. Por, ajo ishte koha atëherë, ashtu ishte modeli; shyqyr që e nxora vajzën nga dera! Babai im kishte edhe dy vajza të tjera më të vogla se unë dhe u gëzua për shkuesinë që po bënte kushëriri. Përveç kësaj, familja e burrit tim ishte familje e mirë dhe ishin rehat.

Pas një viti fejesë, ne u martuam. Te shtëpia e burrit ishin familje djemsh. Ata ishin 5 vëllezër dhe burri im ishte djali i madh. Si fillim, përveçse isha shumë e turpshme, edhe prindërit më kishin thënë që të punoja e të mbyllja gojën, të pastroja e të nderoja familjen prej nga vija. Im shoq sillej mirë me mua. Edhe kunetërit ishin djem të mirë dhe më respektonin. Pasi mbeta shtatzënë, të katër kunetërit e mi mundoheshin të më ndihmonin me gjithë llojet e punëve që mund të bëjë një burrë. Përveç kësaj, ata ishin djem të pamartuar dhe nuk ua dinin punëve e llafeve, siç mund t’i dijë një burrë që i flet nusja gjithë kohën në vesh.

Sapo erdhi demokracia, tre djemtë e mëdhenj, ikën në Greqi. Ndihmesë për të kaluar shëndoshë e mirë ishte jo vetëm afërsia e zonës sonë me kufirin grek, por edhe se dajat e burrit flisnin pak greqisht. Në fillim, ishin shumë armiqësorë për faktin që duhej të kalonin në një “vend kapitalist”, por shumë shpejt e kuptuan që ishte më mirë të punonin sesa të merreshin me politikë. Në Greqi, burri im bashkë me vëllezërit u regulluan shumë shpejt dhe në fillim morën edhe disa kushërinj e më pas burri im vendosi të më marrë edhe mua me vete. Rruga do të ishte shumë e lodhme, natën nëpër pyll. Megjithëse ishim me kushërinjtë e burrit, ishte shumë e frikshme. Në Greqi, ku u vendosëm, im shoq më tha se do të punoja si pastruese në pesë shtëpitë e kushërinjve të tij. Ata do të më paguanin, kuptohet, me një rrogë minimale dhe ne do të kishim mundësi të mendonim për fëmijët sepse puna do të ishte pa orar dhe mund ta merrja fëmijën me vete. Sigurisht që isha dakord, e para sepse nuk dija të bëja punë tjetër dhe e dyta, sepse fjala e burrit nuk bëhej dysh. Dhe kështu, pastroja e gatuaja për të gjithë kushërinjtë e burrit dhe ata më paguanin. Puna ishte e lodhs- hme, sepse ishin të gjithë burra e të gjithë lodheshin e nuk pyesin se mund të lodhesha unë me rrëmujën që shkaktonin. Pastaj, shtëpitë që kishin marrë me qira ishin si haure e stane dhe nuk ngjanin me shtëpitë që kishim lënë në Shqipëri. Megjithëse lodhesha, me burrin ia kalonim mirë dhe unë mbeta prapë shtatzënë. Zoti na bekoi me një vajzë. Ishte me të vërtetë bebe e bukur, me sytë e kaltër si vjehrra ime. Unë kujdesesha për vajzat që të rriteshin dhe pastroja e gatuaja edhe për ushtrinë e kushërinjve.

Pas dy vitesh, linda edhe një djalë dhe me tre fëmijë, punët po vështirësoheshin. Pas dy vitesh të tjera, linda edhe vajzën e tretë e me katër fëmijë, nuk ia dilja më që edhe të punoja. Kështu, im shoq, meqenëse nuk më mbante dot në Greqi me katër fëmijë, mendoi se do të harxhonim më pak në Shqipëri e pastaj do më ndihmonte pak edhe vjehrra, ndaj unë me fëmijët u ktheva dhe burri vazhdoi të jetonte e punonte në Greqi. Në fillim, vinte shpesh. Mua më vinte keq se lodhej e vinte më këmbë malit, natë apo ditë dhe në ato dy ditë që rrinte në shtëpi, s’dinte kë të mbante më shumë, fëmijët, prindërit apo mua. Por, të parët tanë nuk kanë thënë kot “larg syve, larg zemrës”. Kështu, fëmijët rriteshin në Shqipëri me një baba që vinte e i shikonte gjithmonë e më rrallë, me mua që lodhesha deri në palcë, me gjyshër të sëmurë pak nga mosha e pak nga vuajtja gjithë jetën. Pas disa vitesh, vjehrri më parë e pastaj edhe vjehrra, ndërruan jetë. Gjithë atë shtëpi e madhe që kishim ndërtuar me burrin, kujdeseshim me fëmijët ta mbanim, që kur të vinte babai, të ishte sa më e këndshme. Pas vdekjes së prindërve të tij, burri im nisi të vinte gjithmonë e më rrallë. Tashmë, jo vetëm po vinte rrallë, por edhe kur vinte, na ulërinte e na vinte shamatën edhe për gjëra të kota.

Gjithmonë mendoja se e kishte nga lodhja, nga jeta vetëm, pa familje që të kujdesej për të pas pune, por unë kisha qenë budallaqja. Një verë, ai erdhi në shtëpi i krekosur e i larë. Zakonisht, vinte me thes me rroba për të larë e hekurosur, po këtë radhë ishte krejt ndyshe. Në momentin e parë mendova se ndoshta ndonjëri nga kushërinjtë kishte marrë gruan andej me vete dhe e paguanin si mua në fillim, por sapo ra mbrëmja, ai filloi t’u bërtiste fëmijëve kot na së koti dhe unë fillova të dyshoja. Ndërsa dyshimi më rritej thellë në zemër, mendja më thoshte se burri im ishte i pjekur dhe, 45 vjeç, njeriu nuk rrëshqet nga binarët. Por ja që ndodhka! Pas sherrit që bëri me fëmijët, ai ia nisi me mua.

- Ç’më shikon si shtrigë, apo të mban mendja se do më mbash të lidhur me budallëqet e tua.

- Si të të mbaj lidhur, - i thashë, - e ç’lidhje ka shtriga këtu?

- Ja që ju gratë sapo e shihni që u plakët, filloni e shkoni nëpër ato fallxhoret e filxhaneshat tuaja, që burri të mos marrë një nuse tjetër, - tha ai.

- Çfarë domethënë kjo? Nuk je fëmijë, mendohu para se të flasësh! - i thashë.

- E kam menduar, - më tha. – Greçka sigurisht që nuk është kështu plakë, si ti. Ajo di të lahet, të lyhet e të ma bëjë qejfin. Jo si ti, vetëm të punosh arat di e të më thuash që po mban shtëpinë më këmbë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.