Ia nxiva jetën vjehrrës, edhe në prag të vdekjes

Intervista - - FAQE 1 -

E nderuar redaksi! Lexoj vazhdimisht jo vetëm gazetën tuaj, por edhe disa të tjera që kanë rubrika të ngjashme me tuajën, por besoj në ato çka lexoj në faqet e gazetës tuaj dhe besoj se do të gjeni një vend për të treguar edhe një histori timen. Ato që dua të tregoj, në të vërtetë, janë dy vite të jetës sime që herë më rëndojnë shpirtin e herë më duket sikur kam patur të drejtë që jam sjellë ashtu: Unë jam hakmarrë për atë që më bëri vjehrra dhe e bija.

Jam martuar jo shumë e re, njëzet e katër vjeçe. Kam lindur e jam rritur në një qytet të vogël, por nusja e kushëririt tim ndërhyri dhe më prezantoi me kushëririn e saj, që banonte në Tiranë. Ne e pëlqyem njëritjetrin dhe u martuam shpejt. Nuk kishim ç’të prisnim, se unë nuk kisha ndërmend të vazhdoja ndonjë shkollë, plus që menduam se duke qenë në Tiranë, do të gjeja edhe ndonjë punë.

Bashkëshorti im jetonte me të dy prindërit dhe kishte edhe një motër të pamartuar. Shtëpinë e kishin jo shumë larg qendrës dhe unë i mësova rrugët shumë shpejt. Në fillim, gjërat ecnin mirë, unë fillova një kurs rrobaqepësie te vajza e hallës, e cila kishte biznesin e vet. Aty edhe punova derisa linda vajzën. Më pas fillova punë shumë shpejt sepse vjehrra më tha që do ta mbante ajo vajzën. U riktheva në punë me shumë dëshirë, jo se nuk doja të rrija me engjëllin tim të vogël, por qëndrimi gjithë ditën me prindërit e bashkëshortit po m’i bënte nervat copë. Me bashkëshortin kishim marrëdhënie shumë të mira. Ai ishte i qetë dhe me shumë logjikë. Përpiqesha të gjeja momentin e duhur për t’i thënë për ndonjë ankesë apo debat që mund të bëja, por ai më akuzonte gjithmonë se kishte ndodhur e kundërta. Nuk e kisha vënë re që sa herë debatonim me vjehrrën, ajo dilte e kapte te kafja poshtë pallatit dhe e frynte aq shumë sa ai jo vetëm nuk më besonte, por kishte filluar edhe të mos më dëgjonte.

Kështu, unë u lumturova që po rikthehesha në punë dhe të paktën paradite, do t’i kisha veshët të qetë. Pastaj, tani që ishim edhe me fëmijë, shpenzimet ishin edhe më të mëdha dhe duhej të punonim të dy, burrë e grua, se me pensionet e pleqve dhe një rrogë, nuk kishim ç’të bënim gjashtë persona. Im shoq punonte në dy punë sepse nuk na dilnin paratë. Por, ja që nuk ishte e thënë të rrija rehat as ato shtatë tetë orë që isha në punë. Vjehrra, që në pikë të mëngjesit zgjohej e fillonte sikur bënte punët, kërciste e bërtiste nëpër shtëpi, aq sa im shoq fillonte e më shante mua.

- Ti je e re dhe do të zgjohesh vetëm 5 minuta para se të shkosh në punë. Ia lë të gjitha punët e vajzën mamasë, që është shtatëdhjetë vjeçe! Je shumë dembele...

Si më tha një herë kështu im shoq, nuk reagova për të bërë sherr, se nuk doja t’i bëja qejfin plakës, por fillova të zgjohesha qysh në pesë e gjysëm ose gjashtë. Bëja shumicën e punëve, drekën dhe kur vinte ora tetë pa dhjetë, dilja me vrap për në punë. Në punë shkoja e rraskapitur. Vajza ishte akoma bebe dhe zgjohej natën, kurse në mëngjes, kur ajo flinte, unë duhet të bëja punët. Kjo torturë vazhdoi derisa vajza e la gjirin dhe filloi të flinte më shumë natën. Pastaj, edhe fakti që nuk kisha kujt t’i hapesha për gjithçka që po më ndodhte, më lodhte nervat. E dija se mjaftonte një fjalë e vetme dhe unë zihesha edhe me tim shoq. Unë e doja dhe e dua e nuk e kuptoja pse po më thyhej gjithçka para syve. Nuk dija si ta mbaja situatën nën kontroll. E lodhur në punë, e pagjumë, llafe e vetëm llafe, po shkatërrohesha. Të vërtetën e kuptova një ditë kur u ktheva nga puna. Vjehrra ime ishte në kafe bashkë me tim shoq dhe i fliste me këmbë e duar që nuk e kisha lënë drekën gati.

- Ajo do të hajë nga duart e mia, nga djersa jote, t’i rris unë fëmijën dhe vetëm të flerë di. - tha ajo.

- Mirëdita dhe ju bëftë mirë kafeja, - u thashë. - Mama, ka patur më temperaturë vajza?

- Pse, ishte sëmurë vajza natën? - pyeti ai të ëmën me sy të shqyer. – Pse s’më the, po më ule në kafe?

- Po, nga ora pesë e mëngjesit e deri në tetë kur ika unë, ishte me temperaturë, - i thashë.

Ai ma bëri shenjë me gisht se s’donte të më dëgjonte dhe e mbylla, se nuk isha fare për sherr. Kisha hallin e vajzës.

- Mama, pse s’më the që vajza ishte sëmurë në mëngjes, po më ankohesh se nusja ime s’paska bërë punët dhe drekën? Harrove apo punët janë më të rëndësishme? Me kë e ke lënë tani, apo atë s’e gjen gjë se është vajza e time shoqeje, nuk është e imja?

- Jo, more bir, do të të thoja, po ti më pyete se ç’ka për drekë e aty doli muhabeti, - u përpoq t’i fliste me qetësi ajo, për të mos e dhënë veten.

- Jo, mama, nuk pyeta. Më kape për dore e më ule, the që “jot shoqe iu kthye zakonit të gjumit”.

Po dëgjoja e shokuar atë që im shoq i tha së ëmës, që unë i qenkesha kthyer zakonit të gjumit. Domethënë, ajo e paskësh gënjyer e mbushur gjithë kohën për mua e unë isha përpjekur të mos ankohesha e të mos flisja për të e për të bijën, që edhe pasi u martua, vinte e më kthente trurin skiç me ato budallallëqet e saj.

Nuk fola, fatmirësisht, u përmbajtja. Im shoq u ngrit për të paguar dhe për të shkuar në shtëpi. Kur e pashë përballë, e kuptova që ishte shumë keq. I lirova rrugën, mora qesen që ime vjehrrë kishte lënë në karrige dhe të tre u nisëm për në shtëpi. Sigurisht, atë mbasdite dhe dy ditë të tjera u morëm me vajzën dhe...

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.