Rita Ora: Ky vit ka qenë i çmendur

Intervista - - FAQE 1 -

Është tashmë fakt që Rita Ora e ka bërë orën të ndalet e të punojë vetëm në favor të saj. Duket sikur fjala sukses është shpikur posaçërisht për vajzën kosovaro-londineze që, pavarësisht shkallëve në ngjitje, ka qenë vazhdimisht një promovuese dhe mbështetëse e denjë e rrënjëve të saj. Duke qenë ndër figurat më të dashura në publik, ne e përzgjodhëm si personazhin më të suksesshëm për intervistën speciale të këtij numri dhe ajo, e sjellshme si gjithmonë, pranoi me kënaqësi të “përhumbej” në pyetjet festive. Përmes atmosferës së gëzueshme që përcillet në këtë intervistë, Rita na tregon gjithçka rreth festave dhe shpirtit festiv që e karakterizon. Jemi të bindur që kjo do të jetë një kartolinë e bukur urimi në këtë fundvit, për ne dhe për ju. Gëzuar!

Mia Buci: - Rita, ndërkohë që po të shkruaj ty, jam para kompjuterit, me këngën “Jingle bells” në sfond, për frymëzim... Ti, ç’po bën tani?

Rita Ora: - Sapo përfundova së dekoruari pemën e Krishtlindjes, së bashku me Donin, vëllain tim të vogël dhe po përpiqemi të sjellim shpirtin e Krishtlindjes edhe në shtëpi. Po bëhemi gati të dalim jashtë dhe të kënaqemi me miqtë tanë, në botën e dimrit. (Buzëqesh)

- Zakonisht, ti, Elena apo Doni e rregulloni pemën në shtëpinë tuaj?

- Të tre, por këtë vit ishim vetëm unë dhe Doni sepse Elena është në Los Anxhelos.

- Po e ndjen atmosferën festive këto ditë? Si po i pret festat?

- Ah, po! E kam ndezur dritën e Krishtlindjes këtë vit në Uestfield, Londër dhe këtë herë, shpirti i Krishtlindjes ka ardhur e ndjehet gjithandej. Mezi po i pres këto pushime! Ky vit ka qenë i çmendur dhe unë nuk kam patur mundësinë të kaloj shumë kohë me familjen, kështu që më në fund, do të kaloj kohë me të dashurit e mi.

- Parë në syrin tonë, ti je një ndër personazhet më të suksesshëm të vitit që po lëmë pas. Ti vetë, si do ta quaje 2014-n?

- Uau, të falenderoj shumë. 2014-a ishte një vit mjaft produktiv dhe i çmendur. (Qesh) Kam punuar me kaq shumë gjëra në të njëjtën kohë; me muzikën, me turet, me filmat, me koleksionet, projektet surprizë dhe mezi pres që 2014-a të mbarojë e ju t’i shihni të gjitha këto.

- Ku dhe me kë do të të gjejë ndërrimi i viteve këtë herë?

Këtë vit do të mbaj një party në një klub në Nju Jork, kështu që do të jetë një vigjilje e Vitit të Ri, tipike nju jorkeze. (Buzëqesh)

- Jam kurioze të di se si do të ishte e shtruar një tavolinë festive me ushqime të përgatitura nga ti vetë...

- Nuk e di… Meqë jam e mirë në dekorimin e tavolinës, do të ishte një tavolinë tërheqëse. (Buzëqesh) Por, kur vjen puna te gatimi, atë e lë në dorën e mamit. Nuk është në tipin tim. (Qesh)

- Nuk të ka mësuar mami të gatuash asnjë ushqim shqiptar?

Pite me spinaq, por ende nuk di ta bëj vetë. Mami më ndihmon dhe e përgatisim bashkë. Është shumë qejf të gatuaj me mamin. (Buzëqesh)

- Ushqimi që të pëlqen më shumë gjatë festave?

Pite me spinaq dhe bakllava, sigurisht. (Qesh)

- Ekziston te ti frika se mos shton në peshë, pasi nuk u reziston dot ushqimeve të gatuara nga mami?

- Sigurisht! Kam shtuar shumë në peshë, por pastaj iu futa palestrës e ushtrimeve shumë fort, derisa i humba ato. (Qesh)

- A e ndjek mami traditën shqiptare të bakllavasë e gjelit të detit, si ushqim tradicional të Vitit të Ri, apo ju festoni si anglezët?

- Pavarësisht faktit që ne kemi jetuar këtu në Britani prej vitesh, kemi vazhduar të festojmë në mënyrën tradicionale. Është shumë këndshëm; më pëlqen shumë kur mblidhet e gjithë familja, qeshim duke shijuar shoqërinë e njëri-tjetrit dhe me ushqim të shijshëm, sigur

isht. (Qesh)

- E mban mend kur e mësove për herë të parë që Santa Klausi nuk ekziston? Si u ndjeve?

