Vëllai im hajdut, më ndau me burrin që doja

Intervista - - FAQE 1 -

Përshëndetje! Në radhë të parë, dua të falënderoj gazetën tuaj, që na ka dhënë mundësinë të bëhemi pjesë e saj, me historitë tona nga jeta. Unë dua t’ju tregoj historinë se si u ndava me vëllanë tim për së gjalli. U ktheva këto ditë në Shqipëri dhe kjo kohë e ftohtë e me borë, më kujtoi periudhën më të bukur të jetës sime, që u pasua nga një dimër i gjatë që nuk ka marrë fund as sot...

Unë quhem Alma dhe jam nga një fshat i Shqipërisë së Jugut. Jam rritur në një zonë malore. Ndoshta edhe egërsinë në shpirtin tim, prandaj e kam. Historia ime filloi pikërisht kur unë isha në shkollën e mesme, gati tridhjetë vjet më parë. Siç ju thashë më sipër, fshati ynë ishte një fshat malor dhe ne kishim një ndërmarrje pyjore, e cila merrej me prerjen, sistemimin dhe mbjelljen e pemëve të reja. Në këtë ndërmarrje, punonin edhe shumë shoferë me makina, të cilat vinin nga të gjitha qytetet dhe bënin furnizimin me dru për stinën e dimrit. Fati më bëri që unë të njihesha me njërin prej tyre. Për të shkuar në shkollë, mua më duhej të bëja një rrugë të gjatë, deri 20 minuta në këmbë dhe e gjithë rruga që ecja ishte rrugë makine. Ishte pikërisht kjo rrugë që më bëri të njihem me dashurinë time të parë dhe të vetme. Për herë të parë, me Yllin u njoha një ditë dhjetori, ku dëbora kishte filluar të zbardhte malin, por edhe fshatin tonë. Atë ditë, Ylli e kishte ndaluar makinën dhe po vendoste zinxhirët. Unë kalova aty dhe ai e la punën e po pastronte duart nga dëbora. Ashtu, si me të qeshur, më tha: “Do hipësh në makinë, se të çoj unë në shtëpi?”. Unë ia hodha njëherë sytë dhe i ula përsëri në përdhe, pasi na ndeshi shikimi dhe unë e ndjeva se u skuqa së tepërmi. Nuk i fola fare, por vazhdova të ecja për në shtëpi dhe pashë se, pas disa minutash, u nis edhe Ylli me makinën e tij. Ai kaloi e më foli nga dritarja: “Mendohu dhe mund të vish me mua edhe nesër; mua këtu më ke”.

Atë ditë, nuk e di pse, po në mendje më rrinte ai shikimi ynë që u ndesh në atë mënyrë. Ylli dukej i madh në moshë, gati 30 vjeç e ndoshta edhe më shumë, po vitet e tregonin akoma më të paraqitshëm. Atë ditë unë vetëm pak e fiksova, por një ditë tjetër ai e ndaloi përsëri makinën kur më pa mua në mes të rrugës. Nuk e di po, në ato momente zemra filloi të më rrihte fort dhe më dukej sikur isha e përhumbur në bardhësinë e dëborës. Ai më thirri përsëri: “A mund të ndalosh vetëm dy minuta?”. Unë ktheva shikimin dhe i thashë të mos më ngacmonte më rrugës, sepse po ta merrte vesh vëllai im që ishte më i madh se unë, do ta kishte punën keq. Ai qeshi dhe më tha: “Ti qenke shumë nevrike, si një mace e egër; do të më duhet shumë kohë që të të zbus”. Kaq pak u desh dhe unë çdo ditë e më shumë fillova të mendoja për të, edhe pse e dija se isha shumë e vogël për këto punë. Të gjithë këtë histori ia kisha treguar shoqes sime të ngushtë. Ajo u habit dhe më tha se duhet të pyesnim se mos ishte i martuar sepse ai dukej i madh. Të dashuroje një shofer në atë kohë ishte sikur të dashuroje një mësues, aq shumë vlera kishte, sepse ata ishin shumë të rrallë, sidomos në fshatin tonë. Çdo ditë që unë nisesha për në shtëpi, në rrugë do ndeshesha me Yllin. Në ditët e para, takimi me të ishte rastësi, por më pas, ai ndalonte në një lokal afër shkollës dhe shikonte kur unë dilja nga shkolla, për të më ndjekur nga pas. Sigurisht, këtë e bënte pa rënë në sy të njerëzve, prandaj edhe ai ndalonte në rrugë kur njerëzit ishin shumë të rrallë ose nuk kishte fare, pasi ishte dimër dhe njerëzit ishin të strukur nëpër shtëpitë e tyre.

Ylli, mbas disa tentativash për të më ndaluar, hoqi dorë dhe gjeti një mënyrë tjetër për të komunikuar me mua. Ai më shkruante letra dhe m’i hidhte nga dritarja. Letrat e tij i kam edhe sot e kësaj dite; është e vetmja pasuri që ruaj prej tij. Ai në letra më shkruante për jetën e tij, ishte nga një qytet afër fshatit tonë, kishte dy motra dhe një vëlla. Ai ishte fëmija i vogël dhe jetonte me prindërit. Ishte 31 vjeç dhe më shkruante për çdo gjë me sinqeritet. Kjo mënyrë komunikimi më bëri të dashurohesha shumë fort mbas tij. Ai më shkruante “për herë të parë kuptova se të dashuroja, ditën e parë të njohjes tonë, shikimi yt fëminor, edhe pse ishte vetëm pak sekonda, ndezi brenda zemrës sime një zjarr që nuk do të shuhet kurrë. Të lutem, merri seriozisht të gjitha këto që po të them. Unë të dua seriozisht dhe dua që ti të jesh gruaja ime. E di që je akoma e vogël, por dua që ti të më japësh fjalën dhe unë do të di të të pres”. Ai dinte të shkruante shumë bukur dhe unë isha në moshën më delikate, që nuk i mendoja shumë gjatë gjërat. Në fillim, nuk po i përgjigjesha dashurisë së tij, por që unë Yllin e doja shumë, e kuptova ditët kur ne morëm pushimet e dimrit, pra, pushimet për Vitin e Ri. Ato dy javë, u ndjeva shumë keq. Vetëm për të mendoja. Më dukej sikur gjatë pushimeve, dashuria e tij për mua do të shuhej dhe unë nuk do të kisha më mundësi t’ia shprehja. Megjithatë, unë kisha filluar të merrja një sinjal nga Ylli; ai, kur kalonte rrugës në vendin ku ne takoheshim bashkë, fillonte t’i binte borisë së makinës. Nuk mundem ta shpjegoj se çfarë emocionesh ndjeja. Zemra më rrihte fort, gati sa nuk po më pushonte. Në ditën e pushimeve, unë kisha shkruar një letër shumë të gjatë, të cilën edhe ia dhashë Yllit në ditën e parë të shkollës (pas pushimeve të Vitit të Ri). Në atë letër i kisha folur për ndjenjat e mia dhe, mbas asaj letre, ne filluam të takoheshim rregullisht bashkë. Dashuria ime për Yllin ishte akoma më e madhe. Në disa raste, unë kisha hipur edhe ...

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.