Kam probleme me ankthin e frikën

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Përshëndetje Dr. Jashari dhe faleminderit që na ndihmoni me përgjigjet tuaja. Unë kam një problem që ka të bëjë me ankthin, frikën dhe mendimet e mia të shumta, të cilat janë të errëta. Jam konsultuar me një psikiatër dhe kam pirë gjashtë muaj ilaçe. Tani ndihem po njësoj. Ju lutem, më ndihmoni ose më bëni të mundur t’ju kontaktoj. Ky është një shqetësim i madh për jetën time. Faleminderit.

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: - E nderuara letërshkruese, dy gjëra më kanë pëlqyer te letra jote, e para se ti e ke kuptuar drejt edhe vetë se ankthi e frika të vijnë për shkak të mendimeve, siç i quan ti, të shumta dhe të errëta, si edhe konstatimi yt se ke pirë për 6 muaj ilaçet e psikiatrit dhe ndihesh po njësoj. Këtu edhe do të ndalemi në këtë përgjigje. Në punën time prej më tepër se tre dekadash me klientët, kam konstatuar se mendimet obsesive ( që përsëriten) të cilat janë jo vetëm negative, por edhe këmbëngulëse, i shkaktojnë shumicës së njerëzve jo vetëm ankth e frikë, por edhe pagjumësi, dhimbje trupore, rënie oreksi, ulje të dëshirave seksuale etj. Këto mendime mund të kenë lidhje me të kaluarën, ndaj edhe gjatë psikoterapisë ne përpiqemi t’i mësojmë këta klientë që, si të thuash, të jetojnë “pa memorie”, gjë që nuk është fort e lehtë, por që duhet! Por edhe mendimet për të ardhmen, shpeshherë, kur janë negative e katastrofizuese, sh- kaktojnë ndjenja ankthi e frike ndoshta edhe për gjëra që nuk kanë ndodhur apo mund të mos ndodhin kurrë. Të gjitha pyetjet që ju fillojnë me fjalët “Po sikur?” e “Pse?” pa fund, aty të çojnë, ndaj që në seancën e parë, unë u jap detyrë klientëve që të ndërtojnë 50 fjali që fillojnë me fjalët “Sa mirë që...”. Klientë të shumtë më thonë mua që nuk do të mund ta gjejnë dot as 10 fjali të tilla, por kur ata e fillojnë, ka ndodhur që, me ndihmën time, apo të ngacmuar nga pyetjet e mia, kanë gjetur jo 50 të tilla, por 100, 150, 250... e më shumë. Këtu nuk e kemi fjalën që ne të gënjejmë veten apo të fshehim kokën si struci, për të mos parë rreziqet reale, pasi frikërat reale janë shenja të dobishme për të parë e shmangur rreziqet, por e kemi fjalën për atë për të cilat populli thotë: “Trimi vdes një herë, kurse frikacaku, 1000 herë”. Fjalitë që fillojnë me “sa mirë që...”, janë jo vetëm një inventar shumë i dobishëm dhe i gëzuar, por ato do të na bëhen edhe si afirmacione pozitive “automatike” të cilat do të zëvendësojnë mënyrat e gabuara të të menduarit, kur dihet se disa njerëzve, kudo e për çdo gjë, u është bërë si zakon i keq që në vend që të gjejnë diçka për t’u gëzuar, kërkojnë e (sipas thënies “kush kërkon gjen”), gjejnë vetëm gjëra për t’u mërzitur. Edhe kur punët u shkojnë mbarë, disa ndjehen të shqetësuar apo të trembur për shqetësimet e së nesër mes, të ndikuar edhe nga ngjarjet e këqija, “bombardimet” me lajme negative në media, apo telenovela, me “shto ujë e shto miell”, që disa i shohin si të mbërthyer pas ekranit.

