Big Mama: Kalin e kam gjetur, princin akoma jo!

Intervista - - FAQE 1 -

Ajo është një ndër këngëtaret më origjinale të muzikës shqipëtare dhe, edhe pse jeton në Shkup, është gjithmonë e pranishme në kompeticionet edhe festivalet tona. Së fundmi, në Këngën Magjike, u vlerësua me çmimin e RTV21, si një ndër këngëtaret që jep kontribut të rrallë me krijimet e saj. “Valentina” titullohet kënga, një këngë që, siç e përkufizon ajo, u dedikohet të gjitha femrave që kërkojnë mashkullin e huaj. Po flasim pikërisht për Besjana Kasamin, ose ndryshe Big Mamën, siç thërritet në skenë, këtë vajzë shumë ekspresive edhe lozonjare, që vjen në skenë gjithmonë me risi, në muzikë dhe luk. Bigu, në një rrëfim shumë të sinqertë, na flet për çmimin e sapofituar, për princin e kaltër edhe për festat e fundvitit...

Rita Rrjolli: - Përshëndetje Bigu, si je?

Big Mama: - Mirë, faleminderit… Një falënderim special për ty Rita dhe këtë intervistë të mrekullueshme. Pse nuk bëhesh edhe ti Big njëherë?

- Do ta mendoj… Për momentin, me çfarë po merresh?

- Ju e dini tashmë se fundviti është ndër sezonet më të ngarkuara për njerëzit e posaçërisht, për ne këngëtarët. Jam herë në Shkup, herë në Prishtinë e Tiranë, po merrem me xhirime festive nëpër televizione dhe produksione të ndryshme.

- Cila është gjëja e parë që mendove kur t’u kërkua kjo intervistë?

- Edhe pse kam vite që jam në skenë, unë jam gjithmonë në siklet kur përgjigjem në intervista. Gjëja e parë që bëj kur më kërkohet intervista, është që pyes veten: Mos vallë ka plas ndonjë skandal për mua e unë nuk e di?! (Qesh)

- Si ndihesh pas pjesëmarrjes te Kënga Magjike edhe pas çmimit nga RTV21?

- Nuk ka më mirë kur puna dhe mundi të vlerësohen. Jam e kënaqur, edhe pse gjithmonë ka edhe më mirë, por duke parë e duke bërë. - Ku e festove çmimin? - Me miqtë e mi më të mirë dhe kolegë në Tiranë. Më pas, edhe në Prishtinë e Tetovë.

- Pse asnjë ndër VIP-at tanë, përfshirë ty, nuk bëtë bamirësi për fundvit me çmimet e fituara?

- Unë jam gjithmonë e gatshme kur bëhet fjalë për aktivitete të tilla, por me një kusht, që të mos keqpërdoren këto aktivitete.

- Ndoshta çmimet në festivalet tona janë më shumë simbolike sesa monetare?

- Mund të thuhet edhe ashtu...

- Pse kënga u titullua “Valentina”?

- Valentina ishte thjesht një emër i rastit që u përzgjodh te teksti, nuk ka të bëjë me ndonjë person të caktuar me të njëjtin emër. Unë gjej rastin që t’u kërkoj falje nëse rastësisht ndonjë femër me këtë emër është prekur nga fabula e këngës.

- Pra, nuk është Valentina ajo që të ka mërzitur kaq shumë?

- Pse, mund të më mërzitë mua dikush?! (Qesh)

- Ke hasur shumë “Valentina” gjatë karrierës?

- Po, shumë, madje gjithë fabula është dedikim për ato femra, për ato ‘’Valentina’’, sepse secili mashkull ka nga një Valentinë. Kënga iu dedikohet lavireve që ndajnë burrat nga gratë, ndajnë baballarët nga fëmijët e kështu me radhë…

- A thua meshkujt e sotëm po duan gjithmonë e më shumë “Valentinat”?

- Po, nga mentaliteti akoma i pashëruar, sigurisht që i duan.

- Si reagon kur je me nerva me një person?

- Mos ndodhtë që ai të gjendet para meje!

- Ti ke karakter shumë të fortë... A të ndodh të qash?

- Pse, mendoni se Bigu nuk qan? Sigurisht që po, sepse edhe unë jam njeri me ndjenja.

- Herën e fundit, ke qarë nga nervat apo nga gëzimi?

- Hera e fundit ka qenë nga gëzimi sepse unë, zakonisht, jam e gëzuar dhe e lumtur.

