Klinton Zeqiraj: Ka edhe burra të dhunuar nga gratë

Intervista - - FAQE 1 -

Besarta Luga: - Përshëndetje Klinton... Si po i përjeton këto ditë dimri në Tiranë?

Klinton Zeqiraj: - Përshëndetje! Duke qenë se edhe pak ditë na ndajnë nga festat e fundvitit, edhe pak ditë më kanë mbetur në Tiranë, pasi për festa do jem në Sarandë. Dita ime, përveç impenjimeve profesionale, nis në shkollë, me shoqerinë, kafe, ndonjë shoping, pasi jam shumë i fiksuar pas këtij të fundit (buzëqesh) edhe me të dashurën, sigurisht. E përgjithshmja, jo keq... Kur ka dashuri, them se kalohet gjithmonë bukur.

- Në jetën tënde, aktualisht, në ç’stinë je?

- Të tregohem realist, dimri nuk është stina ime e preferuar. Ajo që më pëlqen dhe më inspiron më shumë është stina e verës... Ka diell, më shumë buzëqeshje... mendoj se më përshtatet më shumë. Aktualisht, thjesht po i përshtatem stinës!

- Ndërkohë që së fundi, je përfshirë në fushatën kundër dhunës ndaj gruas... Në ç’mënyrë konkretisht?

- Ka qenë një projekt me regjisore dhe producente Najada Elmazin, për Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Gruas. Në këtë projekt artistik, secili prej artistëve që do të performonin, do të përcillte te publiku nëpërmjet artit, një mesazh sensibilizues kundër dhunës ndaj gruas. Kanë qenë të ftuar njerëz të artit dhe politikës. Në këtë projekt kam pasur një numër koreografik. Së bashku me partneren time Ilda Rapo, balerinën dhe koreografen e duetit, kemi përcjellë nëpërmjet gjuhës të trupit një mesazh shumë interesant për eventin.

- Ti vetë, sa i ndjeshëm je ndaj këtij problemi të shoqërisë sonë dhe sa je njohur me të?

- Dhuna ndaj gruas është e pranishme jo vetëm në shoqërinë tonë, por është një oktapod që ka rrënjë në të gjithë botën, ku ndërmerren aktivitete të ndryshme. Unë vetë jam i ndjeshëm ndaj këtij fenomeni dhe mendoj se secili prej nesh duhet të ndërgjegjësohet dhe t’i themi “jo” dhunës ndaj gruas, jo vetëm në shoqërinë tonë, por kudo.

- A njeh nga afër raste dhune? Për shembull, si do të reagoje ti nëse një femër që përjeton dhunë, do të të kërkonte ta ndihmoje?

- Sigurisht që di raste të tilla! Dhuna nuk nënkupton vetëm dhunë fizike, por edhe dhunë mendore, psikologjike, morale etj. Dhuna ndaj gruas nuk njeh kufij... Unë do të reagoja në mënyrën time më të mirë të mundshme, pra, një femre që përjeton dhunë dhe ka nevojë për ndihmë, do t’i gjendesha menjëherë afër, për ta larguar nga ajo situatë e pakëndshme.

- A mendon se duhet të ketë tashmë edhe një Ditë Ndërkombëtare të Dhunës ndaj Burrave?

- Përse jo?! Ka edhe burra të dhunuar në familje nga gratë e tyre, megjithëse dhuna ndaj burrave është më pak e përhapur. Mendoj se duhet të jemi të barabartë.

- Ti vetë, në jetën tënde, je ndjerë ndonjëherë i dhunuar?

- Dhuna psikologjike mund të më ketë prekur, po jo ne ekstrem...

- Për ta bërë konkrete... Jo rrallë, për djemtë simpatikë si ti, sidomos nëse merren me modeling, këtu te ne ekziston psikoza se janë homoseksualë... A nuk është kjo një lloj dhune psikologjike, për shembull?

- Sigurisht që është dhunë psikologjike, por s’më ka shqetësuar ky fakt. Nëse do të më shqetësonte, atëhere do të ngelesha në atë guackën e mbyllur të dhunës dhe s’do të bëja hapa përpara në lidhje me profesionin. Njeriu nuk duhet të niset asnjëherë impaktin e parë qoftë në paraqitje, qoftë profesionin që ke dhe të arrijë në konkluzione, pasi mund të jenë të gabuara, siç ka ndodhur në më të shumtën e rasteve.

- A nuk mendon se të gjithë jemi nga pak të dhunuar në jetën tonë?

- Po, mendoj se po, në forma të ndryshme, prandaj duhet ta ndalojmë dhunën e çfarëdolloji.

- Në intervistën e fundit për gazetën tonë, ti dhe Renada keni folur gjerë e gjatë për lidhjen tuaj të dashurisë, prandaj nuk po ndalem gjatë aty. Në ç’pikë është lidhja juaj tani, nëse ekziston akoma...

- Normale që ekziston... (Buzëqesh) Jemi në një stad që po shijojmë lidhjen, si çdo çift tjetër. Çdo marrëdhënie ka uljengritjet e veta, por mund të them që jemi okej, e plotësojmë njëritjetrin dhe mbi të gjitha, ka dashuri.

- Në fotot e reja, vjen shumë ndryshe... Veç ngjyrës së flokëve, çfarë ka ndryshuar te ti?

- Përsa i përket lukut, po mbaj një stil që mendoj se më përshtatet dhe më shkon, ndërsa për ndryshim, s’e di... Këtë e shikon më mirë një sy i jashtëm; ndoshta jam rritur më shumë...

- Paraqitja e këtij luku të ri ishte edhe qëllimi i setit të ri fotografik?

- Modelingu është një pasion tjetër i imi, përveç televizionit dhe seti i fundit ishte për një reklamë veshjesh. Isha imazhi i tyre...

- Klinton, jam kurioze të di... Me çfarë të ardhurash jeton një model në një vend ku me modeling, s’mund të jetosh?

- Është e vërtetë që në Shqipëri nuk jetohet me modelingun dhe me të ardhurat që ka një model, nuk e përballon dot jetesën... Nuk mund të them që s’ka modë, por s’ka një treg të mirëfilltë për modelët, s’ka një menaxhim të duhur. Me pak fjalë, një model nuk mund të jetojë vetëm me të ardhurat e profesionit të tij; kjo është e pamundur në vendin tonë. Unë kam jetuar edhe jashtë për një periudhë kohe shumë të shkurtër dhe mund të them ka goxha ndryshim, që nga niveli pagesës, deri në tregun e modeleve dhe menaxhimin e mirë të tyre. Nuk mund të jetosh me të ardhurat e modelingut në Shqipëri, kështu që detyrohesh të kesh një punë tjetër me të ardhura më të larta, për të jetuar.

- Për modelet bukuroshe thonë se janë pak mendjelehta... Ke dëgjuar ta thonë këtë edhe për modelët?

- Po, thonë, bile kam dëgjuar edhe më keq: “Hë, se vetëm të bukur janë, por s’dinë të lidhin dy fjalë!”. (Qesh) Në fakt, ka edhe modelë të tille, që janë vetëm të bukur dhe s’kanë aftësi komunikimi. Mendoj se komunikimi ka të bëjë dhe ndikon goxha në personalitetin e njeriut. Komunikimi i mirë është çelësi i suksesit, sepse përveç bukurisë, nëse di të flasësh, depërton më tej, në televizion e në vende të tjera...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.