Abortova fëmijën për t’u hakmarrë ndaj tij!

Intervista - - RREFIME MEKATARESH -

Ai u bë si i xhindosur sepse nuk donte që e ëma t’i merrte vesh ato gjëra. Një fytyrë i ikte dhe një i vinte! “Të vërteta janë këto që thotë Era?”, e pyeti e ëma.

Ai mundohej të justifikohej, por ngecte. Ajo i kërkoi telefonin për ta parë dhe vërtetoi edhe vetë gjithçka kisha thënë. “Unë dua të ndahem”, i thashë. Ai nuk foli, ndërsa e ëma u mundua të më qetësonte. Edhe pse e doja shumë Aljonin, nuk mund ta duroja tradhtinë. “Sonte qetësohuni dhe do flasim nesër, kur të jemi më të qetë. Ti, Era, qëndro sonte këtu, mos ik në shtëpi sepse nuk je në gjendje”, tha ajo.

Në fakt, mamaja e tij ishte ajo që vuri ekuilibrin mes nesh. Na kërkoi që prindërve të mi dhe babait të Aljonit të mos i tregonim asgjë dhe më bindi që t’i jepja edhe një mundësi Aljonit. “Çdo mashkull gabon dhe Aljoni, mashkull është. Ai është simpatik dhe shumë femra të tjera mund ta pëlqejnë, por ai të zgjodhi ty”, më tha. Ajo e kishte aftësinë që të më bindte dhe unë e fala tradhtinë e Aljonit. Ai m’u betua që do t’i jepte fund lidhjes me Amandën dhe se do të më përkushtohej vetëm mua. I besova! I besova, sepse e dashuroja, por ai kurrë nuk e meritoi besimin tim. U duk sikur ndryshoi, por përsëri më tradhtoi dhe përsëri, me Amandën. Ngaqë e besova plotësisht pas atij betimi, nuk dyshoja më tek ai sepse mendoja se edhe ai më dashuronte, por e gjitha kishte qenë shtirje, loja e tij e pisët.

Kur e kuptova se më tradhtonte përsëri e për më tepër, me të njëjtin person, u bëra kurioze të njihja kush ishte kjo Amanda e famshme dhe e ndoqa një ditë kur e takoi. I mësova shtëpinë dhe ditën tjetër, shkova ta takoja. Ajo hapi derën dhe nuk bëri asnjë lloj reagimi, thjesht më pyeti kush isha. E kuptova që nuk më njihte; ai nuk i kishte folur kurrë për mua. I kërkova të futesha brenda dhe të flisnim. Edhe pse isha një e huaj për të, ajo pranoi. “Unë e di që Aljoni më tradhton… me ty, i thashë. Si mundët të ma bënit këtë?”. “Aljoni është i dashuri im, çfarë kërkon ti me Aljonin?”, ma priti ajo e çuditur dhe e nevrikosur. “Para se ta kesh ti të dashur, unë e kam të fejuar dhe për pak, do martoheshim”, i thashë dhe lotët filluan të më rridhin në faqe pa pushim. Ajo u çorientua komplet. Nuk po i dilte ansjë fjalë nga goja, tha vetëm: “Domethënë, ai… më ka gënjyer, më ka mashtruar”. “Po, dhe jo vetëm ty. Më ka mashtruar edhe mua”, i thashë. “Megjithatë, unë Aljonin e dua dhe nuk e lë”, tha ajo. Ngrita sytë për ta parë nëse po bënte shaka apo e kishte me të vërtetë, por lotët ma kishin turbulluar shikimin. “Kështu që, të lutem, dil nga shtëpia ime dhe zgjidhini vetë problemet tuaja!”, më tha. Në atë moment po më dukej sikur po përjetoja një déjà vu, përsëri e tradhtuar, përsëri me zemër të thyer. Në momentin që bëra të ngrihesha, m’u morën mendtë dhe mbaj mend vetëm që më ra të fikët.

Veten e pashë më pas të shtrirë në krevatin e një spitali dhe afër meje kisha prindërit e mi e prindërit e Aljonit. Ai nuk kishte guxuar të vinte! Shpresoja të isha duke përjetuar ndonjë ëndërr të keqe, por jo, ishte realiteti i hidhur. Jeta ime ndryshoi komplet, e kisha humbur arsyen dhe isha në një gjendje tepër të rënduar psikologjike. Nëse do të ndahesha nga Aljoni, unë nuk e dija çfarë do të bëja. Nuk mund ta pranoja ta humbja, nuk mund ta lija. Teksa po mendoja këto gjëra, dëgjova mamin dhe vjehrrën të më thonin të gëzuara: “Urime!”. “Për çfarë?”, i pyeta”. “Je shtatzënë”, thanë ato dhe vazhdonin të më përqafonin. Nuk e kuptova mirë në fillim, nuk arrita ta perceptoja shpejt atë që më thanë. Pasi e kuptova, fillova të qaja. Si do ta doja atë fëmijë kur babai i tij nuk më donte mua? Ato u munduan të më qetësonin dhe nuk e dinin as kush më kishte sjellë në spital dhe çfarë kishte ndodhur para se të më binte të fikët. Aljoni as që e mori mundimin të vinte në spital. Me siguri, ishte me dashnoren e tij, Amandën. Nuk e doja më jetën time! Sa herë që e mendoja në krahët e asaj femre, doja të vdisja. E doja dhe e urreja në të njëjtën kohë. Doja ta bëja të përjetonte të njëjtën dhimbje që përjetova unë. Aljoni nuk e dinte ende se priste një fëmijë nga unë dhe vetëm pasi e mësoi këtë nga mamaja e tij, erdhi menjëherë në spital. Më përqafoi dhe u lumturua shumë. Bënte sikur nuk kishte ndodhur asgjë, por unë tashmë, nga ajo Era e dashuruar, isha kthyer në një gur. Dola nga spitali dhe ende në kokë kisha një pikëpyetje: Si ta bëja të përjetonte të njëjtën gjë si unë?! Doja të hakmerresha. Një moment, kur ai erdhi dhe më puthi barkun, kuptova se fëmija ishte personi që ai e donte me shpirt dhe aty do t’i dhimbte shumë. Që të nesërmen në mëngjes, mora guximin dhe e abortova fëmijën. Të gjithë këtë e bëra vetëm për t’i shkaktuar dhimbje Aljonit, por pasi e bëra, e përjetova edhe vetë shumë keq. M’u duk sikur një pjesë e trupit tim, vdiq përjetësisht...

Kur Aljoni e mori vesh, më urreu. Më urrejnë edhe prindërit e tij dhe prindërit e mi. I humba të gjithë personat e dashur në jetën time. Jeta ime mori fund! Tani, pasi ka kaluar pak kohë, prindërit mundohen të ma lehtësojnë dhimbjen e cila nuk do të zhduket kurrë. I falënderoj që nuk më braktisën dhe më ndihmuan të kaloja ato momente shumë të vështira në jetën time. Me familjen e tij nuk kam më kontakt, mbaj mend vetëm fjalët e fundit që më tha mamaja e tij: “Kjo që bëre, është e pafalshme! Këtë herë, do ta kishe tëndin Aljonin përgjithmonë, por i dhe shkelmin gjithçkaje”.

Tani, kur i sjell ndërmend këto situata të përjetuara, nuk ia fal vetes, por ja që dashuria që unë përjetova ishte një dashuri e sëmurë dhe për pak, më shkatërroi jetën. Ndoshta, as lindja e fëmijës nuk do ta ndryshonte atë...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.