Përsëris 20 herë të njëjtin veprim

Intervista - - PYETJE PERGJIGJE PER GJITHCKA -

- Përshëndetje doktor Demiraj! Unë jam një vajzë 21 vjeçe dhe kam një shqetësim shumë të madh, të cilin nuk di me kë ta shpreh. Ndihem shumë e shqetësuar nga kjo që po më ndodh. Më besoni, edhe tani që po ju shkruaj, jam duke qarë... Që në moshë shumë të vogël, më vinin mendime të këqija dhe përsërisja veprimet, por atëhere nuk e kuptoja çfarë po më ndodhte. Tani që jam më e vetëdijshme për veprimet e mia, kam kuptuar se kjo nuk është normale. Unë i përsëris veprimet 3-4 herë, deri 23 herë apo edhe më shumë. Kam mendime të këqia gjatë gjithë kohës, sikur nëse nuk e përsëris veprimin (për shembull, nëse nuk e shtroj çarçafin aq herë) do sëmurem, do vdes.

Qëkur isha në klasë të parë, kur bëja detyrat, kur shkruaja një fjalë, e zhgarravisja, e shkruaja sërish, e zhgarravisja përsëri dhe kjo ndodhte disa herë. Kur isha e vogël, më filluan disa dhimbje në anën e djathtë të barkut dhe motra më tha që ishte apendesiti e duhet të operohesha. Mendimi sikur kisha apendesitin, sikur do të më fillonin dhimbje të mëdha dhe do shkoja në spital të operohesha, filloi të më shfaqej çdo ditë. Për shembull, kur shkoja ne plazh, nuk duhet të vishja ato rroba banjo, por këto të tjerat se në qoftë se do vishja ato, do më bëhej apendesiti. Atëhere isha e vogël, nuk i kuptoja të gjitha këto dhe përsëritja e veprimeve ishte më e pakët, kurse tani vendosa t’ju shkruaj sepse jam shumë e shqetësuar. Kur bëj stërvitje, rrobat, para se t’i lë në vend, duhet t’i vë e t’i marr shumë herë, nën rregulla strikte. Për shembull, nëse i çoj te dhoma tjetër një herë dhe rruga është pa njeri, kur t’i çoj herën e dytë, rruga përsëri duhet të jetë e lirë. Nëse mami e hap derën një herë, më vijnë mendime shumë të keqija, që nëse nuk e hap prapë, do të sëmurem dhe detyrohem ta përsëris veprimin. Pothuaj çdo gjë duhet ta bëj me rregulla strikte. Për shembull, nëse e lë diçka në një vend ku nuk ka sende të tjera, nuk duhet që kur ta marr atë, të jetë i rrethuar nga sende të tjera. Ose nëse e hap dritën unë dhe një person e fik, duhet patjetër ta hapë ai që e fiku dhe jo unë. Nuk e di pse i kam të gjitha këto. Në qoftë se nuk e përsëris një veprim aq herë sa mendoj, jam shumë nervoze e në tension. Theksoj që kam kaluar para 4 vitesh një periudhë mjaft të vështirë për shkak se kam pasur shumë të sëmurë babin dhe nisa të mendoja vetëm gjëra të këqija. Kisha shumë shqetësime të ndryshme atëherë, si marrje fryme, rrahje të shpeshta të zemres, marrje mendsh, mpirje, këputje etj. U vizitova në një psikiatër, i cili më dha të përdorja një ilaç, Flusetin, gjysmë kokrre në ditë, që e përdora rreth 2 vjet. Gjatë periudhës që e përdorja atë, ndihesha shumë mirë. Nuk kisha mendime të këqia, mendoja normalisht dhe veprimet i përsërisja por jo aq shumë herë dhe ndihesha më e qetë. Kam rreth 2 vjet që nuk e përdor më e përsëri më filluan mendimet e këqia, nervozizmi, nuk e duroj dot rrëmujën, më bën shumë nervoze, nuk e duroj dot zhurmën, kur përsëris veprimet nuk dua të ndërhyjë absolutisht asnjë njeri. Përsëritja e veprimeve më merr pothuajse gjithë ditën. Sa zgjohem e deri kur fle, pothuajse çdo veprim që bëj duhet ta përsëris se përndryshe, mendoj se do të më ndodhë ndonjë gjë e keqe. Kjo situatë e padurueshme më ka filluar sidomos në dy muajt e fundit, pasi kam patur edhe diplomën, por edhe tani që e përfundova, ndihem shumë e shqetësuar, me humor të rënë, e mërzitur shumë. Ndihem shumë e lodhur, e kam kokën plot, nuk jam e përqendruar siç kam qenë më parë. Jam shumë nervoze, dua të rri vetëm, kam një mërzitje dhe një shqetësim shumë të madh, më duket sikur do çmendem. Ju lutem, më thoni, çfarë kam? A ka shërim e gjithë kjo? Kështu do ngelem? Çfarë duhet të bëj? Ju faleminderit! Me respekt.