- Je kaq e veçantë në luk… Është dhunti, apo një zgjedhje vetëm për skenën?

- Edhe pse nuk besoj se është kusht, që e vogël jam munduar të dukem bukur dhe më unike nga shoqet e mia, ndoshta për shkak të madhësisë që kam.

- A ka një ngjyrë flokësh të cilën nuk e ke eksperimentuar ende?

- Jo, i kam provuar të gjitha. (Qesh)

- Si reagojnë miqtë kur një ditë u del me flokë të kuqe e një ditë, bjonde?

- Në fillim u dukej absurde, por tani janë mësuar, madje kur më shohin gjatë pa ndonjë ndryshim, më thonë: “Hë, akoma nuk bëre gjë?!”.

- Vajzë e çmendurive… Gjëja më e çmendur që ke bërë në jetë?

- Ndoshta dukem, por nuk jam edhe aq e tillë. Të gjitha ato gjëra që kanë bërë shoqet e mia në kohën e tyre, ato kam bërë edhe unë, asgjë më tepër deri më tani.

- Për momentin, po përgatit ndonjë këngë e klip të ri?

- Jam duke i realizuar disa këngë të reja. Të shohim se si do të dalin e më pas do të vendos nëse do të realizoj ndonjë klip, pas festave.

- Si është jeta jote, mes udhëtimeve dhe familjes?

- Familja ime është më- suar me mua se unë dal herët e kthehem vonë, dal vonë e kthehem herët, shijoj edhe jetën e natës kur kam kohë, me miqtë e mi. Besoni që është një jetë e lodhshme e jo me aq shkëlqim sa mund të paramendojnë njerëzit. Ne këngëtarët nuk jetojmë me yjet. Mund vetëm të vetëkënaqemi, asgjë më shumë!

- Nuk dimë asgjë në fushën tënde sentimentale… Princi i kaltër ende nuk është bërë i gjallë?

- Kur do të bëhet i gjallë, sigurisht që do t’ju tregoj. Akoma nuk ka asgjë në këtë drejtim; kalin e kam gjetur, princin akoma jo. ( Qesh)

- E pranon një princ në kalë, pa lamborgini në garazh?

- Mjafton të jetë njeri, të tjerat vijnë pas. Princi në kalë mund të ketë edhe një princeshë e më pas, të dy, edhe një lamborgini në garazh.

- Si është një mashkull ideal për ty?

- I gjatë, zeshkan, tërheqës, i bukur, i mençur, i pashëm etj. (Qesh)

- Ti, a mendon se je femra ideale?

- Nuk ka njeri perfekt, por për dikë, mund të dukem ideale.

- Je e lidhur me muzikën dhe jetën e natës… Po me alkoolin dhe cigaren?

Me muzikën jam shumë e lidhur sepse e kam profesion, edhe jetën e natës, kur kam kohë. Duhanin e kam pikë të dobët, ndërsa alkoolin, vetëm me miqtë, për ndonjë rast.

- E zëmë se je nisur në një udhëtim dhe harron diçka pa marrë... Për çfarë do ktheheshe, pas shumë kilometrash?

- Nuk e di, nuk më ka ndodhur deri më tani ndonjë rast i tillë, por nuk besoj se do kthehesha për gjëra të vogla që blihen gjithandej. Do kthehesha në të ardhmen, sikur, mos dhashtë Zoti, të harroj fëmijën diku. (Qesh)

- Meqë festat po afrojnë, a ke një dëshirë për Babagjyshin?

- Dëshirat janë të mëdha: Shëndet për mua e familjen, shëndet për gjithë shqiptarët. Kjo ka rëndësi, se të tjerat bëhen.

- Je sjellë mirë apo keq këtë vit, për ta merituar dhuratën?

- Unë mendoj se kam bërë mirë aq sa kam mundur, po ku ta di...

- Personat që i do medoemos pranë, çdo fundvit?

- Familjen, se me familjen nuk krahasohet asnjë gjë. Gënjen, nëse thua diçka tjetër.

- Dhurata do të bësh sivjet?

- I pëlqej edhe unë, po kush nuk i pëlqen dhuratat?! I dua shumë. Edhe i jap, po edhe i marr.

- Një urim për të gjithë fansat e tu...

- Shëndet e më të mirat e kësaj bote, krenohuni me veten e gjërat e mira vijnë ngadalë. Kini vetëm durim!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.