Si ta eleminoj mykun në kushte shtëpie?

Intervista - - PYETJE PERGJIGJE PER GJITHCKA -

- Jam lexuese e rregullt e kësaj rubrike. Kam probleme me shtëpinë time sepse ka shumë lagështirë dhe më bëhen muret e shtëpisë shpesh, me myk. Kam provuar lloj- lloj mënyrash, por myku po bën të vetën dhe kam frikë se mos më sëmuren fëmijët, i kap ndonjë alergji. A ka ndonjë metodë popullore se si ta largojmë mykun nga shtëpia?

- E nderuar zonjë, keni të drejtë që jeni e shqetësuar, sepse myku është shpesh shkak i shumë sëmundjeve, sidomos atyre që kanë të bëjnë me alergjinë dhe frymëmarrjen. Ja, disa këshilla që duhet t’i keni parasysh... Së pari, duhet ta thani herë pas here ajrin e shtëpisë me ventilator, pra, të vendosni një freskuese që përdoret për verë me ajër të ftohtë ose edhe të ngrohtë nëse është freskët dhe të thani ambientin, pra, lagështirën. Bëjeni këtë gjë kur jeni jashtë, që të mos ftoheni. Së dyti, mund të përdorni uthullën e bardhë, i cili është një ilaç natyral shumë i mirë për të eleminuar mykun. Merrni një shishe me ujë të nxehtë, hidhni në të dy filxhanë kafeje me uthull të bardhë dhe spërkatni sipërfaqet me myk. Uthullën mund ta përzieni edhe me sodë buke, spërkasni një furçë të vjetër me këtë solucion të përgatitur dhe pastroni me të muret që kanë myk. Soda e bukës dihet që është një baktericid natyral shumë i mirë për të eleminuar mykun. Edhe po ta përdorni në mënyrë të veçantë, pa uthullën, ajo ka efekt. Holloni dy lugë gjelle sodë buke në një shishe të vogël me ujë dhe më pas shtoni edhe dy lugë të tjera me kripë. Përziejini të gjitha bashkë dhe hidhni në të dhe dy lugë ujë të oksigjenuar, nëse keni. Hidheni këtë përbërje në një shishe që përdoret si spërkatës dhe pastroni muret me myk. Këto janë pak a shumë disa metoda të cilat janë testuar dhe kanë dhënë rezultat të mirë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.