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist:

-E nderuar vajzë, le ta fillojmë këtë përgjigje me disa fjalë të mira... Së pari, të uroj për diplomën, së dyti, të falënderoj për këtë letër aq të qartë e të plotë, së treti, të siguroj se këto që ti ke pasqyruar nuk janë sëmundje dhe as nuk të çojnë në ndonjë sëmundje, por janë gjendje ankthi, keqpërshtatje të cilat në gjuhën psikologjike quhen çrregullime obsesivekompulsive (Cok) e që dikur janë quajtur neuroza. Për të kuptuar më mirë problemin tënd, duhet të kuptosh se çfarë janë këto çrregullime.

Çrregullimet obsesive janë frikëra dhe dyshime të shoqëruara me ankth, janë të gjitha llojet e fiksimeve (vesveset, siç thotë populli). Ato u japin njerëzve gjendje mërzie, trishtimi, lodhje, shtim të rrahjeve të zemrës, mosmbushje me frymë, plus edhe frikëra të tjera të cilat me kalimin e kohës bëhen si të “ngulitura”, për shembull, frikë se mos vdes, se mos çmendem, se mos humb kontrollin etj.

Të gjitha këto quhen mendime obsesive të cilat ty vajzë të vijnë dhe nuk i prodhon mendja jote, ndaj mos u ndjej “fajtore”. Ato e alarmojnë vetëdijen tënde dhe krijojnë edhe ca ide “deralizimi”, aq sa të duket sikur e keqja është e pashmangshme dhe bota po përmbyset mbi ty. Në gjuhën fetare, këto quhen ide ose dyshime për të cilat shkak bëhet “shejtani” ose “djalli” e që fillojnë që nga gjërat e thjeshta (si për shembull, frika për shëndetin) e deri te gjërat e mëdha ( si për shembull për besimtarët, frika nga mospasja e besimit te Zoti etj.). Në mendjen e njeriut, këto paraqiten shpesh aq të “argumentuara” sa njeriu i gjorë, edhe pse e kupton se s’duhet t’i ketë e as nuk ka punë me to, përsëri nuk i shmang dot dhe ato i përsëriten në mendje pa pushim, aq sa i duken të vërteta. Ja, pra, se si u krijuan këto vesvese në formë refleksesh dhe njeriu, në vend që t’u kthejë shpinën dhe të merret me punët e veta të dobishme, rri e merret me to dhe mendja e tij “shpik” lloj-lloj shpjegimesh, deri te kompulsionet. Po kompulsionet, ç’janë?! Kompulsionet janë disa veprime ose rituale (jo logjike) të cilat të kanë ardhur në mendje dhe, edhe pse gjëra kot, të kanë dhënë për momentin pak lehtësi dhe ti i ke përsëritur e krijuar me kalimin e kohës këto rregulla të gabuara, strikte, siç thua ti. Por, në fakt, nuk janë edhe aq strikte sepse përsëri nuk të lë rehat “shejtani”, pasi të kërkon që t’i shtosh ato... Këtu tani kemi të bëjmë me një refleks tjetër të kushtëzuar ( të gabuar), me një keqpërshtatje, duke bërë, pra, veprime që nuk i bëjnë të tjerët, të cilat na bien ndesh edhe me logjikën e megjithatë, vazhdojmë t’i bëjmë. Në mënyrë të gabuar, ju besoni ose ndjeni sikur këto kompulsione (keqpërshtatje) i lehtësojnë obsesionet, kur në fakt, janë ato që i mbajnë gjallë ato.

