Pse nuk shikoj dot?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Doktoreshë Rezarta, unë që ju shkruaj jam Pjetër Marku, nga Puka. Në vitin 2011, kam bërë një vizitë te një klinikë te 21 dhjetori dhe kam marrë dy palë syze për afër dhe larg. Syzet janë në rregull, por unë prej 6 vjetësh jetoj rrugëve nëpër bunkera me një jetesë të sforcuar. Prej disa muajsh, kam turbullime në shikim dhe kur i marr syzet për afër ( që janë syze speciale) shikoj me shumë vështirësi. Unë vuaj që nga mosha 50 vjeçare nga bronkopneumonia pulmonare, TBC Kaverna fibroz Miliari, me mjekim të vazhdueshëm INH– Izonozidina, plus mjekimet në spital. Vuaj nga çrregullimet skizofrenike dhe kam 3 muaj që kam patur çrregullime në shikim. Kur eci, djersij rreth syve aq sa djersa në sy nuk më lë me ec. Edhe kur isha shtrirë në krevat, i pasforcuar, djersa rrjedh në mënyrë të fshehtë dhe kisha përsëri djersë rreth syve. Ndoshta kjo djersë rreth kokërdhokut të syrit mund të ma ketë dëmtuar shikimin? Pra, kam shikim të turbullt. Kam 6 vjet që jetoj në rrugë dhe me sforcime nga hallet e jetës. Vuaj edhe nga epilepsia prej një viti. Ta dërgoj këtë shkrim me shpresë që të më kuptosh. Do të shkruaja më gjatë, por më mirë të lë numër telefoni nëse mundeni me me marrë që t’ju sqaroj, se unë thashë jetoj në Pukë dhe më kushton shumë të vij në Tiranë. Theksoj se sot, edhe gërmat e mëdha nuk i shoh dot. Kam frikë se kjo djersë rreth syve ma ka zbehur shikimin nga sforcimi edhe i bronkopneumonisë. Faleminderit për mirëkuptimin.

Dr. Rezarta Shkurti, okuliste: - I dashur letër- shkrues! Letra juaj më ka prekur shumë, pasi unë ju mbaj mend jashtëzakonisht mirë si pacient, të cilit i kam kryer një vizitë 3 vjet më parë në klinikën ku ju edhe porositët dy palë syze. Më vjen shumë keq për shëndetin tuaj, i cili këto kohët e fundit paska qenë shumë i dobët si pasojë e problemeve pulmonare, skizofrenisë dhe epilepsisë. Përsa i përket shikimit tuaj, ai mund të jetë dobësuar këto kohët e fundit nga shumë shkaqe. Shkaktarë bazë në përkeqësimin e shikimit tuaj mund të rendisim:

- Efektet anësore të mjekimeve që ju keni marrë për problemet pulmonare, skizofrenisë, epilepsisë.

- Ndoshta zhvillimin e ndonjë cataracte (perdeje) në sytë tuaj, e cila mund të ketë lidhje me moshën ose me mjekimet që ju keni përdorur. Në vizitën që keni bërë para 3 vjetësh, keni qenë 48 vjeç, pra, aktualisht, jeni 51 vjeç, që është edhe mosha tipike për zhvillimin e cataractes fiziologjike në sy (perde moshe).

- Mund të ketë ndikuar shumë në turbullimin e shikimit edhe djersitja profize që ju keni, pasi kjo djersitje përreth syve dhe fshirja e tyre herë pas here me peceta, bën që shikimi të mos jetë korrekt.

- Faktor tjetër janë çrregullimet psikike që ju keni, të tipit të skizofrenisë, të cilat karakterizohen me halucinacione vizive (të shikimit). Të gjitha këto që përmendëm më sipër i japin shpjegim sit- uatës së shikimit të dobët tashmë me syzet. Pra, nuk përbëjnë më problem syzet, ato janë shumë cilësore, por sytë tuaj janë dëmtuar tashmë nga faktorët e mësipërm dhe keni shqetësime. Shpresoj t’ju kem ndihmuar sadopak. Ju uroj shërim të shpejtë. Faleminderit për letrën tuaj. Me respekt, Dr. Rezarta.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.