- Të gjitha këto, shto këtu edhe ngarkesat apo vështirësitë e jetës, shkaktojnë te njerëzit ankth e frikë për të ardhmen dhe këtu qëndron edhe paradoksi: Në vend që ata të merren me të tashmen e të zgjidhin problemet, pasi siç themi ne psikologët, e tashmja nuk na fut kurrë në stres, pasi jemi duke vepruar, ata merren ose me të kaluarën, ose me të ardhmen, me dy “hajdutët” më të mëdhenj të kohës. Dhe, si rezultat, pas mendimeve vijnë edhe ndjesitë më të zakonshme fizike, si lëvizje ekuilibrash, skuqje apo zverdhje, dridhje, të përziera, dhimbje koke, pagjumësi, djegie apo si “flutura” në stomak, rënie të fuqive, mosmbushje me frymë, shtim të rrahjeve të zemrës, dhimbje gjymtyrësh apo të qafës, shpesh edhe të shtyllës kurrizore, ndjesi rreziku si të vdekjes, të çmendjes, rënies të fikët e të tjera, të cilat jo vetëm alarmojnë e s’të lënë rehat, por të duket sikur problemi s’do të ketë zgjidhje dhe kësisoj, fu- tesh në rreth vicioz. Ka edhe raste kur nga këto gjendje, njerëzit përfundojnë kot së koti në urgjencë dhe atje, në vend që t’u bëjnë atyre psikoterapi e t’i qetësojnë se s’kanë të bëjnë me ndonjë rrezik apo sëmundje, u bëjnë ndonjë serum me lorazepam apo glukozë dhe lënë të kuptohet se rreziku kaloi sepse ata erdhën në kohën e duhur në urgjencë. Klientë të tillë, me psikoterapi dhe kura 100 % bimore unë i kam bërë që të mos u bjerë më në mendje urgjenca, kur atje ishin bërë ata si “të shtëpisë”. Për këto, do të doja t’i drejtohesha mikut tim, zotit Ilir Beqja që të urdhërojë që tek urgjencat të ketë një psikolog klinicist e të mos harxhohen gjilpëra, ilaçe apo kohë me ata që në Perëndim i bindin të ikin sepse s’kanë nevojë për urgjencë dhe se kanë zënë vendin e ndonjë tjetri që i duhet ky shërbim patjetër, deri për t’i shpëtuar atij jetën.

Kështu, pra, shpesh, padituria për ankthet e frikërat apo fobitë, gjen vend jo vetëm te njerëzit, por ndodh edhe te psikiatrët, të cilët kur i shohin njerëzit të axhituar e dukshëm në ankth, alarmohen edhe vetë ose nxitojnë të japin ilaçe për ta vënë trurin në gjumë që ai të mos mendojë, kur po ai tru neve na duhet për të menduar, por duke rregulluar mënyrat e të menduarit. Është njëlloj sikur një xheloz skajor ta dehej me raki derisa të harrojë se është i martuar. Jam dakord që të shihet edhe se mos ndërhyjnë te kjo gjendje për shembull gjendrrat endokrine, infeksionet në organet gjenitale etj., por jo t’i përgjumim njerëzit e t’i trullosim duke kujtuar se i “shëruam”. Kjo sepse, sapo atyre t’u kalojë përgjumja, përsëri frikërat, ankthi, turpi, mëria, urrejtja, xhelozia etj. do të shkaktojnë përsëri si më parë sinjale alarmi e shkarkime adrenaline në gjak, bashkë me të gjitha reagimet që do të përsëriten, si edhe me emocionet negative të tilla si: Turp, siklet, ndjenja faji ndaj vetes, depresion etj. E gjitha kjo vjen sepse trupi dhe shpirti janë shumë të lidhur dhe gjendjet e ndërgjegjes sonë, pra, mendimet, bëjnë efekt të madh mbi të gjitha funksionet e organeve tona të brendshme. Ja, edhe disa këshilla në përfundim të kësaj përgjigjeje: Identifiko mendimet e tua negative dhe mos u tremb nga ai “zëri” yt i brendshëm, qetësoje “fëmijën” tënd të brendshëm. Mos bjer në “kurthin e mendimeve negative dhe as mos i kundërshto ato me forcë, duroji e lëri të kalojnë. Fale veten dhe të tjerët. Vrapo tani; fuqia e ndikimit është gjithmonë në momentin e tanishëm. Kërko pozitiven, përballu, kërko ndihmë, ndihmo. Bëj punë të dobishme. Me anë të një psikologu, njihi dhe menaxhoji “sinjalet” negative që të çojnë ankth e frikë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.