Humba 100 mijë euro për një budallallëk!

Intervista - - RREFIME MEKATARESH -

E mora djalin në telefon. Ai na ishte prezantuar me kartë identiteti dhe të krijonte një besim të plotë. Takimin e lamë në një hotel, pasi gjithçka po e bëja pa dijeninë e gruas. Djali erdhi me “stafin e tij të punës”.

Ata erdhën, morën shumën time prej 100 mijë eurosh. Të njëjtën shumë kishin sjellë edhe ata. Plus kësaj, ata kishin sjellë edhe prerje kartmonedhash pa asnjë lloj ngjyre apo figure, në mënyrë që me solucionin që kishin, t’i kthenin edhe ato në kart- monedha, si gjithë të tjerat. Filluan dhe në sytë e mi i morën të gjitha kartmonedhat, ato reale dhe ato që ishin vetëm prerje bosh, i bashkuan, i vendosën nëpër kuti dhe filluan t’i lyenin me një solucion, i cili do të stamponte karmonedhat reale, tek ato që ishin vetëm prerje bosh. Mbasi mbaruan punë, ata thanë se do vinin të nesërmen në të njëjtën kohë që t’i kontrollonim dhe të merrte secili shumën që i takonte.

Atë ditë nuk më zuri gjumi fare, të gjitha lekët ishin poshtë dyshekut tim në hotel, sepse siç më kishin thënë, ato donin diçka të rëndë që të stampoheshin te njëra-tjetra. Doja t’i shikoja, por kisha frikë se mos i prishja me duart e mia dhe nuk e merrja këtë guxim. Gruas i kisha thënë se atë ditë do të shkoja të flija te një shoku im. Për të mos u zgjatur, djemtë erdhën ditën tjetër në hotel për të hapur kutitë me kartmonedha. Kur ata filluan që t’i hapnin, zemra ime filloi të rrihte fort, si asnjëherë tjetër. Mezi prisja të shikoja se çfarë kishte ndodhur. Kur ata e hapën kutinë, ç’të shikoje? Paratë kishin marrë një ngjyrë të kuqërremtë si të karbonizuar dhe kur ata i preknin me dorë, ato thërrmoheshin. Për momentin, thashë se më iku truri, djemtë m’u drejtuan mua duke më bërtitur: “Çfarë ke bërë kështu, pse i ke hapur lekët në dritë?!”. Unë po habitesha për ato që po më thoshin dhe e mbërtheva njërin prej tyre duke i vënë krahun në grykë gati për ta mbytur. U thashë: “Më ktheni eurot, se shoku juaj do vdesë këtu”, por katër të tjerët hapën derën dhe ikën me vrap. Unë e kisha kapur djalin me gjithë fuqinë time dhe e pyesja se ç’u kishte bërë eurove. Ai mundohej të më shpëtonte nga duart dhe më thoshte se nuk dinte gjë. E mblodha veten dhe e lëshova me mendimin: “Mirë që lekët i humba, po të mos bëj burg për vrasje”...

Ai ka qenë momenti më i vështirë i jetës time. Edhe sot e kësaj dite nuk di t’jua shpjegoj se çfarë ndodhi atë ditë; vetëm një gjë është e sigurtë, se ata, eurot e mia, i kishin marrë dhe komplet eurot që u hodhën në lojë, ishin prerje fallco. Ju do të thoni: “Pse nuk e njoftove policinë?”. Ishte më se e kotë ta bëja një gjë të tillë, sepse në këtë rast isha edhe unë fajtori, që i kisha përkrahur duke futur lekët e mia në lojë. I mora të gjitha kartmonedhat, i futa në një çantë, por këmbët nuk më bënin të shkoja në shtëpi. Çfarë të bëja? Çfarë t’i tregoja gruas? Në momentin që ia thashë atë që kisha bërë me pasurinë e një jete të tërë, ajo kaloi në depresion dhe sot e kësaj dite vazhdon të kurohet në një nga spitalet e Belgjikës. Unë kam mbetur i vetëm, pa pasuri, pa bashkëshorten time dhe pa fëmijët e mi, që më kanë mohuar për veprimin që bëra pa i pyetur pjesëtarët e familjes, gabim që vazhdoj ta vuaj duke gjetur ngushëllim te duhani dhe te pija. Çdo ditë i lutem Zotit që bashkëshortja ime të kthehet në realitet dhe të ma falë gabimin më të madh të jetës sime.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.