Ia nxiva jetën vjehrrës, edhe në prag të vdekjes

Intervista - - RREFIME MEKATARESH -

... I lirova rrugën, mora qesen që ime vjehrrë kishte lënë në karrige dhe të tre u nisëm për në shtëpi. Sigurisht, atë mbasdite dhe dy ditë të tjera u morëm me vajzën dhe asnjëri prej nesh nuk e zuri me gojë atë situatë, por mendoj se kur je me të drejtën e Zotit, ai të ndihmon. Ditën e tretë që desha t’i thoja tim shoqi se ajo më kishte rënë në qafë të gjitha herët që ai ishte zënë me mua, na erdhi për vizitë një kushërirë e burrit. Më iku gjithë mbasditja dhe nuk arrita të flas me tim shoq për ç’ka kisha bërë ndërmend t’i thoja. Kur u ula për të fjetur, sapo desha të hapja gojën, im shoq më mori në përqafim e duke më puthur butësisht, më tha:

- Të lutem, më fal. Kam tre ditë që i mendoj të gjitha herët që jam ulur në kafe me mamanë dhe gjërat që ti m’i thua pas dy-tre ditësh. Të gjitha më çojnë në të njëjtën përgjigje. Mamaja ime, me ndihmën e motrës time, më kanë gënjyer. Të dua, shpirti im dhe besomë, nuk do të ndodhë më që të zihemi për gjëra koti. Ama, dua që edhe ti të jesh korrekte me prindërit

(Vijon nga numri i kaluar) e mi. E kuptoj që shtëpia është shumë e vogël për t’u rrotulluar e ndenjur rehat edhe ne, edhe ata, por nuk kam ç’bëj. Nuk dal dot në shtëpi me qira se do të vriten shumë.

Dhe me këtë, u mbyll çështja. Vjehrra ime filloi të rrinte më turivarur sepse i biri nuk po ia vinte veshin më.

– Ato janë muhabete grash e unë jam burrë, mama, zgjidhini vetë! - i thosh ai.

Nuk zgjati shumë dhe vjehrri im ndërroi jetë pas një aksidenti që i ndodhi, ndërsa kthehej nga i vëllai që jetonte në fshat. Ishte një goditje për të gjithë, se erdhi krejt papritur. Pastaj, vdekja, sido që të jetë, është e rëndë. Edhe unë e përjetova, sepse me të nuk kisha ndërruar asnjë fjalë të keqe. Edhe sot e kujtoj vetëm për mirë. Vdekja e të shoqit e tronditi vjehrrën time dhe një vit më pas, filloi të rëndohej. Unë mbeta shtatzënë me fëmijën e dytë. Vetëm atë ditë që bëmë ekon e na thanë që bebi ishte djalë, e pashë të qeshte me gjithë zemër e të ishte e lumtur që pas ditës që vjehrri vdiq. Ndërsa po afrohej dita për të lindur, ajo sa vinte e rëndohej. Pasi linda, nuk bëhej fjalë që ajo të mbante djalin, por m’u desh edhe të kujdesesha për të. U rëndua aq shumë sa filloi të mos çohej më. Ndonjë ditë tek-tuk e ngrinim për krahësh për ta çuar në banjo, por në shumicën e rasteve, mbetej në krevat dhe më duhej ta laja si fëmijë.

- E shikon, moj mama, si rrotullohet bota? - i thashë një ditë. - Ku e ke tët bijë që vinte për të bërë plane se si të më mërzisnit e përzienit mua me burrin?! Apo tani ke mund të madh se duhesh larë e pastruar e ajo është zonjë e madhe dhe nuk bën punë të rëndomta...

- Mos ki merak se sapo të vijë im bir, do t’i them që ti s’lodhesh fare të më shërbesh, - më tha gjithë inat.

- Mund t’i thuash ç’të duash, moj zonjë, po unë kam edhe djalin e vogël, më duhet të çoj e të marr vajzën nga kopshti, më duhet të bëj pazarin, drekën, punët e shtëpisë edhe në fund, pasi t’i mbaroj të gjitha këto, edhe do të fle gjumë. Kur të ngrihem nga gjumi, do të të ndërroj e ushqej! - i thashë.

