Vëllai do ta shesë shtëpinë pa dëshirën time. Si të veproj?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Përshëndetje avokat! Përgëzime për përgjigjet që na jepni; jeni shumë i qartë dhe jepni detaje për ne. Unë kam një pyetje. Jam bashkëpronar me vëllain në një shtëpi të cilën na e kanë lënë trashëgim prindërit të dyve dhe ne e lamë me qira. Tani, vëllai im do që ta shesë shtëpinë, por unë nuk jam dakord dhe, për këtë arsye, ka lindur një konflikt i madh. Ai më thotë që “unë e shes dhe ty nuk të pyes”. Ai vërtet ka investuar më shumë, sepse ka futur mobiljet e reja, ama unë i kam thënë “t’i paguaj unë mobiljet, por shtëpinë mos na e shit”. Unë dua ta refuzoj këtë shitje. Çfarë rruge ligjore të ndjek? Cila është procedura dhe kujt i jep të drejtë ligji? Faleminderit. Valentina.

Ju falënderoj për vlerësimin, zonja Valentina!

-

Duraj Law Firm Rr. "Kavajës", Pll. "Pienvis", K. 3, No. 11. Tirana-Albania

Lidhur me problemin që ju keni dua të sqaroj se: Përsa i përket pyetjes, më lejoni fillimisht t’ju bëj një përmbledhje rreth kuptimit të trashëgimisë dhe pastaj t’ju këshilloj për rastin konkret. Në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë përcaktohet se: “Trashëgimia është kalimi me ligj ose me testament i pasurisë (trashëgimit) të personit të vdekur, një ose më shumë personave (trashëgimtarë), sipas rregullave të caktuara në këtë Kod. Trashëgimia me ligj: Zbatohet kur trashëgimlënësi nuk ka bërë testament, ose ka bërë vetëm për një pjesë të pasurisë së tij, ose kur testamenti është tërësisht ose pjesërisht i pavlefshëm. Trashëgimia çelet në kohën kur vdes trashëgimlënësi dhe në vendin ku ai ka patur banimin e tij të fundit. Kur ky nuk dihet, trashëgimia çelet në vendin ku ndodhet e gjithë pasuria e tij ose pjesa kryesore e saj. Ajo rregullohet sipas ligjit të kohës kur është çelur.

Është e pavlefshme çdo marrëveshje me të cilën disponohen ose përdorohen të drejta që rrjedhin nga një trashëgim ende i paçelur. Ka zotësi për të trashëguar personi që në kohën e çeljes së trashëgimisë është gjallë, ose është zënë para vdekjes së trashëgimlënësit dhe ka lindur i gjallë. Trashëgimia me testament: Testamenti është një veprim juridik i njëanshëm i kryer nga vetë trashëgimlënësi, me anë të të cilit ky disponon pasurinë e tij për kohën pas vdekjes.

Testamenti nuk mund të bëhet prej dy ose më shumë personave po në një akt, as edhe në dobi të një të treti, as me disponime reciproke. Testament mund të bëjë çdo person që ka mbushur moshën 18 vjeç, si dhe gruaja nën këtë moshë, kur është e martuar. I mituri nga 14 gjer në 18 vjeç mund të bëjë testament vetëm për pasurinë që ka fituar me punën e tij. Personi të cilit me vendim gjyqi i është hequr zotësia për të vepruar, si dhe ai që në kohën e bërjes së testamentit nuk është në gjendje për të kuptuar rëndësinë e veprimit të tij, nuk mund të bëjë testament.

- E nderuar zonjë, përsa i përket shqetësimit tuaj, nëse mund ta shesë vëllai juaj shtëpinë që keni në bashkëpronësi, duhet të rrini e qetë pasi kjo është një pronë e përbashkët dhe nuk mund të shitet vetëm me miratimin e vëllait tuaj. Pra, për t’u shitur kjo pronë, duhet të firmosni edhe ju përpara noterit, pasi në certifikatën e pronësisë ju ekzistoni si pronare me pjesë të barabarta, ashtu sikurse edhe vëllai juaj.

Noteri nuk kryen veprim të paligjshëm për të shitur një pronë pa miratimin e bashkëpronarit, pasi ka pasoja të rënda penale dhe ky veprim juridik është nul. Nëse vëllai ka bërë rregullimin dhe mobilimin e shtëpisë, kjo nuk do të thotë që atij automatikisht i takon gjysma e pronës. Unë mund t’ju këshilloj që të gjeni rrugën e mirëkuptimit përsa i përket shlyerjes së shpenzimeve që ka bërë vëllai për shtëpinë. Nëse nuk e gjeni gjuhën e përbashkët për të jetuar të dy në të njëjtën shtëpi, atëhere ju mund ta vlerësoni shtëpinë me çmimin e tregut dhe njëri nga ju të japë shumën e shtëpisë për gjysmën e pronës, kurse tjetri të mbajë të gjithë pronën. Nëse i keni konsumuar të gjitha rrugët e mësipërme dhe keni dështuar, atëhere duhet të bini me pajtetër në marrëveshje për ta shitur apartamentin me çmimin e tregut dhe ju të merrni gjysmën e pagesës nga shitja e tij. Jeni e mirëpritur pranë Studio Ligjore “Duraj” për të marrë një konsulencë më të detajuar!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.