Çfarë dini për nuhatjen?

Intervista - - TEST -

Çfarë dini për shqisën e nuhatjes? Bëni kuicin tonë, për ta kuptuar. 1. Sa aroma të ndryshme mund të nuhasë njeriu: a. Një milion b. Një miliard c. Një trilion 2. Cila kafshë ka një shqisë më të zhvilluar nuhatjeje sesa një zagar? a. Balena vrasëse b. Ariu 3. Hunda mund të lodhet duke punuar: a. E vërtetë b. Gënjeshtër 4. Është e vërtetë që parfumet kanë aroma të ndryshme, në njerëz të ndryshëm: a. E vërtetë b. Gënjeshtër 5. Kush janë më të mirë në nuhatjen e erës së djersës: a. Burrat b. Gratë 6. Aroma mund të sjellë kujtime: a. E vërtetë b. Gënjeshtër 7. Çfarë ndikon te shqisja e nuhatjes: a. Ilaçet b. Duhani c. Të dyja 8. Hunda mund të “stërvitet”: a. E vërtetë b. Gënjeshtër 9. Shija dhe nuhatja janë të lidhura me njëra-tjetrën: a. E vërtetë b. Gënjeshtër 10. Ne mund të nuhasim edhe kur jemi në gjumë: a. E vërtetë b. Gënjeshtër PËRGJIGJET 1. Përgjigjja e saktë është c-ja. Deri tani, njerëzit nuk mbaheshin për nuhatës të mirë, por studimet e fundit kanë zbuluar se hunda jonë mund të perceptojë një numër gjigand aromash, një trilion, apo edhe më shumë. Imagjinoni sikur të ishin të gjitha në një banak parfumerie. Në krahasim me hundën, syri mund të dallojë vetëm afro 10 milionë ngjyra. 2. Përgjigjja e saktë është b-ja. Njerëzit zotërojnë 40 milionë receptorë, një qen mund të ketë afro 2 miliardë, por shqisa e nuhatjes së një ariu është shtatë herë më e fuqishme sesa ajo e një zagari gjahu. Arinjtë e përdorin hundën për të gjetur ushqim, evituar rreziqet dhe lokalizuar partnerët. Balena vrasëse mendohet se nuk ka fare shqisë nuhatjeje. 3. Përgjigjja e saktë është a-ja. Shumë aroma të fuqishme njëherësh mund ta bëjnë hundër të mpihet. Kjo quhet “lodhja e nuhatjes”. E njëjta gjë ndodh kur rri për disa kohë në kuzhinë. Ti nuk i ndjen më aromat e mira rrotull teje, përveçse nëse del nga dhoma dhe pastaj kthehesh prapë. 4. Përgjigjja e saktë është a-ja. Është e vërtetë, pra, nëse ti dhe shoqja jote hidhni të njëjtin parfum, ai nuk mban erë njëlloj. Kjo ndodh për shkak të kimisë së trupit. Secili prej nesh ka një lëkurë të ndryshme, për shembull, të thatë apo me yndyrë dhe secili, me një përzierje unike elementesh, si kripërat minerale, proteinat dhe qimet. Kur kimikatet e parfumit reagojnë me lëkurën tuaj, ju prodhoni aromën tuaj të veçantë. 5. Përgjigjja e saktë është b-ja. Është e vështirë ta fshehësh erën e djersës nga një grua. Kur studiuesit u përpoqën të maskonin erën e trupit me një erë tjetër, 19 nga 32 burrat u gënjyen, ndërsa nga gratë, u gënjyen vetëm dy. 6. Përgjigjja e saktë është a-ja. Disa erëra mund të risjellin në mendje kujtime të fuqishme. Aroma e kekut me mollë, mund t’ju kujtojë kur e gatuanit me gjyshen; era e klorit, atë të mësimit të parë të notit. Në këtë drejtim, shqisa juaj e dëgjimit nuk e ka fuqinë e asaj të nuhajtes, thonë studiuesit. 7. Përgjigjja e saktë është c-ja. Si duhani, ashtu edhe ilaçet, si antibiotikët apo ilaçet kundër tensionit, mund të ndikojnë në punën e hundës. Edhe problemet me sinuset, gripi apo rrufa, apo një dëmtim i kokës, mund të ketë të njëjtin ndikim, ashtu si edhe sëmundjet e Parkinsonit, apo Alzhaimerit. Disa gra thonë se shqisa e tyre e nuhatjes bëhet më e fortë kur janë shtatzëna. 8. Përgjigjja e saktë është a-ja. Ju mund të mos bëheni aq të mirë, sa të filloni punë si krijues parfumesh, por mund ta mprehni nuhatjen tuaj. Ja, një mënyrë stërvitjeje: Vini erëza apo bimë në një shishe dhe përziejini. Merruni erë ngadalë me sytë e mbyllur dhe praktikohuni derisa të bëheni të mirë në identifikimin e aromave. 9. Përgjigjja e saktë është a-ja. Ja, përse, kur jeni të ftohur, ushqimet duken ndryshe. Shijimi i ushqimit është një përzierje mes shijes dhe nuhatjes. Kur e keni hundën e zënë dhe nuk mund të nuhatni, ideja juaj e shijes ndryshon krejtësisht. 10. Përgjigjja e saktë është b-ja. Ne zgjohemi nga gjumi dhe nuhasim aromë kafeje, nuk është kafeja që na zgjon nga gjumi. Në stadet e fillimit të gjumit, disa aroma mund të jenë në radarin tonë, por pasi na zë gjumi, aromat nuk na zgjojnë. Ja se pse, njerëzit vënë alarme ore me tinguj dhe jo me aroma.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.