U kthye tek unë, pasi isha fejuar...

Intervista - - FAQE 1 -

Unë që po shkruaj jam një vajzë që jetoj prej vitesh në Tiranë, por me origjinë jam nga Veriu i Shqipërisë. Isha në moshë të vogël kur filluan problemet me familjen, ndoshta se isha një vajzë e lëvizur, por jo në aspektin negativ. Dëshirat e mia për të ardhmen ishin të shumta, të merresha me balet, të këndoja, talente që Zoti m’i kishte falur, por për shkak të mentalitetit, prindërit nuk më lanë të bëja asnjërën nga këto të dyja.

Familja ime është nga ato familjet tradicionale shqiptare që përbëhet nga mami, babi dhe tre motrat e mia, që janë më të mëdha se unë. Ato i kam të martuara dhe bëjnë një jetë të lumtur. Nuk shquhesha si nxënëse e dalluar në shkollë, ama me mësimet, nuk isha keq. Kisha një shoqëri të zgjedhur dhe historia ime fillon kur isha në gjimnaz, në moshën 16 vjeçare. Në klasë kisha një djalë që më pëlqente shumë. Në fakt, të dy pëlqeheshim që në vit të parë, por asnjëri s’kishte guxuar t’ia shprehte ndjenjat tjetrit. Kaluan dy vite dhe një ditë, në bangë, m’u afrua ai që e pëlqeja shumë dhe më ftoi për një kafe. Në moment ngela e stepur. Nuk e prisja, ishte shumë i ndrojtur. Kur mbaroi ora e mësimit, më priti te dera e klasës dhe unë shkova bashkë me të. Ishte një kafe si mes shokësh. Ai po më tregonte për veten e tij dhe unë, për veten time. Ishte shumë ndryshe nga ç’mendoja unë. Edhe ai, si unë, kishte probleme në familje, babin nuk e kishte dhe ishte djali i madh. Pasi mbaronte mësimin, punonte kamerier në një lokal aty pranë shkollës, sepse i duhej të mbante familjen. Më vinte keq për të kur e shihja se si mundohej, ndërkohë që moshatarët tanë nuk dinin ç’do të thotë të punosh. Kaluan kohë dhe u lidhëm. Lidhja jonë filloi të bëhej ditaditës më serioze, aq sa një ditë i kërkova që t’i tregoja familjes sepse kisha frikë se mos merrej vesh nga dikush tjetër. Ai nuk hezitoi dhe u prezantua me babain tim e më pas, me gjithë familjen. Nëna e tij ishte një grua fantastike, shkonim shumë mirë bashkë dhe vëllai i tij, më i vogël se ai, ishte në shkollë. Gjërat po shkonin mirë. Nuk e prisja që familja ime ta pranonte lidhjen dhe kjo gjë më gëzoi shumë.

Mbaruam shkollën dhe po prisnim përgjigjet e provimeve. Kishim bërë shumë plane, deri në momentin kur ai më tha se do të largohej për në Amerikë, ilegalisht. Mbeta e shtangur, fillova të qaja dhe ai po mundohej të më qetësonte. Më tha se do të më merrte me vete pasi t’i dilnin letrat dhe kjo më qetësoi pak. U nis shumë më shpejt nga ç’prisja, iku me një kushëririn e vet i cili po e ndihmonte. Filloi punë atje dhe flisnim çdo ditë në telefon. Më merrte malli për të. Kaluan pesë muaj dhe telefonatat e tij po rralloheshin dita- ditës, nuk e kuptoja përse. Më thoshte që kishte shumë punë dhe unë mundohesha ta kuptoja, derisa kaloi një muaj dhe nuk kisha asnjë informacion prej tij. Familja e tij nuk më thoshte asgjë, lidhjet po ftoheshin. Nuk e kuptoja ç’po ndodhte me të, përse nuk me telefononte të paktën një herë, sa për të m’u shpjeguar. Kalova në pritje dy muaj, derisa një ditë më mori në telefon dhe më tha që ishte i lidhur me dikë tjetër dhe priste të fejohej me të. Bota m’u përmbys para syve. Kisha bërë gjithë ato plane në kokën time dhe u barazuan të gjitha me zero. Nuk dija si t’i thoja familjes sime; po kaloja periudhën më të keqe të jetës, e doja aq shumë saqë kurrë nuk e kisha pritur prej tij diçka kaq të rëndë. Nuk munda t’i ktheja asnjë përgjigje telefonatës së tij dhe gjithçka u mbyll me një “pse” nga ana ime.

