Edi Rama: “Do të kem një surprizë për të gjithë shqiptarët, më 31 dhjetor!”

Intervista - - AKTUALITET -

Kaso Kosa: - Zoti Kryeminister, ç’po ndodh kështu me ju? Mezi ju zumë sot që ishte festa e Krishtlindjes... Ngelët natë e ditë nëpër rrethe apo jashtë vendit!

Edi Rama: - Ke të drejtë, Kaso, por tani po e kuptoj se detyra e Kryeministrit qenka më e rëndë sesa ajo e kryetarit të opozitës. Në opozitë, organizon ndonjë miting sa për të zënë sytë e elektoratit e të simpatizantëve dhe qejf nëpër plazhe kur është verë, apo ski në male, kur është dimër. Punën e bën pozita, kritikat i ha pozita, qejfin e bën opozita...

- Ju, kur morët pushtetin, deklaruat se nuk do të imitoni paraardhësin tuaj që dilte çdo orë të ditës në televizione me gërshërë në duar për prerje shiritash inaugurimi, por duket se po ia kaloni edhe atij...

- Të them të drejtën, jam mërzitur me këta trapa gazetarë që ngelën duke më ndjekur pas ngado që vete, pa pyetur fare në vete për të pirë një kafe, apo për të kryer nevoja personale. Se nga e marrin vesh që unë do shkoj diku dhe fap, më dalin përpara si fanti spathi. T’i largoj, nuk mundem, se aq do opozita dhe më akuzon për dhunë ndaj medies. Nuk di se si t’i shmang. I jam lutur Sandrit të ndërmjetësojë që të më nxjerrin në televizione vetëm kur ta lajmëroj unë, po do ti që as Sandrin nuk e përfillin më qëkur ka ikur Doktori nga pushteti?!

- Kështu thoni, por pardje mblodhët të gjithë gazetarët dhe mbajtët një fjalim të cilin gjysma e tyre nuk e kuptuan fare...

- Në të vërtetë, fjalimin ma përgatiti Ben Blushi, duke më siguruar se gjithçka ishte okej. Duke patur besim te talenti i Blushit, që e kemi edhe shkrimtarin e partisë, nuk e lexova paraprakisht. Mirëpo, kur e nisa përpara gazetarëve, m’u duk si ai hartimi që i kishte përgatitur Preç Zogaj Nishanit në 100 vjetorin e pavarsisë dhe, desha s’desha, e lashë mënjanë dhe ia futa ç’më erdhi në mendje. Hidhja sytë në sallë dhe kë shikoja nga pjesëmarrësit, për atë flisja. Do ti që më doli më mirë sepse, me sa kuptova, të gjithë ishin të lumtur pas fjalimit tim, më buzëqeshnin dhe më rrethuan me aq respekt, sa m’u duk vetja si Barak Obama në fundvit me gazetarët! Madje me sa kuptova, që nga një janari, do të bëhem i privilegjuari i Sandrit, Çanit dhe Fevzos, gjë që është në favor të qeverisjes.

- Një ditë përpara skadimit të mandateve të deputetëve opozitarë, ju firmosët një pakt me opozitën. Pse kaq vonë kjo firmë, kur mund të bëhej pesë muaj më parë?

- Unë, si kryetari i partisë më të madhe qeverisëse, por edhe si Kryeministër, isha gati të firmosja që në korrik, pas rrahjes së Strazimirit, se kërkesat po ato të korrikut janë, por Basha nuk donte. “Po nuk konsolidova partinë nuk kam se si të futem në parlament, se aq duan ata të vjetrit dhe shkëputen fare nga partia”, më tha. Mirëpo unë gjeta belanë edhe me këta të mitë, se nuk më dëgjonin që t’i qasnim demokratët në parlament. “Jemi më mirë pa ata, se diskutojmë më me nge pa na u acaruar nervat, ndryshe, po i pranuam, do t’i rrahim prapë. Sa për opozitën, e bëjmë me çamët dhe Jozefinën që do futet në parlament, pasi është zënë me Bashën”, më thoshin. Kur unë ua mbusha mendjen këtyre të mive, doli kundra Berisha dhe urdhëroi Bashën të ankohej në Evropë kundër nesh.

- Po dyshja Kukan-Flekeinstein, ç’ju thanë që firmosët menjëherë?

- Kukan më takoi personalisht dhe më tha se, nëse nuk firmosja paktin që ata kishin hartuar, karriera e tij merrte fund. Më erdhi keq se është goxha burri dhe ka mbi 20 vjet që punon me ne shqiptarët pa u lodhur. T’ia prishja karrierën tani në prag të pensionit, nuk më bëri zemra, ndaj firmosa duke mbyllur sytë. Po edhe Berisha më kërkoi t’ia bëja këtë nder për t’i shpëtuar nderin Bashës, duke më kujtuar se edhe ai kështu ma plotësoi kërkesën për ndryshimet kushtetuese në 2008-n.

