Djali që ia kushtoi jetën nënës së tij

Intervista - - FAQE 1 -

Të dashur lexues! Nëse ju kujtohem, kam shkruar shumë histori të pacientëve që bëjnë terapi fizike në të njëjtën klinikë me mua. Kam ca kohë pa shkruar, pasi edhe nga ana shpirtërore nuk kam qenë mirë, por sot kam vendosur t’ju tregojë një histori të bukur dhe të trishtueshme, por të mbushur me një dashuri pa kushte. Deri kur takova në klinikë djalin e ri me nënën e tij, nuk e kisha menduar se mund të ekzistonte një djalë i ri në moshën më të bukur të jetës, që t’i përkushtohej ashtu nënës së tij. Nëna e tij ishte paralizuar kur ai ishte 17 vjeç dhe tani ai ishte 25 vjeç. Gruaja, pra, nëna e tij, ishte 45 vjeçe, kishte 8 vjet e paralizuar dhe shenjat e përmirësimit të saj ishin shumë të vogla. Ajo kishte provuar gjithçka. Ishte operuar dy herë jashtë vendit e kishte bërë fizioterapi në shumë klinika, por si duket, shpresat nuk i ishin zhdukur, meqenëse vazhdonte ende të vinte për fizioterapi.

Djaloshi, që quhej Armir, e shoqëronte në klinikë rregullisht. Sapo i vinte rradha nënës së tij, ai shkonte e pyeste doktorin nëse ishte e nevojshme të rrinte brenda me nënën apo jo. Nëse doktori i thoshte se i duhej ndihma e tij, ai menjëherë merrte nënën me karrocë dhe futej bashkë me të. Nëse doktori i thoshte se nuk kishte nevojë për ndihmën e tij, ai ulej, nxirrte nga çanta një bllok e shkruante pa vënë re se kush ishte afër tij, që të bënte muhabet. Ishte një djalë shumë interesant. Veprimet e tij më bënë shumë kurioze. Një ditë i thashë:

- Djalosh, a mund të më zbrisni deri poshtë pasi të dalë mamaja juaj, sepse akoma nuk ka ardhur ime motër?

- Posi! - u tregua i gatshëm menjëherë djaloshi.

- Faleminderit! Jeni me të vërtetë shumë i sjellshëm... - S’është asgjë, zonjë! Kaq tha ai dhe uli kokën, duke vijuar të shkruante. Ishte një djalë për t’u admiruar. Në fakt, më dukej tamam si djali im. Edhe pse nuk ishte me mua që të më shoqëronte, djali im e ndjente shumë paralizën time. Ai ishte larg në Skoci, por sikur të ishte këtu, me siguri, do të më shoqëronte kudo.

Sapo gruaja doli, ai e çoi nënën e tij tek ashensori dhe erdhi të më ndihmonte mua. Me mua, fizioterapia po funksiononte, kështu që nuk kisha shumë nevojë për ndihmë, por kisha ende frikë të ecja vetëm me paterica. Kur arritëm tek ashensori, ai më prezantoi me nënën e tij. Ende nuk ma kishte mësuar emrin, por ai, si djalë xhentil që ishte, dinte si të vepronte.

- Mami, ja, po të njoh me një shoqe të re. Quhet... - dhe vështroi nga unë. Unë në fakt nuk u përgjigja për momentin sepse hutohesha nga veprimet e tij që më kujtonin fiks djalin tim, për të cilin më kishte marrë malli shumë.

- Mirëdita, zonjë, jam Mimoza! Gëzohem që ju njoh...

- Edhe unë... Unë quhem Edlira.

- Gëzohem! Iu luta djalit tuaj të më shoqëronte deri poshtë (ky ishte një pretekst kur doja të njihesha me pacientët e historitë e tyre), sepse akoma nuk ka ardhur motra të më marrë.

- Shumë mirë bëtë. Mos e ki problem fare. Sa herë të duash... djali im është mësuar tashmë.

Zbritëm poshtë dhe këtë herë më ftuan ata për kafe. Djali kërkoi leje të largohej sepse do të takonte një shok dhe ndërkohë, ne do të rrinim së bashku e të flisnim. Ishim njohur në ashensor, kështu që nuk na mbetej veçse të flisnim për jetët tona, sidomos ne që na lidhnin shumë gjëra. Ajo ishte paralizuar sepse kishte kaluar një traumë të thellë pas vdekjes së të shoqit. I shoqi i saj kishte vdekur kur punonte në Greqi. Ajo po bëhej gati të shkonte të jetonte me të në Greqi, sepse kishin shumë kohë që nuk shiheshin. Kjo, për shkak të vizave, që atë kohë nuk ishin liberalizuar ende. I shoqi punonte murator dhe i kishte rrëshqitur këmba e kishte rënë në tokë. Ajo tregonte e qante sikur t’i kishte ndodhur tani e jo para gati dhjetë vjetësh. Më pas ajo kishte kaluar në depresion për një kohë të gjatë, depresion që e kishte paralizuar gradualisht. Ajo kishte shumë gjëra të mira, madje mund ta cilësoje si një grua të fortë, por fatkeqësia e saj ishte që nuk arrinte të mundte hidhërimin për vdekjen e të shoqit. Më tre- goi pastaj për djalin e saj të vetëm. Ajo fliste për të me admirim, por edhe me dhimbje, sepse hidhërohej tek shihte djalin e saj të vetëm, të lidhur pas saj.

- Ai ishte 17 vjeç, kur unë u paralizova. Ishte në gjimnaz. Nuk mësonte edhe aq mirë, por duke ndenjur me mua, filloi të lexonte e të arrinte rezultate të mira në mësime. U mbyll me mua e harroi gjërat e bukura të rinisë. Tezja ime, që është një grua e mbajtur edhe tani e jo më atëhere, u tregua e gatshme të vinte e të jetonte me ne, që të përkujdesej për mua, por djali nuk pranoi. “Kjo pjesë më takon mua e askujt tjetër”, thoshte. Këto fjalë më sëmbojnë ende në zemër. Më ka ndjekur hap pas hapi. E mira e kësaj pune ka qenë se iu fut mësimeve e mbaroi Juridikun.

- Të them të drejtën, Edlira, ke qenë me...

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.