Nuk foli, por ktheu kokën mënjanë. Bëri sikur u zemërua dhe më kërkoi telefonin se donte të fliste me të bijën.

- Telefonin? – i thashë, - merre, aty e ke. Pse duhet të ta jap? Ti më ke nxirë rininë, ditët që për mua duhet të ishin më të bukura. Dy vite martesë, e di unë si i kam kaluar. Kam ngrënë bukë e lot. Tani më erdhi koha të të kthej kusurin. - i thashë.

U nxi nga nervat, por s’kishte ç’të bënte. Kur erdhi im shoq, më ndihmoi ta pastroja, se vjehrra ishte shumë e rëndë. Sapo ajo nisi të fliste, ai iu përgjigj shumë qetësisht se duhej thjesht të duronte edhe pak.

- Do të bëhesh më mirë, mama dhe do t’i bësh vetë shërbim vetes. Ime shoqe nuk është fëmijë që ta mësoj unë si të sillet, ajo ka dy fëmijë për t’u kujdesur. Edhe ty nuk po të lë pas dore, por ajo, e vetme, s’të ngre dot. Tani, të lutem, më lër të ha drekë apo darkë çfarë është kjo se shkoi ora shtatë dhe me të vërtetë që jam shumë i lodhur.

E kuptoi që me të birin nuk do të nxirrte asgjë në dritë dhe më kërkoi ta shtrija, se ndihej e lodhur. Me veten time, sa s’po fluturoja nga gëzimi nga përgjigjja që mori. M’i pagoi ai të gjitha shqetësimet që më kishte sjellë ajo, për dy vite rresht. Ditët kalonin rutinë, po njësoj me njëra- tjetrën. Ajo sa vinte e rëndohej. Edhe e bija ishte bërë me fëmijë të dytë dhe nuk kishte më kohë jo që të vinte e të thurte plane me të, por as t’i bënte ndonjë shërbim. Më së shumti, merrte në telefon dhe e pyeste si ishte.

Unë, nga inati, pasi mbaroja gjithë punët e tjera, merresha me të. Ndonjëherë, kur e shihja që vuante ashtu, edhe më dhimbsej, por kur kujtoja atë që më kishte bërë, thoja që nuk do lodhesha fare me të. I gjithë shërbimi që i bëja ishte vetëm që të mos më çante veshët, por nuk kishte asnjë lidhje me humanizmin. Nuk i thashë një fjalë të mirë, megjithëse e laja si fëmijë të paktën tre herë në ditë sepse vetëm ndyhej. E ushqeja, e ulja, e ngrija. Unë të gjitha i bëja, por nuk më vinte asnjëherë t’i bëja një muhabet. Ajo ishte gjithë ditën e mbyllur dhe vetëm. Unë dilja sa te kopshti i vajzës, sa për pazar, jo se bëja ndonjë gjë të madhe, por gjithsesi, isha ndryshe. Në atë gjendje, ajo jetoi një vit rresht. Një vit nuk shkova në punë, edhe djalin e rrita në shtëpi, edhe për të, më duhej të kujdesesha. Me të vërtetë që lodhesha, isha katandisur në pesëdhjetë kile njeri, por sërish isha e lumtur. Kisha një gëzim të brendshëm sepse im shoq më shihte si dritën e syrit, kurse vjehrra kishte filluar të mos më fliste fare, përveçse kur donte ndonjë gjë. Isha e qetë, megjithëse lodhesha shumë.

Pas një viti, vjehrra ime ndërroi jetë. Pastaj, djalin e çova në çerdhe dhe fillova punë. Isha goxha e lehtësuar. Edhe pse lodhesha në punë, ishte ndryshe. Ndonjëherë, kur mendoj se si u soll ajo me mua dhe si ia ktheva unë kur ajo u sëmur, më vjen keq për veten time. Pse duhej të bija në gradën e saj?

Të paktën, jam e qetë me veten që nuk kam gënjyer, nuk e kam ngatërruar asnjëherë me të birin. Edhe shërbimin ia kam bërë, por... mendoj se duhet të kisha patur pak më shumë durim. Ne e morëm vesh që ajo do të vdiste shpejt e do të më linte të qetë një herë e përgjithmonë, nuk kisha pse të sillesha ashtu me të në ditët e fundit të jetës...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.