A shërohet autizmi me hipnozë?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Ju përshëndes! Kam një pyetje për doktor Jashar Demirin. I nderuar doktor, në radhë të parë, respektin maksimal për ju. Pyetja ime është kjo: Me hipnozën tuaj, a mund të shërohet autizmi? Kam djalin 6 vjeç me autizëm, ndaj jam e shqetësuar dhe po pres një përgjigje nga ana juaj. Faleminderit.

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: - Ne psikologët themi: Mos e jep përnjëherë lajmin e keq. E kam mbajtur disa javë në sirtar këtë letrën tuaj jo se kam harruar t’i përgjigjem, por më “dhemb” jo pak kjo përgjigje, pasi nuk mund të shërohet autizmi me hipnozë. Kam qenë edhe unë për pelegrinazh në vendet e shenjta dhe kam parë se si atje i sjellin fëmijët autikë, në mjaft raste, me shumë shpenzime e mundime. E kam patur të vështirë t’jua thoja troç: Mos u lodhni kot nëpër male e vende të largëta e aq më keq nëpër yshtarë, sepse për fat të keq, autiku sot për sot, është pak i shërueshëm, pasi si të thuash, ai i tillë është “gatuar” dhe dikujt ai do t’i binte për pjesë. Në këto raste, duhet pranuar ajo që shpesh besimtarët e quajnë “pranimi i caktimit të Zotit”. Po të ishte se autiku shërohej me hipnozë, unë do të punoja ditën e natën pa u ndalur për të shëruar djalin autik të profesor Edmond Tupes, të cilin e kam mik të vjetër dhe e çmoj shumë si profesor e si njeri. E dua jo vetëm si ish-profesori im, por ca më shumë për kurajon e dinjitetin që ka, për mençurinë e burrërinë do t’i quaja, për trimërinë e treguar në përballjen me autizmin e të birit. Ai ka shkruar edhe një libër mjaft interesant për autizmin, pasi tani ai është bërë doktor ca më i mirë sesa ne doktorët për autizmin. Mbaj mend se kur ai mori lajmin e hidhur se djalin e kishte autik, u traumatizua shumë, mirëpo shpejt e mblodhi veten e më pas e kam ndjekur dhe më ka befasuar me dijenitë që ka marrë për autizmin, si dhe për kurajon ndaj “fatkeqësisë” së djalit të tij, Gesit. Vlen për t’u lavdëruar fakti se, krahas përkushtimit e shërbimit shumë dinjitoz ndaj të birit, ai, bashkë me të shoqen, nuk e “humbën” jetën e vet duke u çorientuar sikur t’u kishte rënë ndonjë bombë, por e jetojnë atë denjësisht me punë, me shijen e ëmbël të djersës, me kënaqësitë e të gjitha çfarë ka krijuar Zoti për të mirën e njeriut. Profesor Edmond Tupen e sheh kudo nëpër leksione, veprimtari, emisione etj., ka shkruar shumë libra dhe ka përkthyer jo pak të tillë, ka thyer disa tabu e ndër të tjera, edhe tabunë për autizmin. Nuk thonë kot: “Mos pyet për një njeri se sa jetoi e se ç‘pasuri kishte, por se si jetoi”. Në të gjitha këto që bën ky profesor, të cilin e sheh kudo me biçikletë, bie në sy jo vetëm energjia e durimi i tij, por edhe të jetuarit e jetës me mend e pa atë brengën e pashmangshme, sepse dihet që jeta duhet ndërtuar, porse në ca gjëra, ajo duhet jetuar ashtu si t’i vijë e kjo dihet. Shumica e harrojnë këtë gjë të cilën ne psikologët e quajmë sfidim.