Kujtoni Pavllovin që eksperimentoi me qenin refleksin e gabuar si diçka e mësuar, duke ia shoqëruar ushqimin me ndezjen e llampës e që më pas llampa i shkaktonte “lëngëzim”, pasi shërbente si “sinjal”, për ushqimin. Kujtoni pastaj se si qeni përsëri u çmësua kur llampa nuk shoqërohej më me ushqim dhe “lëngëzimi” nuk i vinte më pas ca kohësh. Kështu, pra, edhe ju jeni “mësuar” keq e duhet të çmësoheni. Këtë punë nuk e bëni dot vetëm e as nuk e bëjnë ilaçet, por psikoterapia me llojet e saj e disa seanca. Si shembull, po ju tregoj diçka nga jeta ime:

- Në shkollën fillore, gjyshja ime më pati thënë që të mos lejoja njeri të më prekte në fyt se “të bëhet gusha” (një lloj fryrjeje si tullumbace). Gjyshja ma thoshte këtë që të mos zihesha e të mos kapeshim për fyti me të tjerët, mirëpo një ditë unë pashë një njeri me “gushë” dhe filloi të më dhimbte gusha ime, sidomos po të më prekte ndonjë. Ky tani ishte obsesioni dhe dhimbjet i shkaktonte në këto raste psikosomatikja. Kur i tregova gjyshes, ajo më mësoi që t’i fryja çdo sendi që do të më prekte gushën dhe kështu, dhimbja do të më kalonte. Kjo më rezultoi si e “vërtetë”, pra, më dha “rezultat” dhe kushdo që më prekte, qoftë edhe dora ime, duhej që t’i fryja që të më pushonte dhimbja e bezdia që ndjeja te fyti. Ja, këtu u krijua rregulli i gabuar, ose e thënë ndryshe, kompulsioni (keqpërshtatja). Isha në klasë të katërt në fillore, kur pashë babain e një shokut të klasës me gushën të fryrë si balonë e kisha frikë që t’i afrohesha se më dukej sikur po t’ia prekja, do t’i pëllciste dhe ndjeva shumë keqardhje për atë, por edhe për shokun e klasës që mund të mbetej pa baba. Në këtë moment, ndjeja që të më dhimbte edhe gusha ime dhe jakën e golfit e tërhoqa dhe e kalova mbi mjekër. Në shtëpi e hiqja golfin dhe nga ajo ditë, nuk më duronte më fyti as veshjet, madje as shallin. Ja pra, ç’më ndodhi e pyesja veten ç’ishin ato dhimbje. Pse u krijuan? Pse ato m’i “hiqte” në çast fakti që unë i fryja objektit i cili më kishte prekur gushën? Pse filloi të më thoshte mendja se fryrja e objektit duhet të ishte sa më e fortë, përndryshe nuk më pushonte dhimbja? Ndoshta nuk e besoni se ky lloj obsesionkompulsioni më ka shoqëru- ar deri kur u bëra psikolog. Kur ia kuptova “sekretin” dhe kur fillova të përballesha duke e fërkuar sa të mundja fytin e duke mos i fryrë dorës, dalëngadalë u “prish” ky rregull i gabuar, u ç‘reflektua, u çmësua dhe mua nga ky ushtrim, më duket se më është bërë fyti më i fortë e më i duruar sesa qafa. Besoj se u kuptuam. Çrregullimet obsesive kompulsive të cilat janë të ndryshme, janë torturuese dhe ta “nxijnë” jetën, por lajmi i mirë është se ato janë plotësisht të trajtueshme me psikoterapi dhe duhen trajtuar sa më parë sepse të kushtëzojnë kot së koti dhe të prishin cilësinë e jetës. Tani m’u kujtua se si më tha një imam në Mekë për kompulsionet... Ai tha: “Duke bërë kompulsione, ti ia bën “qejfin” shejtanit dhe ai, i gëzuar që po të gënjen, për pak çaste të lehtëson, pastaj ia fillon prapë e të gjen ca stile të reja... me lloj- lloj marifetesh”.

Dikush i ka obsesionet me pastërtinë dhe bën si kompulsione larje të tepruara, pastrime apo shmangie torturuese që të shpëtojë nga ankthi, dikush e ka me rregullin, dikush me frikën nga ndodhitë e supersticionet, dikush me rreziqet dhe shmang vendet e mbyllura, lartësitë, armët, sendet e mprehta etj. Por të mos harrojmë se vetë fakti që klienti është diagnostikuar me këtë çrregullim, e përjashton sëmundjen psikike ( ose psikozën), pasi njeriu është i ndërgjegjshëm që këto nuk duhet t’i ketë, pra është në “luftë” me të, por mjerisht i duket sikur nuk i shmang dot. Jo vetëm trajtimi, por edhe shpjegimi i tyre do “mjeshtëri” të madhe, ndaj studentët e mi kanë frikë kur u bie në provim kjo temë aq “delikate” dhe me keqpërshtatjet pa mbarim e me llojlloj “çudirash”, siç e thamë. Trajtimi me psikoterapi e ilaçe 100 % bimore është i garantuar.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.