Abortova fëmijën për t’u hakmarrë ndaj tij!

Intervista - - FAQE 1 -

E di që pasi ta lexoni mëkatin që kam bërë, pjesa më e madhe do të më quani monstër, por jeta disa herë të vë përballë disa zgjedhjeve shumë të vështira. Më parë po ju them se ka momente kur e humb arsyen dhe të duket sikur asgjë nuk ka më kuptim në jetën tënde, asgjë nuk ka zgjidhje! Në momente të tilla kam qenë kur mora vendimin më të tmerrshëm të jetës sime. Isha vetëm 20 vjeçe kur u njoha me Aljonin dhe njohja jonë nuk ishte nga ato tipiket, që njihesh nga shoqëria, por një njohje, krejt rastësore. Zoti e kishte bërë që rrugët tona të kryqëzoheshin, edhe pse asgjë nuk shkoi mirë mes nesh. Aljoni vinte nga një familje e ngritur, me prindër të edukuar dhe të arsimuar. Atij kurrë nuk i kishte munguar asgjë, e kishin çuar në shkollat më të mira dhe nuk e kishte ndjerë asnjëherë mungesën e parave. Aljoni ishte edhe shumë simpatik, nga ata djemtë që kujdesen shumë për veten, veçanërisht për paraqitjen e jashtme. Ky ishte një faktor plus që më bëri ta pëlqeja edhe më tepër. Unë vija nga një familje mesatare, me një jetesë pothuajse normale, por në të vërtetë, ndryshe nga Aljoni, më mungonin shumë gjëra. Megjithatë, në fillimet tona, ne e gjetëm gjuhën e përbashkët. “Që në momentin e parë që të pashë, mendova me veten se do ishe bash- këshortja ime”, më tha ai më vonë dhe pasi e pyesja se çfarë kishte pëlqyer tek unë, “thjeshtësia dhe buzëqeshja”, më thoshte. Ja, ishin pikërisht këto fjalë të ëmbla që më bënin ta pëlqeja dhe më vonë… edhe të dashurohesha me të. Ndoshta Aljoni dinte të thoshte fjalët e duhura në momentin e duhur.

“Dua që të të prezantoj me prindërit e mi nesër”, më tha një ditë dhe unë u gëzova shumë! Mezi e kisha pritur atë moment sepse për mua, kjo do të thoshte se lidhja jonë po bëhej serioze. Që në momentin që ma tha, në kokën timë vërtiteshin njëqind mendime: “Si do t’u dukem? A do t’u pëlqej? Çfarë duhet të vesh që të lë përshtypje të mirë? Duhet të kem kujdes mos bëj ndonjë gafë para tyre sepse kjo do ishte e pafalshme”, etj. Me pak fjalë, ky takim kishte shumë rëndësi për mua sepse do njihja vjehrrin dhe vjehrrën time të ardhshme. Aljoni më kishte folur diçka rreth tyre, por kur i takon vetë personalisht, është ndryshe. Dhe momenti i shumëpritur erdhi… Gjithë natën nuk fjeta sepse e kisha paramenduar në një mijë mënyra takimin me ta. Edhe nëse do të kisha takuar vetë Presidnetin e SHBA-së, nuk besoj se do kisha aq emocione sa atë ditë. Vesha një fustan të thjeshtë të cilin, për fat të mirë, Aljoni e pëlqeu shumë. Prindërit e tij ishin ashtu siç i kisha menduar, shumë të thjeshtë e të dashur dhe, edhe pse unë gjatë gjithë kohës isha në siklet, mamaja e tij mundohej të më qëndronte sa më afër. Më buzëqeshte gjatë gjithë kohës! “Sa kohë keni që njiheni? Prindërit, me çfarë merren? Sa kohë keni që jeni shpërngulur këtu?”... Këto dhe pyetje të tjera m’u bënë lëmsh në kokë dhe m’u duk sikur po më merrnin në hetuesi. Megjithatë, iu përgjigja të gjitha pyetjeve duke u munduar të mposhtja emocionet. Prindërit e tij kishin profesione të mira dhe ndihesha shumë në siklet nëse ndonjë moment do shprehnin ndonjë pakënaqësi ndaj prindërve të mi, që ishin më të thjeshtë. Kaloi dhe ajo ditë “provimi” dhe pas një muaji, ne u fejuam.