- Vajza ime psikologe, kur e ka njohur “xhaxhi Mondi Tupen” dhe kur ia ka lexuar librat, më ka thënë: “Babi, ky nuk është njeri, ky është Mbinjeri, një monument i gjallë, një shembull unik!”. Më kujtohet shpesh kjo thënie e vajzës dhe shpesh e kujtoj edhe lutjen e një besimtari i cili i lutej Zotit vetëm me këtë fjalë: “Zot, më jep fuqinë e durimit që të ndryshoj gjërat që ndryshojnë, të duroj gjërat që nuk ndryshojnë dhe t’i dalloj gjërat që ndryshojnë nga gjërat që nuk ndryshojnë”. Kështu, pra. Ndërkohë, shkencëtarët po vijojnë kërkimet edhe për autizmin pasi normalisht sëmundje të pashërueshme nuk duhet të ketë, se edhe në librat e shenjtë thuhet se nuk ka sëmundje për të cilat Krijuesi nuk bëri edhe ilaçin, por, se kur do vijë dita që të shpiken apo gjenden ilaçet për disa sëmundje sot për sot të pashërueshme, këtë nuk mund ta themi. Edhe materialet me të cilat ndërtohet sot avioni, këtu në tokë kanë qenë e në tokë janë gjetur, porse kjo gjë nuk u arrit ndër shekuj, por vetëm gjatë shekullit XIX. Shembullin e gjallë me profesor Tupen nuk e solla për t’ju ngushëlluar juve e as për të nderuar profesorin, se ai nderon veten, por për të treguar se më e keqja e këtyre sëmundjeve është se kur ato na behin në shtëpi, “sëmuret” keq e gjithë familja. Madje, ai që është autik (apo skizofren, nuk e di këtë gjë) e nuk e vuan këtë fakt. Fatkeqësisht, më shumë sesa ai, sëmundjen e të sëmurit e vuajnë të mençurit përreth tij. As i vdekuri nuk e di se ka vdekur, por të gjallët e vuajnë humbjen e tij. Ndaj edhe populli thotë se “vuajtja për të gjallët është”. Njeriu duhet të veprojë ashtu si bleta, si milingona që nuk pushon së punuari e së kërkuari. Lajmi i mirë është se janë krijuar mjaft fondacione e qendra ndihmuese për fëmijët autikë, jo vetëm për t’ua zbutur atyre vuajtjet e dhimbjet, por edhe për t’ua lehtësuar këtë bar- rë të rëndë familjareve. Madje, autikët mund të “stërviten” për të bërë disa punë të dobishme të cilat i bëjnë më shumë mekanikisht, sesa me logjikë. Mundet, pra, që edhe ata të “mësohen” ashtu siç mësojmë fjala vjen macen të urinojë në banjo e plot gjëra të tjera, për t’u lehtësuar edhe familjarët e për t’i shërbyer sadopak vetes. Të gjithë ata prindër që më kanë ardhur me fëmijët autikë, kanë deklaruar me lot në sy se “më shumë nevojë paskemi patur ne për doktor sesa fëmija”. Nuk është e lehtë të arrihet pa psikolog ai që quhet pranimi. Nuk e harroj një çift të ri dhe të bukur nga Puka, me një djalë yll 5 vjeçar, i cili rezultoi të ishte autik e çifti burrë e grua u mpinë e nuk u bënin më gjymtyrët që të lëviznin, aq sa i kam çuar në shtëpi me makinën time. Këtë çift e ndihmova duke e mësuar se si të menaxhonte këtë pjesë të padëshiruar të jetës dhe u bëmë miq të mirë. Jeta e tyre vazhdon, por edhe autiku rritet e jeton sipas mënyrës së vet.

Ndoshta u zgjata, por besoj se do të merrni diçka që do t’ju duhet edhe te kjo përgjigje, pasi nuk ka absolutisht diçka krejt të keqe e pa zgjidhje, qoftë edhe të pjesshme, se në çdo ngjarje apo fatkeqësi që ndodh, pas të keqes ne zbulojmë edhe shumë dhunti apo energji tonat. Ky është njeriu...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.