E ndava burrin se dinte vetëm të punonte!

Intervista - - FAQE 1 -

Ju ka ndodhur ndonjëherë që të gjitha të këqijat të mblidhen në të njëjtin vend? Ndoshta jo dhe ndoshta po… Ja, kjo më ka ndodhur mua. Unë jam një 30 vjeçare nga një fshat i Elbasanit, kam mbaruar ciklin e parë të studimeve për cikël të ulët dhe nuk e vazhdova më tej, sepse prindërit e mi vendosën që kishin bërë shumë për mua, krahasuar me fëmijët e tjerë të familjes. Ajo që ishte e rëndësishme për ta më pas, është se unë duhet të krijoja familje, pra, duhet të gjeja një burrë dhe të martohesha. Këtu fillon edhe historia ime...

Ne, në fshat, kemi një koncept disi ndryshe për jetën: Nëse nuk martohesh deri në 25 vjeçe, zor se gjen burrë. Unë e kisha kaluar këtë moshë dhe meqë nuk kisha gjetur dikë me dashuri, duhet të martohesha me mblesëri. Një kushërira ime ndërhyri për një djalë nga qyteti, i cili jetonte në Greqi bashkë me familjen. Pranova, e takova dhe si fillim, m’u duk normal. Nuk fliste shumë dhe e ëma lavdërohej: “Si do të jetosh ti, si mbretëreshë!”. Ata më bënë gjithë ato dhurata. Si fillim, kontaktet nuk ishin aq të shumta, pasi ata u kthyen përsëri atje. Flisnim shpesh në telefon dhe ndihesha mirë. Mendoja që edhe unë së shpejti do shkoja atje, krijoja ato ëndrrat e mia për jetën. Është normale për një vajzë nga fshati të ndihet e lumtur që largohet. Megjithëse fshati ka ndryshuar, puna atje vazhdon të jetë e vështirë. Prindërit e mi merreshin me blegtori, ndaj duhet të çoheshe shpejt dhe t’i ndihmoje. Kur mendoja për motrën time që ishte martuar në qytet, ndjeja pak zili. Gjithashtu, edhe për ato vite kur studioja. Mendoja gjithmonë të bëhesha mësuese dhe babi ishte përpjekur shumë të më rregullonte një punë të tillë, madje edhe para kishte ofru- ar, por ishte shumë e vështirë sepse edhe paraja sot nuk ka vlerë, po nuk pate mikun e duhur. Kështu, ndjenja që do jetoja në Greqi, më pëlqente. Kaluan 6 muaj dhe u vendos që duhet të bënim celebrimin. Kështu bëmë dhe burri im, bashkë me prindërit, erdhën për një javë, kështu që atë javë unë vajta të jetoja bashkë me ata. Atë javë, kur zgjoheshim në mëngjes, vjehrri bashkë me burrin vishnin rrobat e punës dhe shkonin të punonin te shtëpia tjetër që kishin në pronësi aty afër. U çudita sepse mendova se, si nuse e re, a nuk duhet të gëzoja pak dhe nuk duhet të dilja të shijoja javën e parë të martesës? “Hajt, thashë, kur të vijë mbasdite, do të dalim”.

Atë ditë të parë me vjehrrën në shtëpi, ajo mburrej për burrin e saj që ishte i zoti t’i bënte të gjitha zanatet. “Nuk kemi se pse të marrim punëtor”, thoshte. U bë dreka gati, vajti ora 2 dhe ata nuk po vinin asnjëri, vajti vjehrra t’i thërriste dhe kur erdhën, ç’të shikoje?! Ishin bërë pis nga këmbët te koka. Hëngrën drekë dhe mendova se burri im do lahej dhe do shtrihej, por i ati i tha të birit: “Hajt, të mbarojmë për sot”. Unë ngela. Nuk mund t’i thoja asgjë, se do dilja si nuse e keqe. Ata ikën përsëri dhe erdhën në të errët. Ajo ditë iku ashtu, me fjalët e vjehrrës që më tregonte për djalin tjetër, që jetonte në Hollandë. Në darkë, kur isha vetëm me tim shoq, iu ankova që gjithë ditën ai iku dhe as që dolëm, ndërkohë që edhe pak ditë dhe ai do largohej përsëri. Të nesërmen, po ai avaz dhe vetëm ditët e fundit, ndryshoi diçka. Ata u larguan dhe mund të them se mua më mbeti një shije e keqe, por çfarë të thoja? Që ata e kanë gabim që punojnë? Ata me këtë gjë lavdëroheshin, se kishin tre shtëpi. Megjithëse nga njëra anë më pëlqente që kisha marrë një njeri punëtor, nga ana tjetër ndihesha pak keq, se njeriu e bën një javë pushim për të shijuar kënaqësinë e martesës! Nga ajo javë, jo vetëm nga im shoq, por edhe nga vjehrra, nuk ndihesha edhe aq mirë. Gjithë kohën ajo kërkonte vetëm punë dhe lavdërohej se e kishte dorën plot me lekë.

Kur u ktheva në shtëpi, nuk dija si t’u thosha prindërve, se e dija që nuk do të më kuptonin. Fola me motrën për këtë gjë dhe ajo më tha se mund ta gjeja një zgjidhje dhe se, me kalimin e kohës, mund të ndahesha veç nga vjehrra dhe vjehrri, si çdo çift i ri. Periudha kaloi dhe erdhi koha kur unë do të nisesha për në Greqi. Erdhën të më merrnin dhe ndihesha e lumtur. Mendoja për jetën time të re, ndonëse im shoq ishte i heshtur dhe rrallë, i ekzaltuar.

Ata kishin vërtet shtëpinë e tyre dhe nuk mund të them se ishte keq, por i shikoje shumë rrangulla nëpër oborr, dushe, dyer e hekura, sikur ishte pikë grumbullimi e jo shtëpi. Megjithatë, ato ditët e para dola të shikoja vendin. Ishte vërtet i bukur, nuk kishte të krahasur me këtu, por kjo fazë kaloi shpejt dhe brenda dy javëve, filluan grindjet. Më ngjante vetja si skllave e jo si njeri. Gjithë ditën duhet të bëje punë dhe as që bëhej fjalë për ndonjë kënaqësi. Edhe pse i thoja burrit, ishte sikur flisja me një mur që ngrinte supet, më merrte me të mirë e më blinte diçka, sikur të isha fëmijë. Pas një muaji debatesh u ndamë nga prindërit e tij, morëm një shtëpi aty afër dhe i zoti i shtëpisë na dha të gjitha orenditë. Burri punonte, por vjehrra nuk ndahej që nuk ndahej, vinte o në drekë, o në darkë. Në një moment vura re që i dha diçka të pinte tim shoqi.

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.