- M’u thye zemra, sinqerisht (qesh), por kjo ndodh me çdo fëmijë sepse Santa Klausi është ëndrra që çdo fëmijë pret t’i realizohet. Vjen momenti që e kupton se ai nuk ekziston dhe se gjërat nuk janë ashtu siç duken. Kjo është përballja e parë me reali

tetin.

Për çfarë i shkruaje dhe çfarë dhuratash i kërkoje gjithnjë Santa Klausit?

Kukulla, mikrofon, rroba të bukura… Gjëra vajzash, sigurisht. (Qesh)

- Ke menduar për dhuratat, këtë vit?

- Sigurisht! Për mua, dhuratat janë me të vërtetë të rëndësishme, kështu që unë e kam vendosur tashmë se çfarë dhuratash do t’i bëj familjes dhe miqve të mi këtë vit. Veçanërisht prindërve të mi, do t’u jap atë që ata gjithmonë kanë kërkuar dhe që e meritojnë më shumë.

- Më tepër bën apo merr dhurata?

- Mua, sinqerisht, më pëlqen shumë të jap dhurata dhe të shoh një buzëqeshje të madhe në fytyrën e personave që dua më shumë. (Buzëqesh) Më pëlqen edhe të marr sepse kjo tregon që unë kam rëndësi për dikë.

- Cilat janë dhuratat që ke marrë deri tani?

- Ditëlindja ime ishte më 26 nëntor dhe mora shumë dhurata të bukura, por e preferuara ishte një album me fotot e mia në formën e rikthimit në kohë; ku dhe si kam filluar dhe ku jam sot, qëkur isha fëmijë deri tani. Qava pak, sepse më emocionoi shumë...

- Po dhurata më e bukur që ke gjetur poshtë pemës?

- Oh, e mbaj mend! Ka qenë një piano e vogël që ma dhuroi gjyshi dhe unë nuk pushoja së luajturi në të gjithë ditën, duke kënduar. (Qesh)

- Cili ka qenë ndërrimi i viteve më i bukur që ke kaluar deri tani?

Duhet të ketë qenë 2012-2013, në Dubai, me familjen time. Ishte viti i parë kur debutova dhe nuk e kisha parë familjen time prej muajsh, ndaj në ditët e fundit të vitit rezervova një fluturim surprizë në Dubai dhe shpenzova çdo moment me ta. Ishte gjëja më e mirë që bëra sepse kuptova që pavarësisht sa larg shkoj apo sa shumë do të arrij, unë do të jem afër familjes sime; kjo është arritja ime më e rëndësishme.

- Nuk do doja ta anashkaloja ndeshjen SerbiShqipëri, si rrjedhojë e së cilës erdhi edhe deklarata jote se do të doje të këndoje në mes të Beogradit me flamurin shqiptar...

- Ai ishte një akt i pastër racizmi dhe besoj se vendimi i UEFA-s nuk ishte aspak i drejtë. Lojtarët tanë janë keqtrajtuar dhe e gjithë kjo sepse ata mbrojtën një flamur autokton, ndërkohë që aty ka patur qindra flamuj serb dhe ne respektuam gjithçka e të gjithë. Jam shumë krenare se si djemtë qëndruan dhe u përballën me ta. Mbaj mend që po e shihja ndeshjen në një studio në Los Anxhelos dhe ndalova së regjistruari këngën sepse isha aq nervoze dhe e emocionuar në të njëjtën kohë saqë të gjithë nisën ta shihnin ndeshjen me mua. (Buzëqesh) Gjithmonë kam menduar se muzika mund të shërojë çdo dhimbje dhe të ndihmojë për të harruar të kaluarën dhe unë do kisha shumë dëshirë të performoja në Beograd, kur ata të njohin pavarësinë e Kosovës. Kohët e fundit kam performuar në Moskë dhe është e vërtetë, Rusia nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës, por unë lirisht e pranova para tyre se jam nga Kosova dhe nuk u godita nga ndonjë karrige apo diçka e tillë. Thjesht, më respektuan. Ti e di, politika dhe historia duhen mbajtur mënjanë dhe serbët duhet të tregohen më të fortë se ndjenja e tyre kombëtare.

- Kur do jetë vizita jote e radhës në Shqipëri dhe Kosovë?

- Hëm surprizë, surprizë. (Buzëqesh) Gjithë çka mund të them është se po planifikoj një koncert të stërmadh në mes të Prishtinës, kur të kthehem.

- Cili është personi i fundit VIP i huaj, të cilit i ke folur për Shqipërinë dhe Kosovën?

