Një vit, pa Dhorin...

Intervista - - POSTA -

- Po afron 1 vjetori që je larguar nga kjo jetë. Ishte largim i parakohshëm, ti do të jesh prezent në tavolinat e Vitit të Ri. Ti ke qenë pjesë e jetës sime, jam krenar që ishe vëllai im. Ti do të jesh përjetë në zemrat e atyre që të kanë dashur. Miqtë, familjarë, të afërmit, shokët ishin të shumtë në ceremoninë e përcjelljes tënde. 1 vit më parë u ndave duke vajtur në jetën e përtejme, u ndave nga familjarët, vëllezërit dhe shoqëria. Sot, përkulemi me nderim të madh para kujtimit tënd. Edhe pse kemi jetuar larg dhe në distancë ne ishim shumë të lidhur. Data 13 është datë e rëndësishme për ne familjarët. Nata e fundit që qëndrove në shtëpinë tënde ishte e rëndësishme dhe do të ngelet në kujtimet tona. Në çdo cep të shtëpisë tënde ishin fotografitë e tua. Mezi e përmbajta veten, ti e ke marrë bekimin, ti shkove në jetën e përtejme. Ti s’ke dalë nga jeta jonë, ti je i pranishëm dhe kur shkoj në kishë, gjithmonë të përkujtoj, por ndjenjat e njeriut bëjnë çudira, ndaj këtë mesazh ta dërgoj ty, vëlla. Kur ike në jetën e përtejme, ti më ke lënë me mendime. Sa shumë mall, sa dëshpërim, sa vuajtje, sa shumë dashuri ndjej për ty! Ëndrrat dhe kujtimet për ty i kam grumbulluar në shpirtin tim, në zemrën time të përlotur. Sonte shoh dy sy që kërkojnë vëllain tim dhe ndjej një zbrazëti që përshkon trupin tim. Edhe sa orë e ditë më ikin duke kujtuar ty, netëve përpëlitem dhe ndjej shtrengim në zemër, lotët bien, fytyra jote trazon shpirtin tim. Dhori, gjithandej më del dashuria jote. S’e ke idenë sa më mundon, dua të flas me ty, dua të jem me ty, kjo jetë më duket e kotë. Shumë fjalë që do të kishin vlerë në të gjallë, po t’i them tani. Pasi ajo që njerëzit nuk dinë është ajo që unë di, dashurinë tënde, respektin, fjalën e ëmbël, talentin tënd fantazinë e dashurinë. Ky ishe ti, vëllai im Dhori! Siç e kishim thënë, i dashur vëlla, jeta e ka lezetin te nderimi i brezave dhe mbyllja e cikleve. E padrejtë është se ti ike herët dhe le një boshllëk që nuk zëvendësohet. Dhori, do të na mungosh. Ne besojmë te bota e përtejme e cila edhe në përfytyrimin me dashamirësinë duhet të jetë e mërzitshme, megjithëse njerëzit e mirë e kanë privilegj. Nëse bota e përtejme ekziston siç besojmë, ti ke takuar babanë, mamanë, dadën dhe motrën tonë Milla dhe je çmallur, por të lutem, hidhu një sy ku janë tavernat ku mund të pimë një gotë të gjithë bashkë kur të vijmë. Pasi të çmallemi, të mos humbim kohë, por ta fillojmë aty ku e kemi lënë. Kam bindjen se do t’ia dalësh. Prehu në paqe!

Anesti Caushi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.