Djali që ia kushtoi jetën nënës së tij

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

E mira e kësaj pune ka qenë se iu fut mësimeve e mbaroi Juridikun.

- Të them të drejtën, Edlira, ke qenë me fat, - i thashë. – Djemtë e sotëm nuk duan t’ia dinë për asgjë, po arsimohen me lekë e jo më të rrinë kështu si djali yt.

- Po, ashtu është - tha ajo. – Po, ka vuajtur shumë me mua. Jam munduar të çohem në këmbë vetëm që të mos më ketë barrë mbi shpinë, por s’po arrij. Nuk e di se si do t’i vejë halli kësaj pune.

- Nuk i dihet; çdo njeri e ka fatin e tij.

- Ashtu shpresoj – tha ajo, jo e bindur për fatin e saj, që deri tani nuk ishte ndonjë kushedi se çfarë.

Në atë kohë, erdhi djali i saj që kishte mbaruar punë dhe do ta përcillte të ëmën në shtëpi. Donte të më shoqëronte edhe mua, por nuk e lashë sepse nga çasti në çast do të vinte motra të më merrte. Në fakt, nuk doja t’i bëhesha barrë sepse më dhimbsej ai djalë.

Më pas, i takoja shpesh dhe vazhdonte të më habiste durimi dhe këmbëngulja e djaloshit për të ëmën. Ai e nxiste t’i bënte të gjitha ushtrimet sipas rregullit ditor që i kishte vënë mjeku. Ishte e pamundur që Edlira të linte ndonjë seancë apo të neglizhonte ndonjë ilaç, sepse i biri ishte shumë i rregullt dhe shumë i përkushtuar për t’ia plotësuar të gjitha. Ndoshta besonte se do të ndodhte ndonjë mrekulli për nënën e tij.

Këtë rast, unë nuk ia kisha treguar burrit tim. Ai, si indiferent që është, nuk më linte shumë hapësira për të biseduar me të. Lëre që kishte kohë pa dalë me mua, sepse punonte deri vonë. E kisha provuar edhe para se të paralizohesha se ai, kur bënte këto “mbledhjet e vona”, kishte ndonjë të dashur. Kur isha me këmbët e mia, kishte qëlluar ta ndiqja njëherë, por dola huq, sepse ai kishte fikur telefonin. Më tha se “kemi mbledhje” dhe kur e hapi, erdhi për 5 minuta aty ku isha unë, duke u justifikuar se i kishte rënë bateria. Edhe tani, në atë fazë ishte. Kur m’i bënte këto lojëra kur isha në rregull, ç’do të prisja tani? Pra, nuk kishte rënë rasti t’i tregoja për Edlirën e djalin e saj, kur një ditë, padashur, dëgjova bisedën e tij në telefon me një shokun e punës.

- Po na duhet një jurist i zoti e mbi të gjitha, i ndershëm, që të mos mbajë anën e askujt!

Menjëherë më shkoi mendja te djaloshi i Edlirës. Sapo ai mbylli telefonin, i thashë:

- Të duhet një jurist? Ta gjej unë menjëherë!

- E ku do ma gjesh ti? - më pyeti ai me ironi, si gjithmonë.

- Njoh një djalë që shoqëron nënën e tij në klinikë. Jam e sigurtë që është i duhuri. - E si je kaq e sigurtë? - Sepse e njoh dhe dal garant unë për të!

- Edhe kështu siç je, nuk të rri rehat... - tha ai pa pikë mëshirë për mua, por këto fjalë nuk më bënin më për- shtypje, sepse isha mësuar me këtë lloj burri që kisha. - Dakord, po e takoj njëherë, por nuk të të siguroj asgjë.

- Mirë - u gëzova shumë dhe menjëherë i telefonova Edlirës.

- Të kam gjetur një punë për djalin, po njoftoje që të më lërë një orar takimi.

- Faleminderit! Je shumë e mirë...

U takuam të katërt dhe burrit tim iu mbush mendja se ishte ai juristi që i duhej.

- Më pëlqen ky djalë, i shkreti që duhet ta çojë jetën pas asaj sakates, së ëmës... - ofendoi ai pa e patur merak se edhe unë isha si e ëma. Ndoshta jo në atë shkallë si ajo, por ai nuk e kishte problem lëndimin tim, madje atë donte të arrinte.

Djali filloi punë part-time, sepse punën më të madhe e bënte në shtëpi. Ai nuk pranoi të punonte me orar të plotë, sepse ia kishte përkushtuar jetën nënës së tij. Këtë gjë e bënte me dëshirën më të madhe e jo se ishte i detyruar.

Unë takohem ende me Edlirën dhe më vjen keq që ajo nuk ka përmirësime. Asaj nuk ia them këto gjëra, por kur flas me doktorin, mundohem t’i them që ajo të mos mundohet kot. Por mjeku nuk është i mendimit me mua. Ai gjithmonë na e kujton shprehjen se shpresa vdes e fundit. E në fakt, ç’do të ishim ne pa këtë të fundit? Me siguri, nuk do ishim ngritur nga krevati e nuk do të provonim as karrocën me rrota. Është e vërtetë, jeta duhet jetuar e shijuar dhe vlerëzuar sa jemi shëndoshë e mirë...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.