E ndava burrin se dinte vetëm të punonte!

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Burri punonte, por vjehrra nuk ndahej që nuk ndahej, vinte o në drekë, o në darkë. Në një moment vura re që i dha diçka të pinte tim shoqi.

Kur e pyeta, “i dhashë vitaminë” më tha, por unë nuk e besova dhe po këmbëngulja. Nga gjithë ajo këmbëngulje, im shoq u nxeh dhe më tha: “Këta mi japin se mendojnë se unë jam budalla”.

Unë shtanga në vend, vjehrra kundërshtoi e kështu përfunduam në debat. Këto gjëra kështu ndodhin, fjala nxjerr fjalën dhe sekretet dalin në shesh. Kështu mora vesh se isha martuar me një burrë që kishte probleme psikike. M’u duk sikur m’u hap një humnerë e thellë përpara. Kaluan gati tre muaj dhe duke këmbëngulur që të ktheheshim në Shqipëri, edhe sepse puna në Greqi kishte rënë fare, e binda burrin tim. Doja të ktheheshim, në mënyrë që të flisja edhe me familjen time. Vjehrra nuk donte dhe bëri të pamundurën që të mos ktheheshim, por unë dola më e fortë. U kthyem dhe njërën nga shtëpitë vjehrra vendosi t’ia jepte djalit të madh dhe cilën? Atë më të keqen, ndërsa atë më të mirën që e ndërtonin sa herë që vinin nga një javë, me krahët e burrit tim, ia dha djalit tjetër, që nuk kishte vënë asnjë tullë. Megjithatë, ne erdhëm dhe unë u tregova të mive për atë që kisha marrë vesh. “Është turp, më thanë, si mund të ndahesh prej tij? Çfarë do të mendojnë njerëzit këtu në fshat?”.

E kapërdiva dhe filluam të kërkonim punë. Të mitë na ndihmonin me ndonjë ushqim, por është një shprehje që thotë: “a mbahet shtëpia me lëmoshë?”. Megjithëse përpiqeshim të gjenim punë, ishte aq e vështirë sa nuk di ta përshkruaj. Ajo periudhë u pasua nga stresi dhe burri im po përkeqësohej sepse nuk pinte as ilaçet. Unë, duke mos ditur asgjë edhe rreth sëmundjes, nuk dija edhe si të veproja me të. Pas atyre ditëve të vështira, sikur të mos mjaftonte, erdhi edhe vjehrra me vjehrrin. Ata erdhën pikërisht ashtu siç vjen shiu, pas diellit të nxehtë e acarues. U gjendën në derë me pretekstin se donin të kujdeseshin për djalin dhe me vete kishin sjellë një mal me rrangullina, madje edhe gjysma pllakash. Ata erdhën në darkë dhe të nesërmen i ati e mori të birin që të vazhdonin punimet te shtëpia tjetër. U acarova dhe debatova me burrin tim, por as që më dëgjoi. Debatova edhe me vjehrrën dhe aty për aty, vendosa të ikja. Shkova te motra, së cilës i qava hallin dhe më pranoi. Madje i shoqi filloi të kërkonte edhe për ndonjë punë për mua. Burri im vinte çdo darkë e më kërkonte të kthehesha, por unë i thoja: “Tani i mbarove punët me babain? Nuk vij, po qenë ata aty!”.

Një ditë, ai erdhi më tha që kishin ikur dhe se kishte filluar punë, madje erdhi edhe me rrobat e punës, për të më mbushur mendjen. “Kam nevojë për ty”, më thoshte. Motra tha: “Shko, jepi edhe një shans” dhe unë vajta fjeta atë natë aty. Në mëngjes, ra dera. Kur e hapa, ç’të shikoja? Vjehrra me vjehrrin! Mua sikur më ra rrufeja. Nuk zgjati as 10 minuta, fluturuan kunjat dhe plasi sherri. I biri filloi t’i bërtiste pse erdhën dhe ajo nga inati mu kanos mua që nuk i jepja ilaçet dhe se po i shkatërroja jetën, ndërkohë që ishin ata që më shkatërruan jetën me sekretet dhe djalin e tyre të sëmurë. Nuk doja t’i dëgjoja më, ndaj u mbylla në dhomë. Burri iku me të atin, unë aty në dhomë po mendohesha dhe i thashë vetes: “Mjaft më!”, fillova të bëja rrobat gati dhe po nisesha. Kur po dilja, vjehrra më tha: “Mos ik, se do iki unë”. As denjova t’i përgjigjesha, por ika. Para se të ikja, shkova te shtëpia tjetër dhe pashë tim shoq duke punuar llaç. “E tmerrshme, mendova, çfarëdo që t’i them, ai as që më dëgjon”. I thashë që po ikja dhe ai as që bëri zë. Më pa dhe vazhdoi me lopatën e vet. Gjatë rrugës, mendova: “Nuk kthehem më, në djall të vejë bota e çfarë thonë!”, jeta ime po shkatërrohej dhe për çfarë, për një burrë që burrë nuk është, nga një familje që kishin më shumë probleme sesa djali i tyre që ishte i sëmurë. Ua tregova prindërve vendimin tim dhe vendosmërinë time, se pranoja të dilja në rrugë, më mirë sesa të kthehesha atje. Prindërit heshtën dhe përgjigjja e tyre qe: “Sa të jemi gjallë, e ke një shtëpi”. Aty zemra filloi të rrahë përsëri.

Kaluan disa ditë dhe në darkë, në derën e motrës sime, erdhi përsëri im shoq. Derën e hapi motra. Ai kishte ardhur si mos më keq, aq pis sa nuk mund ta krahasoj me njeri normal, por si një barbon rrugësh, që nuk lahet kurrë. Atëhere, motra më kuptoi vërtet... Atij i tha që nuk isha aty dhe të nesërmen më shoqëroi për në gjykatë, për të bërë praktikat e ndarjes. Atë ditë m’u duk sikur rilinda, sikur u zgjova nga një ankth që zgjati dy vjet. Unë fillova punë dhe aktualisht, vazhdoj studimet e lëna përgjysëm në master dhe jeta ime po merr një tjetër formë dhe shpresë për të krijuar një familje të re dhe për t’u bërë nënë. Kudo ka shpresë, mjafton të guxosh…

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.