U mbylla në shtëpi me ditë të tëra derisa familja ime u bë merak për mua, mami më pyeste ç’kisha dhe unë nuk mund t’i tregoja të vërtetën që më dhimbte aq shumë në shpirt. Arrita një ditë t’i tregoja vetë të gjithë familjes ç’kishte ndodhur dhe ata nuk po mundeshin ta besonin. I gjithë faji mbeti tek unë, ndërkohë që nuk e kuptoja ç’të keqe kisha bërë. Nuk mund të quhesha naive pse doja dikë.

Ditët kalonin dhe mua gjithmonë e më shumë më vriste mungesa e tij, më mungonte gjysma ime. Jeta ime mori një rrugë tjetër. Fillova të bëja shumë shoqëri, kjo për shkak se puna që kisha filluar, kishte të bënte me komunikim me njerëzit. Kisha filluar si shitëse në një dyqan në një zonë të mirë të Tiranës. Ditët kalonin dhe mungesa e tij po zbehej.

Një ditë, në dyqan erdhi një djalë shumë simpatik, që më bëri përshtypje sa hapi derën dhe më përshëndeti. Dukej djalë i mbajtur, shumë i edukuar. Më tha që donte të blinte një kostum dhe unë po i sugjeroja disa, derisa zgjodhi njërin. Ndërkohë që rrinte në dyqan, po më pyeste për veten dhe unë po i tregoja shumë pak. Dukej i interesuar, por mua s’po më besohej. Ai iku nga dyqani dhe më përshëndeti me një buzëqeshje të ëmbël (sa buzëqeshje të bukur kishte!). Më mbeti në mendje dhe doja ta takoja sërish, edhe pse me vete mendoja se ishte një budallallëk. Kaluan dy javë dhe përsëri në dyqan erdhi ai që po e prisja çdo ditë të vinte. Kishte ardhur me pretekstin për të blerë dhe po mundohej të kalonte sa më shumë kohë aty brenda. Kur po largohej, më tha që kalonte çdo ditë para dyqanit për të më parë, gjë që nuk e kisha vënë kurrë re. Ky fakt, më habiti, aq sa edhe më gëzoi. Më kërkoi të dilnim bashkë, ama unë nuk kisha më besim te njerëzit, ndaj hezitova, por ai këmbëngulte shumë dhe unë i thashë “po”, sepse në fakt, kisha shumë dëshirë ta njihja. Mbarova punën dhe dolëm bashkë. Ende nuk e besoja që kisha takuar një njeri aq të mrekullueshëm sa ai. Më dukej si ëndërr, një realitet aq i bukur! Ditët kalonin dhe ne të dy po njiheshim më shumë me njëritjetrin, ndërsa ndjenjat tona forcoheshin dita-ditës. Më propozoi për lidhje pas shumë kohësh njohjeje dhe unë pranova. Kaluam dy vjet bashkë, por kjo nuk ishte si lidhja ime e parë, isha më e rritur, kuptoja më shumë. Ai ishte njeri tjetër, njeri i mrekullueshëm. Ditën e ditëlindjes sime më bëri surprizën më të bukur të jetës: Më propozoi për fejesë dhe unë nuk hezitova asnjë sekondë për t’i thënë “po”. Familja ime ndryshoi mendim për mua, nuk më quanin më një vajzë naive. Isha rritur tashmë dhe kisha përkrah një njeri që më mbështeste në çdo moment. Më dukej vetja ndonjëherë si në përrallë, si Hirushja. Isha aq e lumtur, sa asnjëherë nuk e kisha imagjinuar veten ashtu; e mbuluar me dashuri.

Një ditë, në telefon, më erdhi një sms... Ishte ish-i dashuri, që më “fliste” nga e shkuara ime e hidhur. Sa keq më erdhi! Ai ishte ndarë nga e fejuara dhe po më kërkonte mua. Më telefonoi dhe mes lotësh më kërkonte falje, donte të kthehesha me të dhe unë mendova me vete: “Sa e bukur është e tashmja ime!”. Nuk fola gjatë me të, thjesht i mbylla telefonin, pasi i thashë “lamtumirë”. Gjithçka kishte mbaruar dhe nuk doja të kujtoja asnjë sekondë me të. Sot jam shumë e lumtur dhe jam e sigurtë se vetëm një dashuri e vërtetë mund të të bëjë të harrosh ato gjëra që dikur të vrisnin shumë!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.