Ish-burri i nxori syrin djalit për një bjonde

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Jo si ti, vetëm të punosh arat di e të më thuash që po mban shtëpinë më këmbë.

Mua m’u shemb toka nën këmbë.

- Cila greçkë po thua, i ke mendtë në kokë, apo jo? – i thashë, ndërkohë që dora zuri të më dridhej.

Në atë moment, edhe djali që po e dëgjonte, u ngrit në këmbë. Ai më doli përpara si mburojë se e pa që i ati u bë gati të më qëllonte dhe i tregoi grushtat, por nuk ishte e thënë, burri qëlloi djalin të parin me shpulla e pastaj m’u sul mua. Në momentin e parë, u përpoqa të mos bërtisja, që të mos na dëgjonin fqinjët, por vajzat dëgjuan rrëmujën dhe vrapuan për në kuzhinë. Sigurisht, u përfshinë edhe ato në përleshje me të atin. Atë natë nuk e mora vesh se kush u rrah më shumë, burri im apo unë dhe fëmijët. Vajzës së vogël i rridhte hunda gjak nga ndonjë goditje, djalit iu nxinë brinjët. Mua më ishin nxirë të dyja këmbët se ai arriti të më binte me nja dy shkelma të fortë. Në këtë gjendje, arrita të mbledh fëmijët e të mbyllem në dhomën e gjumit me ta.

Të nesërmen në mëngjes, ai filloi të bërtiste nga korridori që do shkonte në gjykatë dhe do të më sillte mandatin e divorcit. Kështu bëri, shkoi në qytet, bëri kërkesën për divorc dhe pas njëmbëdhjetë muajsh, ne ishim të ndarë. Në gjyq kërkova edhe ndarjen e pasurisë sepse kisha lënë kockat në atë shtëpi, por gjyqi e ndau shtëpinë për faqe të zezë. Mua dhe fëmijëve na dha kuzhinën dhe një dhomë gjumi, domethënë, pa banjë, ndërsa atij korridorin, aneksin dhe dy dhoma, bashkë me banjën. Sigurisht, i kishte dhënë ndonjë dhuratë gjykatësit, por e gjithë kjo nuk do të ishte asgjë para asaj që do të më vinte pas tre vitesh divorc.

Isha mësuar tashmë që ai nuk vinte, fëmijët ishin rritur, vajza e madhe po mbaronte shkollën e mesme, djalit dhe vajzës tjetër u duheshin edhe ca vite. Vëllai im kishte një shok që punon në bashkinë e qytetit e ai ndërhyri te kryetari i komunës dhe më morën në punë si pastruese. Ajo rrogë më dha dorë sepse i mbyllja ca halle. Jo se isha rehat, por isha mirë.

Një ditë të bukur, ish-burri erdhi me “greçkën” e tij për të jetuar në Shqipëri. Kishte edhe dy fëmijë me atë tjetrën. Ajo na ishte një bjonde që lodhte edhe pasqyrën teksa lyhej e pispillosej gjithë ditën. Sigurisht, e pamësuar me punët e shtëpisë e sigurisht, jo me kushtet e Shqipërisë, filloi të më binte mua në qafë. Pak më kishte nxirë jetën që më kishte prishur kurorën, por tashmë me ato dy fjalë që kish mësuar shqip, filloi të ngacmonte fëmijët dhe mua. Një ditë iu përvesha në greqisht dhe i thashë që të mbyllte gojën se ndryshe do ta zija me dru. Ajo, këtë kërkonte, shkoi e bëri denoncim në polici se e kisha kërcënuar. Policia sigurisht më nxori mua fajtore, se me të vërtetë e kisha kërcënuar. Tashmë, çdo gjë mu nxi. Më dukej se edhe pemët që kisha mbjellë për fruta në oborrin e shtëpisë, ishin me nerva. Gjithë kohën, ajo fliste matanë gardhit e më tërbonte. E kishte vendosur të më çonte në burg. I tregova vëllait tim se ç’më bënte gjithë ditën ajo dhe ish-burri, pasi kthehej nga puna. Im vëlla, meqenëse nuk më ndihmonte dot ndryshe, në vend të gardhit që na ndante oborrin, erdhi e më ndërtoi një mur dy metra të lartë, në mënyrë që ajo të mos kishte mundësi të më fliste drejtpërdrejt, por kjo shërbeu si zjarri për dinamitin.

