Si ta kaloj dhimbjen për motrën?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- I nderuar psikolog, nga humbja e motrës para dy viteve kalova në depresion. Jam munduar ta kaloj dhe në dukje, të tjerët ashtu mendojnë, por jo. Doktori më ka rekomanduar ilaçe kundër depresionit dhe stresit, të cilat ka muaj që i pi dhe nuk më kanë ndihmuar aspak, përkundrazi, e ndjej që jam më keq. Ia kam shpjeguar këtë doktorit dhe e kam pyetur si të veproj, por më ka thënë të vazhdoj këta qetësues që më ka dhënë. Ju, ç’më këshilloni, si të veproj?

Borana Marku, psikologe: - E kuptoj shumë mirë shqetësimin dhe gjendjen tuaj, sepse nuk është e lehtë të kalosh dhimbje të tilla. Në radhë të parë, më duhet t’ju sqaroj diçka: Sado që të kërkojmë ndihmën e mjekëve, psikologëve apo të tjerëve, në të vërtetë, veten tonë mund ta shërojmë vetëm ne! Mendoj se ju duhet të ndryshoni tërësisht mënyrën që po ndiqni për t’u shëruar nga depresioni, aq më tepër që gjer tani nuk keni patur asnjë rezultat të mirë. E di që do të thoni se është e vështirë, por duhet të ndërgjegjësoheni dhe ta pranoni tashmë dhimbjen e humbjen e motrës. Ju e keni veten tuaj në dorë që të dilni nga kjo gjendje. Të jeni i sigurtë që as motrës suaj nuk i pëlqen t’ju shikojë kështu. Të ishte për mua, do t’ju thoja të hiqni dorë totalisht nga ilaçet, por me çfarë shoh dhe kuptoj, ju keni krijuar një lloj varësie ndaj tyre, edhe pse nuk ju kanë dhënë efekt. Atëhere, merrni vetëm ndonjë qetësues në mbrëmje për gjumë, qetësues të lehtë bimorë, mundësisht. Ne do t’ju sugjeronim të kontaktoni një mjek tjetër, psikiatër ose psikolog dhe të merrni një kurë të thjeshtë bimore me ndonjë qetësues të lehtë, përkohësisht, sa për ta kaluar këtë varësi për të cilën ju fola... Më pas, bazohuni në forcën e shpirtit tuaj.

Së dyti, ndryshoni stil të jetuari. E di që nuk keni as dëshirë, as forcë, apo guxim të argëtoheni apo të zini shoqëri të re, ama kjo është e nevojshme dhe madje, urgjente. Regjistrohuni në një palestër, ose merruni me ndonjë aktivitet sportiv që ju pëlqen. Aktiviteti fizik do t’ju ndihmojë të shkarkoni stresin dhe dalëngadalë, edhe depresioni do të largohet. Nëse nuk ju pëlqen palestra, atëhere regjistrohuni në një kurs me zumba ose kërcime latine. Mund të habiteni me këshil- lat e mia e të mendoni: “Të argëtohem, kur motra ime nuk jeton më!?”. Mos e gjykoni apo ta trajtoni kaq ashpër veten tuaj, nuk është faji juaj që motra nuk jeton. Kaq ishte shkruar të jetonte ajo dhe jeta e saj nuk ishte në dorën tuaj. Nëse motra juaj do t’ju fliste tani, ajo do t’ju kërkonte me zemër të mos vajtoni më për të. Të jeni i sigurtë se ajo ju shikon nga lart dhe nuk i pëlqen fakti që ju e keni lëshuar veten kaq rëndë. Jeta duhet të vazhdojë, kjo nuk ka asnjë diskutim.

Keni për të parë që të ushtruarit në palestër, regjistrimi në ndonjë kurs që juve ju pëlqen, qoftë kërcim, muzikë, apo lojëra sportive, çfarëdo të jetë, do t’ju gjallërojë, do të çliroheni nga stresi që ju ka pushtuar dhe nuk do të keni më nevojë për ilaçe antidepresive. Zini shoqëri të re, dilni për kafe, për një pije me shoqëri, shok, piknik, ndonjë udhëtim etj. dhe do të shikoni që jeta juaj do të marrë tjetër rrjedhë; dhimbja juaj do të transformohet dhe do të zbutet me kalimin e kohës. Ju nuk do ta harroni kurrë motrën tuaj, ama me sjelljen tuaj, duke u bërë i fortë, do t’u tregoni akoma më shumë dashuri asaj, familjarëve të tjerë dhe atyre që ju rrethojnë. Siç ju thashë më sipër, çdo njeri e ka veten e tij në dorë, nuk janë ilaçet ato që do t’ju nxjerrin nga kjo gjendje, por jeni ju. Kërkoni ndihmën e familjes, miqve, njerëzve që ju rrethojnë, flisni me ta shpesh për motrën tuaj, qani, edhe ulërini nëse ju vjen për të ulëritur, vetëm nxirreni dhimbjen nga vetja dhe ndajeni me njerëzit tuaj të afërt. Duke folur shpesh rreth saj, duke kujtuar gjërat e bukura me të dhe duke ndjekur aktivitetet që ju thashë më sipër, do të ndiheni ndryshe. Mos e lëshoni veten, bëjeni për motrën tuaj dhe familjen. Këtë përgjigje po jua jep dikush që ka kaluar të njëjtën dhimbje me ju. Edhe mua, si juve, m’u duk sikur gjitha bota ime u përmbys kur humba prindërit, por me kalimin e kohës, me ndihmën e miqve dhe duke ndjekur pasionet e mia, jam akoma në këmbë dhe jo në depresion. Kam shumë mall, ndonjëherë edhe qaj nga mungesa e prindërve, por përsëri jam shumë mirë. I dhashë forcë vetes sime sepse e di që prindërve të mi nuk do t’u pëlqente kurrsesi të më shihnin në gjendje të mjeruar dhe në depresion. Ju uroj ta kaloni sa më shpejt këtë gjendje dhe ta merrni situatën në dorë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.