Unë flas aq shpesh saqë tani nuk e mbaj mend se me kë kam folur herën e fundit. (Qesh) Ka qenë Xhemi Foks, në ndarjen e çmimeve AMA. Është shumë këndshme të shohësh se si njerëz të famshëm duan të shohin Shqipërinë dhe Kosovën.

- Të rinjtë, këtu në Shqipëri, natën e ndërrimit të viteve, deri në orën 00.00, e festojnë me familjen dhe pas kësaj ore, me shoqërinë. Po atje, si festohet?

Në fakt, këtu në Mbretërinë e Bashkuar Krishtlindja kalohet me familjen, ndërsa Viti i Ri, me miqtë. Krishtlindja është familjare, të bashkon, ndërsa Viti i Ri është më shumë si një party.

- Nëse te them: Borë, oxhak, film... çfarë të vjen ndërmend tani?

Ditëlindja ime! (Qesh) Këtë vit, vendosa ta kaloja ditëlindjen në shtëpi me familjen time; duke parë filma, duke ngrënë kokoshka dhe duke u përkëdhelur me macen time Brunon, veshur me pizhama, gjithë ditën. (Buzëqesh) Brunoja është djali im dhe ne kishim atë natën mes mamit dhe djalit... (Qesh)

- Thonë se Krishtlindja më e bukur kalohet në Nju Jork...

- Sigurisht, e dashur. Nju Jorku është qyteti më i këndshëm në gjithë botën. Aty, çdo party është më e bukura që mund të bëhet.

- Po ty, me të brendshme të kuqe të gjen mbrëmja e Krishtlindjes?

- Po, gjyshja ime është mjaft supersticioze dhe na bën mua dhe Elenën të besojmë në këto gjëra. (Qesh) Dhe po, mbathje dhe sutjena të kuqe. (Qesh)

- Ke menduar për lukun e natës së ndërrimit të viteve?

- Në të vërtetë, nuk e di, varet nga humori im. Nuk bëj plane se çfarë do të vesh sepse e vendos gjithmonë në minutën e fundit.

- Ja, atmosfera festive e këtyre ditëve në Tiranë: Pema në qendër të qytetit, dyqane të mbushura me njerëz që zgjedhin dhurata, edhe pse ftohtë, në një cep të rrugës sheh shitës që të tundojnë me aromën e gështenjave të pjekura, këngë Krishtlindjeje... Si është atmosfera festive aty ku ndodhesh ti?

Oh, këtu mund të shohësh pemën e stërmadhe të Krishtlindjes, pistën e patinazhit, drita gjithandej, njerëz që dhurojnë përqafime në rrugë dhe qeshin. Çdo dyqan është plot me njerëz që blejnë dhurata dhe, pavarësisht se është shumë ftohtë, atmosfera është mjaft e ngrohtë. (Buzëqesh)

- Ka ndonjë gjë që nuk e realizove dot gjatë vitit 2014? Çfarë pret nga viti 2015?

- Po shoh përpara për vitin 2015. Për shkak të disa problemeve të papritura albumi im, që duhet të dilte në shtator, është shtyrë dhe do të dalë në janar. Pastaj është turi im i cili do të jetë shumë i bukur dhe argëtues. Më pas, “The Voice”, ku do të jem anëtare jurie, disa filma, shumë projekte dhe gjithashtu, më shumë koleksione që i kam dizenjuar. 2015-a do të jetë vërtet e madhe.

- Data shënon 01.01.2015. Çfarë do të jesh duke bërë në ditën e parë të Vitit të Ri?

- Do të jem në Nju Jorkun e bardhë dhe të zhurmshëm, me miqtë e mi më të mirë dhe ka shumë mundësi që të shtrihem në mëngjes herët për të fjetur e të zgjohem në mesditë, për të dalë jashtë, që të luaj me borë. (Qesh) Natë e çmendur, ë? Po përpiqem të shpenzoj sa më shumë kohë me familjen time dhe miqtë sepse nuk do të mund t’i shoh shpesh vitin tjetër, për shkak të angazhimeve.

- Urimi yt për Vitin e Ri...

U uroj të gjithëve paqe, qetësi dhe dashuri në jetën e familjen e tyre. Shpresoj që ky Vit i Ri t’u sjellë atyre më shumë mundësi e shanse për t’i bërë ëndrrat realitet. Zoti ju bekoftë juve dhe familjet tuaja!

- Pyetjen e fundit, po të lë të ma bësh ti mua...

- Oh, mrekulli! Së pari, më lër të të falënderoj shumë për këtë intervistë, që ishte shumë e ngrohtë. (Buzëqesh) Faleminderit që më pate mua dhe hëm… Më trego, si e kalon Vitin e Ri dhe çfarë po planifikon për të festuar? (Buzëqesh)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.