Fjalët nuk ishin më asgjë. Ajo më hidhte mbeturina e sende të ndryshme sapo dëgjonte që ne dilnim në oborr. E pashë se qëllimi i saj ishte të na godiste. Një ditë, vajza e vogël, ndërsa nisej për në shkollë, në mëngjes, hëngri një copë ashkle të madhe fytyrës. Shpëtoi mirë pa i nxjerrë sytë. Shkuam në polici, por nuk morëm as zgjidhje e as përgjigje. “S’kemi ç’të bëjmë, zgjidhini vetë problemet familjare”, na thanë.

Hidh gurë e drurë ajo në oborrin tonë e hidh fjalë e vrer ish-burri. Më prenë ujët e çezmës, më vidhnin korrentin. Kur e kuptova, e ndërrova linjën të tërën që nga shtylla. Në verë, kur dritaret rrinë të hapura, më hodhi brenda një dru të ndezur, që të më digjej shtëpia. Falë Zotit, kisha harruar punëdoren në shtëpi, që u ktheva dhe fika zjarrin e sapovënë, por edhe me këtë, policia nuk u bind.

Një ditë, ndërsa djali dhe vajza e vogël ktheheshin nga shtëpia, greçka kishte dalë në portë dhe i shante që të dy. Ata, të mësuar me provokimet e saj, nuk i kishin folur, por i ati i fëmijëve u ishte hakërryer e ishte turrur t’i binte çupës. Sigurisht që djali ishte hedhur të mbronte të motrën, ishte përzier edhe greçka e një lëmsh i madh, turpi i fshatit! Babai që del e rreh fëmijët në mes të rrugës!

Fatmirësisht, gjithë këtë e kishin parë edhe disa bashkëfshatarë që u treguan të gatshëm të na dilnin dëshmitarë në polici që ish-burri ishte sulur i pari të rrihte vajzën. Policia e nxori greken që të nesërmen, ndërsa ish-burrin tim e mbajti vetëm dy javë. Në këto dy javë, ai jo vetëm që nuk i kishte vënë gishtin kokës se ç’kishte bërë, por ishte tërbuar edhe më shumë.

Dy ditë pasi u kthye nga burgu, filloi të kërcasë. Një herë u zu me bjondinën e tij në shtëpi. Ulëritën fëmijët, ulëriti gruaja e tij e na tmerruan, por fundja, aq kohë sa kisha fëmijët e mi mirë, s’po merakosesha. Nuk do të zgjaste shumë dhe ai, një ditë, ndërsa dilte nga porta e shtëpisë, m’u lëshua mua. Më gjuajti disa herë, aq sa nuk më la asnjë sekondë kohë jo që t’ia ktheja gjuajtjen, por as të mbrohesha. Nga goditjet e tij të furishme me theu tri brinjë dhe parakrahun e majtë. Ndërsa djali doli me vrap për të më mbrojtur, se ne ia kishim frikën, ai e goditi në kokë me grushta. Me siguri, ndonjëra nga goditjet do të ketë qenë me unazë në sy sepse djalit i filloi gjaku e s’e merrnim vesh nga vetulla apo syri. Mes gjithë atyre ulërimave, komshiu arriti të na nxjerrë nga duart e tij dhe të dërgonim djalin në spital, por ishte e kotë. Djalit i ishte dëmtuar syri. Mjekët e qytetit i bënë një qetësues e na thanë të niseshim urgjent për Tiranë. U nisëm ashtu pa para, pa një njeri të shkathët që të na ndihmonte, megjithëse mjeku që ishte me ne në ambulancë u përpoq me të gjitha mundësitë e tij. Arrita të lajmëroja vëllain tim të vinte e të më gjente në spital. Kur arritëm në spital në Tiranë, djalin e futën menjëherë në opracion, por syri i kishte shkuar.

Më mbeti djali qysh 17 vjeç me njërin sy, vetëm për një bjonde greke... vetëm nënat mund të më kuptojnë për fatkeqësinë time. Sot, nuk më duhet fare nëse ish-burri im është në burg apo jashtë, djalit tim nuk i vjen më drita e syrit që ia mori i ati...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.