Lumturia ime nuk kishte limite. Po fejohesha me mashkullin e parë që kisha patur në jetë, të cilin edhe e dashuroja. “Falënderoj Zotin çdo natë që të njoha”, i thashë një natë kur po rrinim vetëm në shtëpi. Ai më puthi në ballë dhe buzëqeshi. Aq e bukur më dukej ajo që po përjetoja saqë disa herë thoja me vete: “Mos jam në ëndërr apo po fantazoj?”. Por, jo! Çdo gjë ishte e vërtetë! Unë vazhdoja të jetoja e lumtur deri në momentin e stuhisë që kaploi jetën time. Mendoj se në çdo lidhje, vjen një periudhë kur përjeton momente shumë të vështira, por në lidhjen time, ishte ndryshe… Ajo lidhje më shkatërroi si person, më tjetërsoi komplet. Aljonin nuk e kisha njohur, ai ishte njeri me dy fytyra, me dy personalitete. Sado që të mundohet njeriu të shtiret, vjen një çast që e tradhtojnë veprimet e tij dhe tregon se cili është në të vërtetë. Për fejesë, prindërit e tij na dhuruan një apartament ku bashkëjetonim ne të dy. Dy muajt e parë ishim mirë, por më pas, ai filloi sillej ndryshe! Kthehej në shtëpi një herë në dy ditë dhe atëhere kur vinte, sillej shumë ftohtë me mua. E kuptova që pas gjithë kësaj, qëndronte një femër tjetër. Nuk flisja, nuk u zura me të, nuk i thashë asgjë për dyshimet e mia dhe as nuk fola me prindërit e tij, derisa u sigurova mirë që ai po më tradhtonte...

Një natë, para se të futej në dush, ai futi celularin në karikim dhe iku në kuzhinë për të ngrënë diçka. Ky ishte ai momenti që kisha pritur për t’u hedhur në veprim. Shpejt e shpejt i kapa celularin dhe lexova mesazhe të shumta të shkëmbyera me njërën që quhej Amanda! Zemra m’u copëtua në atë çast, por e përmbajta veten. Në momentin që po e lija celularin në vend, sepse dëgjova derën e frigoriferit të mbyllej, atij i erdhi një mesazh. “Amanda”, mendova me veten dhe pashë mesazhin pa e hapur, sepse sapo kishte ardhur. Ajo i thoshte: “Zemër, do vonohesh edhe shumë? Po të pres!”. E urreva, e urreva Aljonin shumë në atë moment. M’u kthye në një njeri të neveritshëm. Nuk reagova fare, u futa në krevat dhe po bëja sikur po lexoja një libër, ndërkohë që gjithë vëmendjen e kisha tek ai. I ndiqja çdo lëvizje që bënte…

Ai u afrua te celulari dhe sapo hapi mesazhin, buzëqeshi! E mora me mend që i ktheu përgjigje dhe u fut në dush. Mua nuk më foli fare, sikur nuk isha aty në dhomë me të! Sapo ai u fut në banjo, unë u shtriva dhe gjithë kohës qava me kokën e futur poshtë batanijes. Pse duhet të më ndodhte mua kjo? Çfarë mëkati kisha bërë që ta meritoja diçka të tillë? Vendosa që në fillim të flisja me prindërit e Aljonit dhe pastaj, me atë vetë. Të nesërmen shkova të takoja mamin e tij. Kur më pa, ajo më pyeti nëse isha sëmurë. “Jo, doja të flisnim pak”, i thashë. “Sigurisht”, tha ndërkohë që vetëm më shikonte e çuditur sepse sytë i kisha ende të skuqur nga të qarat e një nate me parë. “Më trego, çfarë ke që je në këtë gjendje?”. Ajo m’i bëri të gjitha pyetjet e mundshme, vetëm djalin e saj nuk e përmendi në asnjërën prej tyre. “Aljoni”, i thashë. “Çfarë ka djali? Është sëmurë? Era, fol të lutem, çfarë ka Aljoni?”. Pasi e pashë ngultas, i thashë që Aljoni ishte shumë mirë, por arsyeja pse unë isha në atë gjendje, ishte ai. Ajo u çudit!

“Prit të të sjell një çaj para se të më tregosh”, më tha dhe iku në kuzhinë. Aty u vonua më shumë seç duhej për të bërë një çaj. Pasi u kthye me çajin në dorë, më kërkoi që t’i tregoja, por ende pa mbaruar së treguari, ra dera dhe ajo u ngrit për ta hapur. Mendova se ishte vjehrri, por jo! Në derë u shfaq Aljoni… i nevrikosur.

“Çfarë dreqin do ti këtu?”, më tha.

“Aljon, ulu aty dhe më shpjegoni të dy se çfarë po ndodh”, i tha e ëma.

Aty e kuptova që ajo i kishte telefonuar atij gjatë kohës që kishte qenë duke “përgatitur” çajin në kuzhinë. U nevrikosa më shumë sepse nuk e dija me çfarë qëllimi e kishte bërë atë veprim: Për të mbuluar djalin e saj apo për të marrë vesh të vërtetën tamam?! “Ti më tradhton me Amandën dhe mos e moho këtë sepse e di shumë mirë, të kam parë mesazhet që shkëmben me të. Ti vjen në shtëpi një herë në dy ditë dhe prindërit e tu nuk e dinë këtë”, i bërtita me lot në sy. Ai u bë si i xhindosur sepse nuk donte që e ëma t’i merrte vesh ato gjëra. Një fytyrë i ikte dhe një i vinte! “Të vërteta janë këto që thotë Era?”, e pyeti e ëma.

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.