- Po me Bashën, a bëtë ndonjë marrëveshje xhentëlmenësh, para se të firmosnit paktin?

- Basha, veç atyre katër pikave që përmbante pakti, më parashtroi edhe nja dyzet të tjera, ndërsa unë i kërkova vetëm një kusht për t’ia plotësuar të gjitha; të lejonte Kaç Islamin të kalonte në grupin tonë parlamentar, sepse ka qenë një nga kokat e Partisë Socialiste, por Basha ngurroi të ma premtonte. “Të pyes Doktorin, më tha, se Doktori e ka pikë të dobët Kaçin, siç e paske edhe ti”.

- Kaq dobësi e paskeni Kaç Islamin, zoti Rama, si ju, si Berisha?

- Si të mos e kem dobësi? Është shkencëtari më i madh që ka sot për sot Shqipëria dhe që komunikon me Ajnshtajnin e madh, edhe pse ai ka vdekur që para mbi 50 vjetësh, duke konsultuar teza e kundërteza, duke hedhur sentenca siç është ajo e Kaçit që “politikanin dhe qeveritarin e bën shtetar karakteri”. Vetë Kaçi, duke treguar karakter të fortë, ka përballuar me heroizëm të gjithë presionin e politikës shqiptare, si në kohën kur ishte kundër demokratëve, edhe tani që është pro tyre, si në kohën kur ishte pro socialistëve, edhe tani që është kundër. Është kalkulatori më i suksesshëm për politikat zgjedhore, ndaj e dua ta kem krah për në zgjedhjet e pushtetit vendor.

- Para disa ditësh, shkarkuat zëvendësministren Diana Bejko se kishte ngelur pa paguar 1200 lekë energji. U mendua se ky veprim ishte një shou...

- Pse çuditeni ju gazetarët me këtë veprim? Berisha, për 4 minuta, shkarkoi Ylli Pangon i cili, në fund të fundit, nuk vodhi energji elektrike që është pasuri kombëtare e jo unë të mos shkarkoja këtë Bejkon, që ka bërë vjedhje. Pastaj, me këtë veprim u tregoj të gjithëve se kur nuk pyes për një zëvendësministre, nuk i llogaris fare të tjerët. Këto ditë po bëjmë gati arrestimet në Bashkinë e Tiranës, ku janë miliona lekë pa paguar ndaj KESH-it.

- Njoftohet se ka nisur ndërtimi i pallatit 20 katësh te diga e Liqenit Artificial të Tiranës dhe ju, si qeveri, po heshtni, ndërkohë që ka një vendim po të qeverisë, për ndalimin e punimeve...

- E di që rifilluan punimet për ndërtimin e tij, por nuk kisha se si ta shmangia ndërtimin e këtij pallati sepse lejen e ndërtimit e ka dhënë Lulëzim Basha. Në qoftë se do të ndërhyjmë të ndërpriten punimet, opozita do të na akuzojë për dhunim të të drejtave të saj dhe del nga parlamenti. Ç’të bëjmë ne si pozitë? Të ngelemi pa opozitë si këta gjashtë muaj që kaluam? Apo t’ia fillojmë gjithçkaje nga e para? Fundja-fundja, pallat po ndërtohet dhe njerëz do strehohen, nuk është se po mbjellin parcela me drogë që t’u dërgoj Tahirin e t’ua rrafshojë.

- Thuhet se keni një surprizë shumë më të madhe se ajo që na dha Ambasadori Arvizu para disa ditësh e që do ta shpallni për shqiptarët në fund të këtij viti, më 31 dhjetor!

- E kam vërtet një surprizë që buron nga aktmarrëveshja pozitë-opozitë dhe ty po ta them që sot. Unë, më 31 dhjetor, do t’i uroj të gjithë shqiptarët për 2015-n dhe do t’u komunikoj se për hatër të mbarëvajtjes së vendit, për qetësinë dhe rregullin kombëtar, për vendosjen e shtetit ligjor, për një rritje ekonomike që të konkurrojë me Gjermaninë, me kërkesën e zotit Berisha, do të jap dorëheqjen si Kryeministër dhe do t’i propozoj Presidentit Nishani të ngarkojë zotin Lulëzim Basha të formojë qeverinë, sepse që nga 1 janari, partia ime nuk ka ç’i do më tre të pestat e parlamentit të cilat ne nuk mund t’i përdorim pa lejen e Berishës.

Bisedoi me shaka: KASO KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.